Plani i ri i opozitës, mosbindja civile

472
Mosbindja civile dhe plani i opozitës pas mitingut të 27 janarit
Drejtuesit e PD, LSI dhe aleatëve shprehen të kënaqur me pjesëmarrjen, ndërsa do të zyrtarizohen hapat e ardhshëm. Diskutimet për protesta në rrethe, bllokime rrugësh e mosbindje civile 
Opozita e ka cilësuar të suksesshme protestën e 27 janarit dhe ka hedhur në tryezën e diskutimit opsionet e vazhdimit të kundërshtimit të saj ndaj qeverisë së kryeministrit Rama. Krerët e PD, LSI dhe partive aleate kanë vlerësuar pjesëmarrjen në mitingun përpara selisë së qeverisë, si dhe zhvillimin paqësor të tij, ndërsa sytë janë drejtuar nga ata për hapat e ardhshëm që do të hidhen. Burime nga opozita bënë të ditur se lëvizjet e ardhshme politike do të vendosen në një konsultim intensiv mes drejtuesve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa në tavolinë ndodhen disa opsione, që përfshijnë aksione të rëndësishme politike dhe të mosbindjes civile. Drejtuesve të opozitës u është propozuar zgjerimi i protestave edhe në qytetet kryesore të vendit. Kjo synon të shtrijë frymën opozitare edhe jashtë Tiranës dhe të ndihmojë strukturat vendore në një organizim dhe bashkëpunim më të mirë. Gjithashtu, një hap i tillë është vlerësuar me rëndësi edhe për të ardhmen e bashkëpunimit opozitar, pasi vitin e ardhshëm do të zhvillohen zgjedhjet vendore. Ndërkohë, në diskutimet e para të zhvilluara për këtë propozim nuk kanë munguar edhe kundërshtarët, të cilët vlerësojnë se presioni ndaj qeverisë duhet të vazhdojë të përqendrohet në Tiranë dhe jo të shfokusohet me grumbullime në qytete periferike të vendit. Gjithashtu, në një opsion tjetër në diskutim brenda radhëve të opozitë është edhe ai i protestës, duke bllokuar disa nga segmentet kryesore të vendit. Një vit më parë, Partia Demokratike zhvilloi një protestë të ngjashme, por tashmë ajo mund të konceptohet në një formë më të plotë për të synuar një paralizim real të qarkullimit në nyjet kryesore të transportit në vend. Sipas këtij propozimi, me një koordinim të kujdesshëm mund të zgjidhen deri në 10 nyje të rëndësishme rrugore në Tiranë e rrethe për të paralizuar për disa orë lëvizjen e automjeteve. Edhe në këtë rast, opozita po shqyrton krahas efekteve pozitive, edhe ato negative të një lëvizjeje të tillë, pasi ky veprim do të shkaktonte mjaft vështirësi te qytetarët, duke provokuar edhe pakënaqësi. 

Krahas këtyre dy rrugëve kryesore për vazhdimin e aksionit opozitar, nuk mungojnë edhe propozimet apo idetë për të përdorur të tjera forma të mosbindjes civile. Ekspertë të opozitës po elaborojnë çdo mundësi, ndërsa do të jenë drejtuesit politikë të koalicionit opozitar ata që do të vendosin. Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe aleatët e tyre nuk kanë përjashtuar edhe mundësinë e ashpërsimit të protestës, deri në ngritjen e një qeverie antimafia, ndonëse i kanë mbetur besnik zhvillimit paqësor të çdo aktiviteti. Gjithashtu, sipas burimeve, në planet e opozitës mbetet edhe një koordinim më i mirë edhe me faktorë të tjerë socialë, si ish-të përndjekurit apo studentët, të cilët kanë qenë mjaft aktivë në kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë. Forumet e grave dhe të rinisë do të mbeten edhe në ditët e javët në vazhdim ndër motorët kryesorë të opozitës, e cila mund të kulmojë lëvizjen e saj me përkujtimin e 20 shkurtit, ditës së rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës në Tiranë. Burime nga opozita bënë të ditur se funksionimi i mirë i koordinimit mes partive opozitare përpara dhe gjatë protestës së 27 janarit është një shembull i mirë për të shtuar bashkëpunimin mes strukturave përkatëse edhe në lëvizjet e ardhshme politike. Ndërsa mesazhet politike që do të përcillen për mazhorancën dhe qytetarët do të jenë vendosja përpara drejtësisë e njerëzve të krimit në politikë dhe krijimi i një qeverie antimafia. 
Protestat paqësore
Pavarësisht rrugëve të veprimit të opozitës në javët e muajt e ardhshëm, drejtuesit e PD, LSI dhe aleatëve janë dakordësuar që gjithçka të jetë paqësore. Burime nga opozita bëjnë të ditur se zërat apo paralajmërimet publike, edhe nga disa ambasada të huaja, se do të kishte trazira, u vërtetuan si të pabaza dhe ato në një farë mënyre synonin të trembnin pjesëmarrësit në mitingun e 27 janarit. Këtë e pranoi edhe vetë Ministria e Brendshme, e cila në një deklaratë të saj falënderoi pjesëmarrësit në miting. “Protesta u zhvillua në normalitet dhe pa asnjë incident, në përputhje me ligjin nr.8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”. Ministria e Brendshme falënderon pjesëmarrësit për mënyrën e qetë dhe qytetarinë e dëshmuar gjatë zhvillimit të kësaj proteste. Falënderojmë qytetarët e Tiranës për mirëkuptimin dhe durimin e dëshmuar pavarësisht vështirësive që mund të kenë hasur gjatë bllokimit të disa akseve rrugore, sot. Po ashtu, Ministria e Brendshme vlerëson bashkëpunimin me organizatorët e këtij tubimi në mbështetje të punës së Policisë së Shtetit”, theksohet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

