Rama në “Top Story”: Ligji i dekriminalizmimit, me standarde europiane

446
Kryeministri i vendit, Edi Rama i ftuar në emisionin ‘Top Story’, në Top Channel u shpreh se qeveria ka bërë gjënë e duhur lidhur me ligjin për dekriminalizmin, duke paraqitur një draft të plotë, përkundër asaj që sipas tij ka bërë opozita, e cila ka zvarritur pa fund procesin vetëm e vetëm për të hedhur baltë dhe njollosur vendin në sytë e ndërkombëtarëve duke e përdorur dekriminalizimin si kalë beteje.
“Shqipëria përballet sot me një fenomen që prej vitesh ka qenë aty dhe duhet të marrë fund. Ne jemi angazhuar seriozisht në këtë proces, por ndryshe nga opozita, ne kemi detyrë të veprojmë, jo vetëm të flasim si ka bërë gjatë gjithë kohës opozita. Sipas marrëveshjes, në mes shatorit duhet ta kishim gati me një draft që ta finalizonim. Jashtë afateve, opozita në mënyrë të njëanshme ka propozuar një draft të vetin, ne kemi një tonin. Baza për dakordësi është e plotë. Drafti i propozuar nga qeveria do depozitohet bashkë me propozimin e një grupi deputetësh për një sërë ndryshimesh kushtetuese. Jemi të bindur se opozita kërkon ta mbajë peng procesin dhe ta përdorë këtë si një kalë beteje për të mbajtur gjallë një debat baltosës, dekurajues, edhe pse kjo njollos vetë Shqipërinë kur i përcillet të huajve si një situatë krejt ndryshe nga ç’është. Krahasimi i dy drafteve tregon seriozitetin tonë dhe mungesën e seriozitetit nga ana e opozitës”, tha Rama.
Në kuadër të këtij diskutimi, i pyetur lidhur me deputetët e Partisë Socialiste të përfolur si të lidhur me ngjarje kriminale dhe fakti se ata janë përfshirë në ngjarje të rënda, ku më pas ka ardhur edhe largimi i tyre nga PS, Rama u shpreh se nuk mund të kishte dijeni për ngjarjet në të cilat do të përfshiheshin këta persona pas zgjedhjeve, por ka shtuar se nëse do të kthehej sërish në 2013, do të bënte të njëjtën gjë me këta deputetë, të cilët sipas tij kanë qenë njerëz të respektuar në komunitetin e tyre.
Së pari, unë nuk kam pasur dijeni që një deputet i yni pas zgjedhjeve do të ndërmerrte një operacion mediatik mbështetur mbi halucinacione. Së dyti, nuk kisha dijeni që një deputet tjetër pasi të fitonim zgjedhjet do të shfaqej në një sherr të madh në mes të qytetit. S’kam pasur dijeni që një tjetër deputet i koalicionit do të shfaqej si i kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare.
Sa i përket deputetit që dha dorëheqjen, ai meriton gjithë respektin tim për vendimin. Ishte një dorëheqje tërësisht e vullnetshme, që i bën nder atij vetë dhe që flet për një njëri që meriton të respektohet në të drejtën për të provuar pafajësinë e tij. Por nëse do kthehesha në 2013, do bëja të njëjtën gjë, sepse nuk kam vendosur në listën e deputetëve as kriminelë, as persona që kanë pasur të bëjnë me krimin. Kam propozuar njerëz që në rastin konkret kanë qenë deputet edhe më parë dhe të respektuare në komunitetet e tyre”, tha Rama.
Sigal