Rama për Dr. Halimin: Faleminderit që jeni këtu në emër të PD-së!

63

Socialistët festojnë 26-vjetorin e partisë. Mjeku i njohur, i vetmi demokrat i pranishëm. Çfarë i dhuroi kryeministrit

Partia Socialiste festoi dje 26-vjetorin e themelimit të saj, ndërsa kryeministri Edi Rama e shfrytëzoi këtë rast për të kërkuar ndjesë ndaj doktor Halim Kosovës, pas ironive ndaj tij disa ditë më parë. Deputetë, ministra, themelues të PS-së kanë qenë të pranishëm në festën e organizuar këtë herë në kulmin e fushatës elektorale. Por ajo që ra në sy të të gjithëve, edhe të vetë shefit të qeverisë, ishte prania e Halim Kosovës. Ish-kandidati për kryetar bashkie i Partisë Demokratike ishte i vetmi demokrat në festën e selisë rozë dhe gjatë kohës që kryeministri Rama po mbante fjalën e tij, Halim Kosova ishte përkrah bashkëshortes së kreut të qeverisë, Linda Rama dhe ish-ministrit Tahiri. “Një përshëndetje e veçantë shkon për profesorin që është këtu. Faleminderit që jeni këtu në emër të PD”, ka përshëndetur Rama edhe kandidatin për deputet të PD-së. Megjithatë edhe këtë herë kryeministri nuk i ka kursyer batutat. “Me gjithë respektin për profesor Halimin, më të mirë se ne s’ka. Jam i bindur se nëse votohet këtu vetëm një votë kundër kemi. Jam i bindur që të gjithë do të votojnë të na japin timonin me gjithë marsh”, ka thënë Rama duke marrë dhe duartrokitjet e të pranishmëve. Ai nuk ka harruar të urojë edhe ditëlindjen e kryetarit demokrat, Lulzim Basha. “Ndoshta nuk është e parëndësishme të thuhet në fund, që është hera e parë që festojmë ditëlindjen e Partisë Socialiste dhe ditëlindjen e kryetarit të PD-së”, e mbylli fjalimin e tij Rama. Vetë Halim Kosova ka rrëfyer se i kishte dhuruar Ramës një album me historikun e maternitetit, ku ai ka punuar për shumë vite. Ai u shpreh se forcat politike po zhvillojnë një fushatë për të fituar në zgjedhjet e 25 qershorit dhe më pas do të jenë shqiptarët ata që do të vendosin. Halim Kosova garoi në zgjedhjet vendore të vitit 2015 për kreun e bashkisë së Tiranës përballë Erion Veliajt. Mjeku i njohur kandidon për deputet në qarkun e Tiranës, në listën e Partisë Demokratike.