Histori
Kulmet botërore të mosbindjes civile
“Mosbindja civile” është një ese e shkruar nga amerikani Henry David Thoreau, e publikuar për herë të parë në vitin 1849. Në këtë ese, Thoreau argumenton se individët nuk duhet të lejojnë qeverinë të sundojnë apo atrofizojnë ndërgjegjen e tyre dhe ajo që ata kanë për detyrë është mospranimi në heshtje i këtyre veprimeve që e bëjnë qeverinë t’i kthejë ata në faktorë të padrejtësisë. Në shumë raste, forca më e madhe e lëvizjeve popullore është aftësia e tyre për të mos u ndërprerë, shkruan Richard Seymor për “The Guardian”, teksa sjell 5 nga rastet e mosbindjes popullore, që sipas tij ia vlen të kujtohen.

1 – “Salt March” (Marshimi i Kripës), është ky emri që mori lëvizja e drejtuar nga Gandi kundër kolonive britanike për të kundërshtuar ligjet e monopolit të kripës, në fillim të Marsit të vitit 1930, duke shkaktuar një valë të mosbindjes civile, në një marshim që kishte për synim prodhimin e kripës dhe transportin e saj, pa paguar taksat. Sidoqoftë, britanikët e shtypën lëvizjen me forcë duke arrestuar qindra persona, ndërsa lëvizja nuk arriti të gjente edhe mbështetjen e myslimanëve të Indisë.

2 – Fushata e Extremaduras
Në Extremadura të Spanjës gjatë zgjedhjeve të vitit 1936, kandidatët e Frontit Popullor kishin premtuar reforma të shpejta mbi tokat. Pa pritur që qeveria të mbante premtimet e saj, fshatarë të papunë filluan të zaptonin pasuri të mëdha, duke nisur me 3,000 ferma në provincën e Badajozit, në të cilat u vendosën qindra fshatarë.

3 – Depresioni i madh
Në kohët e Depresionit të Madh në Amerikën e viteve ’30, punëtorë të fushave të pambukut dhe minierave të qymyrgurit u ngritën në një luftë të dëshpëruar kundër uljes së pagave dhe humbjes së vendeve të punës. Lëvizja u shtri edhe në fabrika, ku punëtorët thjesht qëndronin të ulur dhe refuzonin të lëviznin, si një mënyrë paqësore e të protestuarit.

4 – Çmontimi i sipërmarrjeve të padëshiruara
Linja e fast food-it McDonalds u mirëprit në shumë vende të Evropë, kur nisi të shtrihej në kontinent në vitin 1970. Franca ishte gjithmonë një çështje tjetër. Rrjeti tentoi të hapte një degë në Millau në vitin 1999, duke nxitur reagimin e José Bové, një fermer luftarak, i cili e çmontoi këtë degë bashkë me mbështetësit e tij, pak para se ajo të hapej.

5 – Mospagimi i taksës së votimit
Momenti më dramatik në fushatën kundër pagimit të taksës së votimit, ka qenë trazira e krijuar në qendër të Londrës në 31 Mars 1990 nga më shumë se 200,000 protestues. Policia, në mënyrë shumë të pazakontë, doli në anën e të humburve. Strategjia e protestës ishte rezistenca me çdo kusht, refuzimi i regjistrimit për taksat, kundërshtimi i urdhrave dhe në fund refuzimi i pagesës.
Sigal