Qeveria u grabit bashkive edhe taksën e banesave

635
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Shoqata e Bashkive: Taksa e ndërtesës bie ndesh me legjislacionin shqiptar

Qeveria shpërfill pushtetin vendor, duke i hequr kompetencat e vjeljes të disa taksave

Taksa e banesës po kthehet në mollë sherri midis qeverisë dhe bashkive. Qeveria po mendon që taksën e banesave ta vjelë nëpërmjet operatorit të OSHEE, i cili është një kompani shtetërore. (në disa bashki të vendit praktikisht kjo taksë ka filluar të vilet me taksat e bashkisë, në faturat e ujit.) dhe OSHEE-ja flitet, se do të përfitojë 4 % të shumës vjetore, për shërbimin e vjeljes së taksës së banesës.

Pikëpyetjet, nëse taksa e banesës do të paguhet me faturat e OSHEE

Fillimisht, u mendua që taksa e banesës të vilej me faturat e ujit, por qeveria hoqi dorë shpejt, pa shpjeguar shkaqet. Dhe, së fundi ka vendosur që kjo taksë e re të vilet së bashku me faturat e OSHEE-së, meqë ky shërbim tashmë është vënë në rrugën e duhur. Mirëpo, problem ka filluar ende pa u zbatuar. Si do të veprohet, nëse qytetari pranon të paguajë faturat e OSHEE-së, por jo pagesën për taksën e banimit? Do t’i ndërpritet dritat? Ligji nuk mund ta detyrojë OSHEE-në t’i presë dritat qytetarit, kur ai i paguan faturat për energjinë e konsumuar, sepse, OSHEE-ja është kompani biznesi, pavarësisht se është shtetërore. Burimet deri tani nga qeveria bëjnë me dije, se do të veprohet forcërisht ndaj atyre që nuk do të pranojnë të paguajnë taksën e banesës. Por ende nuk ka të kristalizuar, as si ide, as ligj, as urdhëresë qeveritare, as VKM, sesi do të veprohet në kësi rastesh, nëse taksa e banesës do të vilet nga OSHEE-ja.

Kundërshtimi i shoqatave të bashkive ndaj projektit të qeverisë

Bashkitë janë kategorikisht kundër, që taksa e banesës të vilet nga OSHEE-ja, sepse ato nuk mund të kontrollojnë dot shumën dhe kështu, mund të humbasin shuma të mëdha. Sipas shoqatës së bashkive, caktimi nga Qeveria i OSHEE si agjent për mbledhjen e taksës së ndërtesës si ndërhyrje flagrante dhe e hapur ndaj pushtetit vendor. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, si mbrojtëse e parimeve të autonomisë vendore, shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin për projektvendimin e qeverisë qendrore, nëpërmjet të cilit synohet që një taksë vendore si ajo e ndërtesës, të mblidhet nga një ent qeveritar si OSHEE. Bashkitë nuk kanë akses kontrolli mbi sistemet e përdorura nga institucionet në varësi qendrore dhe kjo bën që shpesh këto institucione të mos deklarojnë me transparencë të plotë të ardhurat e mbledhura, e për rrjedhojë të derdhin sa “tu teket” në llogaritë përkatëse të të ardhurave të Bashkive

Projektvendimi i paligjshëm i qeverisë është në kundërshtim të hapur me Ligjin për Vetëqeverisjen Vendore

Projektvendimi i paligjshëm i qeverisë parashikon që OSHEE të mbledhë taksës e ndërtesës kundrejt një komisioni prej 4% të shumës së mbledhur. Kjo është në kundërshtim të hapur me Ligjin për Vetëqeverisjen Vendore dhe me ligjin për sistemin e taksave vendore, ku thuhet shprehimisht se “është e drejta e bashkisë të përcaktojë mënyrën e mbledhjes së taksës, përfshirë zgjedhjen e agjentit fiskal dhe detyrimet e ndërsjella.” Eksperienca e vendeve të rajonit tregon se në asnjë rast nuk ekziston një praktikë e tillë, ku qeveria cakton edhe agjentin, edhe komisionin për mbledhjen e një takse vendore. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë thekson se ndërhyrja e qeverisë me një agjent tatimor të varur prej saj është provuar si e dështuar (problematike). Kur Drejtoritë Rajonale Tatimore u caktuan nga qeveria për mbledhjen e një takse vendore si ajo e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të biznesit të vogël, të ardhurat e bashkive u reduktuan ndjeshëm dhe sistemi i llogaritjes së parave të mbledhura, u fut në kaos. Bashkitë nuk kanë kontroll mbi sistemet e përdorura nga institucionet qendrore dhe, shpesh, kjo ka sjellë mosdeklarim të plotë të të ardhurave të mbledhura, duke duke derdhur në llogaritë e Bashkive aq sa t’i tekej qeverisë. Pavarësisht vështirësive që sjell zbatimi i taksës për pushtetin lokal, Shoqata e Bashkive te Shqipërisë mendon se problemi kryesor nuk është grumbullimi i taksës, por identifikimi i taksapaguesve dhe i ndërtesave që taksohen. Institucionet në varësi të qeverisë qendrore i kanë shpërfillur dhe nuk u janë përgjigjur kërkesave zyrtare të bashkive për informacion, me qëllim krijimin e regjistrave të plotë lokalë. Në vend që t’i marrë kompetencat e bashkive, qeveria qendrore duhet të ndërhyjë menjëherë për të zgjidhur këtë problematikë, duke u dhënë bashkive mundësi të identifikojnë godinat dhe më pas të caktojnë vetë kush e mbledh taksën e tyre. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë kërkon tërheqjen e qeverisë nga nisma antiligjore, që cenon rëndë autonominë vendore dhe kërkon që të jenë bashkitë ato që do të vendosin sesi do të mblidhet taksa e ndërtesës.

Problematika nëse OSHEE vjel taksën e banesës

  1. Paqartësi në përcaktimin e rasteve përjashtimore në aplikimin e taksës së ndërtesës.
  2. Ka ende paqartësi ndërmjet bashkive për kategoritë e përjashtuara nga taksa e ndërtesës si invalidët, etj. Në legjislacionin aktual ka kundërshti nëse taksa e ndërtesës është apo jo një taksë e drejtpërdrejtë. Në disa raste ka vendime të gjykatave që vendosin për përjashtimin e invalidëve nga kjo taksë. Një shpjegim më i qartë do të ishte i nevojshëm në këtë rast.
  3. Si do procedohet kur klienti e paguan shërbimin për shërbimin bazë që merr nga OSHEE, energjinë elektrike dhe nuk paguan taksën e ndërtesës???. Çfarë roli ekzekutiv do marrë OSHEE për të realizuar grumbullimin e taksës?