Qeveria i hap rrugë transportit të lëndëve radioaktive në Shqipëri

49

Qeveria e
Shqipërisë i hap rrugë transportit të lëndëve radioaktive në Shqipëri vetëm pak
javë pasi ka miratuar ligjin për importimin e plehrave për industrinë
ricikluese. Rregullorja “Për transportin e sigurt të materialeve radioaktive”
mbështetet sipas qeverisë në një ligj të vitit 1995 “Për mbrojtjen nga
rrezatimi jonizues”, por që nuk bën fjalë për transportin e lëndëve radioaktive.
Qeveria ka ngarkuar Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Transportit dhe
Infrastrukturës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Komisionin e Mbrojtjes nga
Rrezatimet dhe Drejtorinë e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij
vendimi. Më herët nuk ka pasur një rregullore të tillë qoftë edhe për faktin se
qarkullimi i lëndëve radioaktive është mjaft i kufizuar vetëm në disa vende europiane
që e përdorin atë për industrinë e energjisë dhe armatimit. Transporti i tyre
bëhet me mjete të posaçme që izolojnë efektet e ndotjes nga këto lëndë. Sa herë
që lëvizja e tyre ndodh në vendet e Perëndimit mijëra aktivistë mjedisorë
organizojnë protesta dhe përleshje me policinë dhe transportuesit. Shqipëria
është e përfshirë në një valë protestash në rrugë dhe institucione për të
detyruar qeverinë të heqë dorë nga importi i plehrave, ndërkohë që qeveria në
fakt po vijon me bazën ligjore për të realizuar edhe transportin e lëndëve
radioaktive.