Prokuroria a do të hetojë të gjitha bashkitë për lejet e ndërtimit?

110
Të gjitha lejet e dhëna nga Bashkia e Tiranës, që pretendohet se janë dhënë gjatë periudhës qershor 2013-korrik 2014 do të kalojnë në sitën e Prokurorisë së Tiranës. Në një dokument që mban datën 31 korrik, 1 javë pasi ish¬kryetari Basha kishte lënë zyrën, organi i akuzës kërkon hetim të dokumenteve e lejeve të dhëna. Prokuroria argumenton se ky hetim fillon pas kallëzimit penal të AKPT (ish INUK), ku janë evidentuar një sërë shkeljesh në dhënien e lejeve të ndërtimit, ku pjesa më e madhe, plot 129 shkelje, janë për mosrespektim të procedurave për miratimin e Planit të Detajuar Vendor. Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se Bashkia po bashkëpunon me Prokurorinë në lidhje me një kërkesë të tyren për të hetuar mbi 17 leje ndërtimi, të cilat dyshohet se janë dhënë në kundërshtim me ligjin, në kohën që bashkia drejtohej nga Lulzim Basha.

 Prokuroria bën punën e saj dhe duhet të hetojë, po pyetja, përpos këtij fakti është: A do të hetojë prokuroria, paralelisht dhe njëkohësisht, edhe bashkitë e tjera për të njëjtin problem? Sepse, në të kaluarën e afërt, para disa muajsh, në prag të zgjedhjeve, u bënë fjalë për kallëzime nga institucione të ndryshme, për ndërtime pa leje në shumë bashki, si në Pogradec, Korçë, Gjirokastër, Fier, etj, por që deri më sot, ky problem është lënë në harresë, meqë edhe kryebashkiakët e djeshëm nuk u zgjodhën më. A do të bashkëpunojnë kryebashkiakët e rinj, që u zgjodhën më 21 qershor 2015, me prokurorinë që të hetojnë lejet e ndërtimit që janë dhënë nga paraardhësie e tyre? Veçse, me heshtjen e deritanishme, që hetimi nuk shtrihet edhe në bashki të tjera, mos vallë prokuroria dhe institucionet e tjera, si AKPT nuk kanë asnjë provë tjetër, që në bashkitë e tjera të vendit, deri më sot nuk janë dhënë leje ndërtimi me shkelje, si psh, mosrespektim të procedurave për miratimin e Planit të Detajuar Vendor? Sepse, kjo heshtje bie ndesh edhe me vendimin e KKT, më 31 korrik 2015, i cili pezulloi të gjitha ndërtimet, derisa bashkitë të paraqitin planet zhvillimore të tyre, I cili pikërisht, në logjikën se deri më sot janë dhënë leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin, pezullon të gjitha ndërtimet, edhe pse janë dhënë me leje ndërtimi. Nuk duam të besojmë se prokuroria bën hetime selektive, bazuar në kritere të tjera, dhe jo në bazë të ligjit, në rastin ku heton vetëm lejet e ndërtimit të bashkisë së Tiranës.