Qytetarja zbulon skenarin: 1 ditë para na legalizuan shtëpinë, më dhanë pyetjen për kryeministrin, por unë e ngatërrova

621
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Farsa e llogaridhënies së qeverisë

Qytetarja nga Cërriku zbulon skenarin: 1 ditë para na legalizuan shtëpinë dhe i dhanë pyetjen për kryeministrin

Në 5 vitet e qeverisjes së Rilindjes Socialiste, ende nuk është kryer asnjë reformë e premtuar, derisa Shqipëria nuk ka përmbushur as ato reformat e integrimit, sa rrezikohet edhe hapja e negociatave për anëtarësim të plotë në BE. Gjatë 3 viteve të fundit, kanë braktisur Shqipërinë më shumë se 350.000 shqiptarë, për të gjetur një vend pune nëpër Botë, sepse në Shqipëri ka pllakosur mjerimi dhe nuk ka më as shpresë për të gjetur punë, ndërkohë, që 1 milion shqiptarë të tjerë kanë aplikuar në Lotarinë Amerikane, si mundësia e fundit për të shpëtuar nga papunësia e varfëria në Shqipëri. Në 5 vitet e fundit nuk është bërë asnjëherë rritje rrogash, ndërkohë që janë shtuar taksat në numër dhe janë shumëfishuar taksat ekzistuese. Bizneset e huaja, jo vetëm që nuk kanë bërë asnjë investim në Shqipëri, por, ndërkohë, janë larguar dhjetëra investitorë të huaj të mëdhenj, sepse në Shqipëri nuk ka, as drejtësi dhe as konkurrencë të lirë, sepse koncesionet e dhëna nga qeveria e Rilindjes kanë krijuar monopolizimin e të bërit biznes në favor të klientëve të vet.

 

Llogaridhënie, si strategji e propagandës

 

Kryeministri Rama, në momentin politik, kur Shqipëria është në pragun e vendimmarrjes së Këshillit të Ministrave të BE-së për hapjen e negociatave, merr vendimin që qeveria dhe grupi parlamentar i PS-së të fillojnë fushatën e llogaridhënies, edhe pse qeveria nuk ka mbushur ende vitin nga mandati i dytë i saj. Do të ishte më e drejtë, që qeveria t’i përkushtohej përmbushjes së detyrave që i kushtëzojnë udhëheqësit e Gjermanisë, Francës, Holandës, në kryerjen e reformave të luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Deri tani, nga llogaridhënia e kryeministrit dhe e ministrave, deputetëve kemi parë vetëm monologë dhe premtime, thua se folësit, që nga kryeministri dhe ministrat janë në fushata elektorale, sa premtimet që bëjnë të japin përshtypjen se ata janë ende në opozitë, ose shumë-shumë, sapo kanë filluar të …qeverisin.

 

Farsa e llogaridhënies

 

Shumë herë, sidomos në ditët e para të llogaridhënies, shumë qytetarë, që mundën të flisnin përballë kryeministrit, i ngritën problemet e tyre, hallet e tyre, ashtu siç janë, mirëpo, kryeministri nuk i duroi dot t’i dëgjonte deri në fund, duke u ndërprerë të drejtën e fjalës ose duke u dhënë përgjigje-batutë, për të fshehur dhe anashkaluar shqetësimet dhe problemet. Në ditët e mëvonshme të llogaridhënies, u inskenua paraprakisht gjithçka. Që pjesëmarrësit në këto llogaridhënie të ishin dekor nga punonjësit e administratës, ose pjesëtarë të familjarëve të tyre dhe folësit, do të përzgjidheshin, duke u diktuar edhe pyetjet, ku folësit do të pyesnin vetëm për pyetjet e diktuara nga kryeministri, dhe jo pyetje që të vënë në vështirësi kryeministrin, ndryshe, rrezikohen të flaken nga puna, ose vetë ata, ose të afërmit e tyre, që punojnë në administratën publike. Në llogaridhënien në Cërrik, ku kryeministri Rama zhvilloi edhe një dëgjesë publike banorja e fshatit Shtërmen, Bukurie Braka, ia tha në sy Kryeministrit se Check-up-i ishte jo funksional. Kryeministri Rama u acarua duke i hequr fjalën, ndërsa Braka e përsëriti se të dyja herët që kishte shkuar të bënte kontrollin parësor, nuk kishte gjetur as aparat tensioni. Fjala e Brakës u ndërpre duke ia lenë vendin batutave. Pas asaj dëgjese publike të kryeministrit, qytetarja Bukurie Braka zbuloi edhe skenarin që i kishin përgatitur. “Takimi me Kryeministrin ishte me skenar. Më thanë ta pyesja Kryeministrin për legalizimet. Një ditë para më legalizuan shtëpinë. E pyeta për Check-upin. Më lanë në këmbë. Ma prenë fjalën se dola nga skenari.”-shprehet ajo.