Rama: BE-ja është rruga e vetme që e çon Shqipërinë drejt ligjshmërisë

65

Kryeministri Rama u takua dje me ambasadorët e akredituar në vendin tonë. Kryeministri Rama e cilësoi marrjen e statusit të vendit kandidat si një arritje të bukur të vitit të parë të qeverisë. Kreu i qeverisë në kuadër të bashkëpunimit tha se sot për Shqipërinë, Serbia nuk është një vend armik, por një vend fqinj që duhet kthyer në partner. “Në 2015 Serbia merr kryesinë e OSBE, do e mbështesim dhe shpresojmë të shohim progres në lidershipin e fqinjëve, ta shohim progresin edhe në rritjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë. Serbia nuk është armiku ynë, por fqinji që duhet kthyer në bashkëpunëtor”. Rama tha se shembull për këtë bashkëpunim me Serbinë janë për të, Gjermania dhe Franca. “Nuk na falet të mos shkojmë përtej historisë së vjetër, të durueshëm në këtë marrëdhënie të vështirë por që është edhe në interesin tonë”. Ndërsa duke u ndalur tek BE-ja, Rama apeloi që marrëdhëniet të shikohen në mënyrë të ndërsjellët, dhe se shqiptarët nuk kërkojnë favore përsa i përket integrimit. “Në nuk duam asnjë favor por kur çdo vend i rajonit të kryejë detyrën e tij BE të kryejë detyrën ndaj këtyre vendeve që duan të bashkohen me Europën, BE të mbështesë projekte që s’do mund ti bëjmë dot kurrë pa mbështetjen evropiane” Duke u shprehur se rruga e BE është e vetmja që e çon Shqipërinë drejt ligjshmërisë, Rama tha se është i gatshëm të plotësojë detyrat e integrimit. “Rruga e BE është e vetmja rrugë për të shkrirë Shqipërinë dhe ligjshmërinë, për ta vënë kufirin e lirisë së secilit aty ku fillon liria e tjetrit”, tha ai. Pasi përmendi disa nga arritjet e vitit të parë të qeverisë, Rama ftoi edhe njëherë opozitën t’i drejtohet jetës parlamentar,e duke u shprehur se do plotësojë çdo kusht të tyrin për tu kthyer në sallë. Ai ftoi ndër të tjera, të vizitojë Shqipërinë kryeministrin italian Matteo Renzi, në kuadër të përmbylljes së presidencën italiane të BE dhe në kuadër të bashkëpunimit e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve, siç tha Rama.