Qeveria teknike, Basha zbulon prapaskenat

243
Kryetari demokrat shprehet se nuk do të pranohet një kabinet kukull, ndërsa rendit edhe detyrat kryesore që duhet kryer pas largimit të Ramës

Afati i fundit për regjistrimin e partive në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve po afron, ndërsa duket se palët janë të ngrira në pozicionet e tyre prej 18 shkurtit. Opozita kërkon një qeveri teknike si kusht për zgjedhje të lira e të ndershme, por shumica parlamentare refuzon një pretendim të tillë. Teksa 8 prilli po afron dhe Partia Demokratike e aleatët janë shprehur se nuk do të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, “nëntoka” e politikës nuk duket kaq e palëvizshme. Ka qenë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ka zbuluar dje disa prapaskena, teksa fliste në çadrën e ngritur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. “Beteja e nisur më 18 shkurt do të vazhdojë deri në fitoren e plotë, deri në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike që do të bëjë detyrat e ngarkuara nga populli”, tha Basha, i sapokthyer nga Malta, ku mori pjesë në mbledhjen e Partive Popullore Evropiane. Megjithatë lideri demokrat duket se ka “nuhatur” edhe lëvizjet e Partisë Socialiste dhe kryeministrit Rama, të cilët mund të tentojnë ngritjen e një qeverie të re në limitet kohore të regjistrimit të PD-së në KQZ. “Shumëkush, i bindur se kjo qeveri e rënë moralisht, do të bjerë së shpejti edhe juridikisht, shtron pyetjen, paraqet dilemën nëse zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme me një qeveri teknike që nuk ka kohën apo pushtetin e mjaftueshëm për të shpërbërë deri në fund lidhjet kriminale që ngriti në pushtet Edi Rama dhe çeta e tij e hajdutëve të babëzitur?”, shtroi pyetjen Basha. Kreu demokrat tha se ka dëgjuar ato që i cilësoi si “broçkulla të mediave qeveritare, që interpretojnë siç u do prapanica fjalët e aleatëve tanë”. “Dua t’u them se nuk kanë asnjë shans, zero shans, që ne të pranojmë një qeveri teknike kukull, sepse në këtë betejë nuk jemi për veten tonë, sepse në këtë betejë nuk jemi për karriget tona, në këtë betejë nuk jemi për fatin e partisë sonë, por për fatin e të gjithë shqiptarëve të ndershëm dhe ne as nuk kërkojmë as nuk do të pranojmë një qeveri teknike fasadë”, tha Basha. Sipas tij, qeveria teknike është mjeti, ndërsa kushti, beteja, nga e cila nuk kthehemi pa fitore, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Për kreun demokrat, zgjedhje të lira dhe të ndershme do të thotë në radhë të parë zbatim deri në një i ligjit për dekriminalizimin. “Deri në një, do të thotë nxjerrjen nga funksionet publike të deputetëve, të kryetarëve të bashkive dhe çdo funksionari publik me rekorde kriminale”, sqaroi Basha. Ai tha edhe një herë se “kjo nuk është shfaqje, kjo nuk është teatër, kjo është luftë dhëmb për dhëmb me krimin në politikë dhe politikën e inkriminuar”. “Kjo është luftë për jetë a vdekje, për Shqipërinë demokratike, evropiane dhe euroatlantike, ose Shqipërinë e bërë zap nga krimi. Dhe në këtë betejë kemi vënë zemrën tonë, pasionin tonë por dhe vendosmërinë tonë”, tha kryetari i PD-së. Në të njëjtën kohë, Basha premtoi konfiskimin e parave të vjedhura nga politikanët. “Nuk do të paguajmë ne miliona euro kompani private të shtrenjta për të gjurmuar se ku i keni futur ju paratë që u keni vjedhur shqiptarëve dhe paratë e drogës. Sepse në bashkëpunim me EUROPOL-in do t’i gjurmojmë deri në ishujt më të largët dhe do t’ua konfiskojmë paratë që u keni marrë qytetarëve shqiptarë”, tha Basha. Deklaratat e Bashës për refuzimin e një qeverie teknike kukull vijnë teksa po shtohen burimet që konfirmojnë hartimin e një plani rezervë nga Partia Socialiste për të përballuar krizën dhe mos regjistrimin e PD-së në zgjedhje. Ky plan, ende i pakonfirmuar, parashikon ngritjen e një kabineti qeveritar me figura jo shumë të njohura politike e me teknicienë dhe zhvillimin e zgjedhjeve më 18 qershor për të mos i lënë kohë PD-së të organizojë normalisht fushatën elektorale.