Qeveria miraton një sërë vendimesh të rëndësishme

481
Këshilli i Ministrave miratoi sot një sërë vendimesh të rëndësishme. Qeveria miratoi financimin e vlerës së TVSH-së dhe lejeve administrative në shumën 39 400 000 (tridhjetë e nëntë milionë e katërqind mijë) lekë, për zbatimin e komponentit të infrastrukturës dhe supervizionit për projektin strategjik “Përmirësimi i infrastrukturës ndërkufitare”, në kuadër të programit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA, Shqipëri – Mali i Zi, komponenti II.
Këshilli i Ministrave mori vendim gjithashtu për kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Drejtësisë të truallit me sipërfaqe 2 000 (dy mijë) m2, të ndodhur në zonën kadastrale 8591, që do të shërbejë për ngritjen e ndërtesës së re të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Qeveria miratoi në parim marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë, për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe shkencës.
Qeveria vendosi edhe miratimin e standardeve të shërbimeve në Qendrën Kombëtare Transitore të Emergjencës. Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e standardeve të shërbimeve të njësive të mbrojtjes së fëmijëve. Gjithashtu qeveria miratoi kriteret e tregtimit, çertifikimit dhe testimit të farës së patates. Këshilli i Ministrave miratoi edhe kërkesat për menaxhimin e mbetjeve inerte me qëllim mbrojtjen, ruajtjen dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit si dhe mbrojtjen e shëndetit publik, përmes minimizimit të ndikimeve negative.
Qeveria mori vendim edhe për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i linjës 110 kV Llapaj – Peshkopi. Këshilli i Ministrave mori vendim edhe për ngritjen e rrjetit të njësive të integrimit evropian, si strukturë e veçantë, dhe rrjetit të njësive të hartimit të legjislacionit, në përbërje të të gjitha ministrive, me qëllim përmirësimin dhe rritjen e cilësisë së hartimit të legjislacionit dhe përafrimit të tij me acquis të BE-së.
Sigal