Presidenti Meta: Dita e Alfabetit, moment kyç dhe përbashkues në historinë kombëtare. Nderime për Nënë Terezën

666
Meta: Dita e Alfabetit, moment kyç dhe përbashkues në historinë tonë kombëtare.
Presidenti Meta viziton Manastirin me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, takimi të shumta, vizitë në Muzeun e Gjuhës Shqipe, pjesëmarrje në simpozium 
Presidenti Ilir Meta, ndërsa ishte për vizitë zyrtare në Maqedoni, ka shkuar edhe në Manastir me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe. I mikpritur nga Kryetarja e Komunës Natasha Petrovska, me të cilën zhvilloi fillimisht edhe një takim si dhe Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë, Hazbi Lika, Presidenti Meta vizitoi Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, pastaj mori pjesë në simpoziumin e zhvilluar me rastin e 109-vjetorit të kësaj ngjarjeje të shënuar historike për kombin shqiptar. Falënderoj vendasit për ftesën. 

“Njëqind e nëntë vjet më parë, në qytetin e vjetër të Manastirit, përfaqësuesit më të spikatur e të mençur të Rilindjes sonë Kombëtare dhe veprimtarë të shquar, të deleguar nga shoqata të ndryshme kulturore dhe atdhetare, të mbledhur në Kongresin e Manastirit, i dhanë zgjidhje një problemi madhor të kulturës kombëtare, alfabetit të gjuhës shqipe.

22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, është padyshim një nga datat më të mëdha të historisë sonë kombëtare, momenti kyç e përbashkues që e orientoi kombin tonë drejt kombeve të përparuara të botës perëndimore. Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që shënoi pikën më kulmore të organizimit politik dhe ushtarak për mbrojtjen e interesave kombëtare, Kongresi i Manastirit shënohet si ngjarja më e madhe historike e kombit tonë që do t’i paraprinte shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në 28 Nëntor 1912. Kongresi i Manastirit, vlerësohet me të drejtë për rëndësinë e tij politike e kulturore, por dy janë arritjet më kryesore të tij; akti historik i institucionalizimit të alfabetit të gjuhës shqipe dhe përqafimi i modelit të alfabetit perëndimor, alfabetit latin. Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe, jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin e për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. 36 shkronjat e alfabetit tonë përjetësuan shkrimin shqip dhe historinë e shqiptarëve në trojet ku ata historikisht kanë jetuar dhe do të jetojnë. Me alfabetin e Kongresit të Manastirit u shkrua dokumenti i Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. Me këtë alfabet u nënshkrua edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Me këtë alfabet u shkrua në shqip edhe Marrëveshja e Ohrit e 13 gushtit 2001. Me këtë alfabet shkruhet edhe liria dhe mbrojtja e respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Me këtë alfabet u hartua edhe Kushtetuta e Shqipërisë dhe neni për mbrojtjen e shqiptarëve kudo ata ndodhen, por edhe traktatet e miqësisë mes vendet fqinje. Me këtë alfabet, ne shqiptarët do të shkruajmë edhe ardhmërinë e sigurt e të plotë të të gjithë shqiptarëve. Ky është thesari më i çmuar dhe trashëgimia më e rëndësishme që të parët tanë e fituan me shumë mundim dhe në kohë të vështira për kombin tonë. Jam shumë i gëzuar që godina historike e Kongresit të Manastirit, që unë sa e vizitova, do t’i nënshtrohet restaurimit dhe do t’i rikthehet rëndësia e saj historike dhe muzeale dhe, shpresoj shumë që ky monument të kthehet në një vend pelegrinazhi për ne, veçanërisht për fëmijët tanë, të cilëve duhet t’u mësojmë më shumë për historinë tonë dhe t’iu ushqejmë dashurinë për atdheun, kombin dhe gjuhën tonë amtare”, tha Meta.

Nderim për Shenjtoren Nënë Tereza
Në kuadër të vizitës zyrtare Presidenti i Republikës Ilir Meta nderoi kujtimin e Shenjtores Nënë Tereza duke vendosur një buqetë me lule te monumenti i saj në Shkup, si dhe duke vizituar shtëpinë e lindjes së humanistes shqiptare me famë botërore.

Me krerët e partive politike
Gjatë ditës së parë të vizitës zyrtare Presidenti i Republikës Ilir Meta zhvilloi takime të veçanta me krerët e partive politike shqiptare në Maqedoni. Presidenti Meta u takua me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, me kreun e BESA-s Bilal Kasami, me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela si dhe me kreun e PDSH-së Menduh Thaçi. Gjatë këtyre takimeve Presidenti Meta vuri në dukje dhe theksoi rolin kyç të faktorit politik shqiptar për harmoninë ndëretnike në Maqedoni, si dhe nënvizoi rëndësinë që mbart bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv i të gjitha forcave politike për ardhmërinë dhe perspektivën integruese euro-atlantike të Maqedonisë. Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi i të gjithë faktorëve politikë në Maqedoni për integrimet euro-atlantike dhe sigurinë rajonale. Gjithashtu Presidenti i Republikës zhvilloi një takim të veçantë edhe me kryetarin e opozitës maqedonase (VMRO-DPMNE), Nikolla Gruevski gjatë të cilit theksoi rëndësinë që ka roli i opozitës në të gjitha proceset euro-integruese të Maqedonisë.
Sigal