Ilir Meta: “Reforma në arsim e pasuksesshme”

514
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta mori pjesë në prezantimin e projektit për arsimin “Edukim cilësor, familje e shëndetshme”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta mori pjesë në prezantimin e projektit për arsimin të LSI-së “Edukim cilësor, familje e shëndetshme”. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, Zv.Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, kryetari i Komisionit për Arsimin, Inovacionin dhe Shkencën në LSI, Dr. Jorgaq Kaçani, Prof. Shezai Rrokaj, etj. 

Në fjalën e mbajtur para të rinjve të shumtë në këtë takim Meta tha se debati mbi arsimin po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm pasi ndjejmë ende mangësi serioze të akumuluara përgjatë gjithë periudhës së tranzicionit dhe për shkak të një fiktiviteti skandaloz në të kaluarën. Kryetari i LSI-së theksoi se janë bërë disa përpjekje të cilat, duhet të kishin qenë më solide dhe më të suksesshme.
Fjala e plotë e z. Ilir Meta 
Sot shpalosim disa prej ideve kryesore tonat për zhvillimin dhe modernizimit të sistemit arsimor në vend. Jam shumë i kënaqur që para disa ditësh isha te shkolla “Kongresi i Lushnjes” ku unë kam filluar klasën e parë dhe pashë një shkollë të paktën në infrastrukturë të niveleve evropiane. Besoj se nuk është e vetmja ashtu sikur jam i bindur që kjo situatë dhe ky nivel nuk është kudo. 

Megjithatë debati mbi arsimin po bëhet një debat gjithnjë dhe më i rëndësishëm, për arsye se ne e ndjejmë që kemi ende mangësi të rëndësishme dhe serioze, të akumuluara përgjatë gjithë periudhës së tranzicionit dhe për shkak të një fiktiviteti skandaloz në të kaluarën dhe janë bërë disa përpjekje të cilat, sigurisht, mund të kishin qenë dhe duhet të kishin qenë më solide dhe më të suksesshme. Dhe po e nis menjëherë këtu me ligjin për arsimin e lartë, i cili besoj përsëri që ishte një ligj me qëllime pozitive dhe i dha një goditje serioze atij arsimi fiktiv, të lartë, që cenonte cilësinë e dijeve, por edhe njëkohësisht të besimit të të rinjve te vlera e diplomës së tyre. Njëkohësisht ne jemi të ndërgjegjshëm që nuk kemi arritur atë sukses që është pritur dhe është kërkuar dhe kjo ka ndodhur, mendoj, për arsye se ne edhe kur i bëjmë ligjet e mira, ende vazhdojmë të çalojmë në zbatimin e tyre. Pra që tek aktet nënligjore, që te bashkëpunimi deri në zbatim me të gjithë grupet e interesit e kështu me radhë. Dhe për koherencë, LSI e ka ngritur këtë shqetësim edhe në debatet gjatë diskutimit të ligjit të arsimit të lartë, edhe përpara se të miratohej në Kuvend, edhe kur është miratuar në Kuvend. Për ne, absolutisht çështja e suksesit të një ligji nuk ka të bëjë thjesht me statistikat se sa studentë mbeten të kënaqur apo të pakënaqur, por për ne është e rëndësishme që, dhe suksesi i një ligji dhe i një reforme, është që asnjë i ri dhe asnjë e re të mos ndjehet i lënduar në mënyrë të padrejtë nga një reformë. Ndaj, është e rëndësishme që të reflektohen të gjitha ato opinione dhe shqetësime, të cilat janë shprehur edhe nga universitetet, edhe nga studentët, edhe nga grupet e interesit dhe unë besoj që kjo është shumë e rëndësishme. Do të mbështesja idenë që kemi nevojë për një sistem sa më të integruar, sa më të unifikuar të arsimit, që nga sistemi parashkollor e deri në atë universitar. Padyshim që modeli finlandez është një model mjaft i vlerësuar dhe është më rezultativi. Sigurisht që nuk është e lehtë që një model finlandez ta implementosh në një terren tjetër, por ne jemi të ndërgjegjshëm dhe e dimë që Finlanda, vetëm në sajë të kapërcimit cilësor që bëri përmes sistemit të arsimit, ka arritur të jetë një nga vendet më të zhvilluara të Evropës, në një kohë mjaft të shkurtër pavarësisht nga resurset e kufizuara natyrore që ka. Dhe në këtë drejtim, besoj që një prioritet i rëndësishëm, që ne nuk ia kemi kushtuar deri tani dhe për arsye, sepse vëmendja kryesore ka qenë te arsimi nëntëvjeçar, apo i mesmi dhe akoma më tepër debatet e viteve të fundit për arsimin e lartë, është pikërisht arsimi parashkollor. Vëmendja, angazhimi dhe investimi i shoqërisë dhe i shtetit në mënyrë të veçantë, për të rritur kapacitetet, për të zhvilluar inteligjencën e fëmijëve, që nga çerdhja e deri kur fillon sistemin shkollor. Kjo mendoj që është shumë e rëndësishme dhe është një investim, që shumë shpejt do të jepte rezultatet e tij për një rritje shumë më cilësore të gjithë Mendoj që do të kemi edhe shumë takime dhe tryeza të tjera për të pasur një ide dhe një program akoma më konkret. Absolutisht ky është prioriteti kryesor i një shoqërie, që ka besim tek e ardhmja, dhe meqenëse e ardhmja është e plot sfida, vetëm duke u investuar në dije dhe te gjenerata më e re, ne mund të rrisim besimin në forcat tona, se ne do ta fitojmë këtë të ardhme në radhë të parë në interesin tuaj, të të rinjve, të fëmijëve të Shqipërisë që janë gjëja më e rëndësishme në çdo familje shqiptare. 
Sigal