Qeveria “zgjidh” qesen, pas protestave jep shpërblim 30 mijë lekë për shtresat në nevojë

581
Sigal

Sindikatat: Derisa qeveria pohon se çdo vit kemi rritje ekonomike mbi 4 %, përse nuk jep rrogën e 13-të?

Protestat e studentëve, të banorëve të Unazës së Re, si edhe protestat e shumta që janë zhvilluar në qytetet e tjera të vendit, si në Kavajë, Lushnjë, Devoll, Shkodër, Bulqizë, Lezhë, Laç, të cilët kërkojnë uljen e çmimit të naftës, protestat e djeshme të biznesit të vogël, protesta e sotme që do bëjnë mjekët kanë rritur shumë pakënaqësinë e shqiptarëve ndaj qeverisë. Pas 6 muajsh do të kemi edhe zgjedhjet lokale, prandaj, qeveria vendosi dje, me rastin edhe të Vitit të Ri, të “zgjidhë” qesen e buxhetit dhe të shpërndajë disa shpërblime.

Shpërblimet e qeverisë, si “torta” për Vitin e Ri

Qeveria ka vendosur të japë shpërblim për disa kategori në nevojë. Në bazë të vendimit të marrë sot në mbledhjen e qeverisë, përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike dhe paaftësisë kompensohen financiarisht, për vitin 2018, në masën 3 000 (tre mijë) lekë.

Ja kush përfitojnë

Kategoritë përfituese janë si më poshtë:

  1. a) Familje, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike;
  2. b) Familje, të cilat kanë në përbërje të tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së.
  3. c) Individët përfitues të statusit, paraplegjik dhe tetraplegjik

ç) Individët përfitues “Për statusin e të verbrit”.

“Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 396 147 000 (treqind e nëntëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e dyzet e shtatë mijë) lekë dhe përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale, miratuar për vitin 2018. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendim.

Konfederata e Sindikatave: Pse nuk jepet rroga e 13-të?

Kreu i KSSH-së, Kol Nikolla i është drejtuar ministrit të Financave Arben Ahmetaj, duke e pyetur, pse qeveria nuk jep rrogën e 13-të për punonjësit e administratës publike, derisa qeveria deklaron se kemi çdo vit rritja ekonomike 3.6 – 4, 3 % dhe kësisoj, dhënia e pagës së 13-të është detyrim ligjor dhe jo lëmoshë nga qeveria.

KSSH: Ahmetaj te heqë dorë nga shpenzimet e luksit, pagë të 13-të për punonjësit

Shpenzimet e luksit për festat e fundvitit, prokurimet për mobilim zyrash e trajnime që mbesin vetëm në letër duhet të marrin fund dhe qeveria të akordojë pagën e 13-të për të gjithë punonjësit e administratës, policët, punonjësit e sektorit të shëndetësisë, punonjësit arsimit. Kërkesa e Ministrisë së Financave i është bërë nga Kreu i Konfederatës së Sindikatave Kol Nikolla, i cili i kërkoi Ahmetajt të nxjerrë menjëherë udhëzimin për shpërblimin e fundvitit. Kolë Nikolla u shpreh se, përderisa Arben Ahmetaj trumbeton se rritja ekonomike është gati 3.6%, Ministria e Financave ka detyrimin ligjor të akordojë pagën e 13-të për punonjësit shqiptar të sektorit publik.

Kol Nikolla: Qeveria të përkrahë shtresat në nevojë!

Kolë Nikolla i kërkon qeverisë, që në këto ditë Festash të Fundvitit institucionet shtetërore të gjenden më pranë shtresave në nevojë, kryesisht të moshuarve në azile dhe fëmijëve në jetimore. Sipas tij, vizitat në këto institucione nuk duhet të jenë vetëm për të bërë foto në facebook, por për të hulumtuar se si duhet bërë më mirë puna në mbështetjeje të këtyre kategorive.