Përparim Halili/ Zoti Rama, gabuat! Sali Berisha “kontribuoi” për Kosovën, duke furnizuar Milosheviçin me naftë e armë!

31

Kjo është goditje denigruese për të rënët e luftës, për të mbeturit gjallë dhe për gjithë kontribuuesit e vërtetë të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës

Në nderim të lirisë e Pavarësisë së Kosovës, Kryeministri, Edi Rama, Kryeministri, Hashim Thaçi, shumë luftëtarë e protagonistë të UÇK dhe shqiptarë të të dy anëve të kufirit Shqipëri-Kosovë, përkujtuan në Kukës 15 vjetorin e eksodit masiv të popullit kosovar, të shkaktuar prej gjenocidit të ish-pushtetit gjakatar të Milosheviçit. Ish-Kryeministri i Shqipërisë, dhëndri serb dhe (siç e shpall veten) “atdhetari” shqiptar, Sali Berisha, nuk shkoi në Kukës të përkujtonte së bashku me shqiptarët në “votrën” e mikpritjes së kosovarëve, por e përshëndeti 15 -vjetorin e eksodit kosovar nga “frëngjia” e “Facebook”-ut, duke shkruar këtë ese hipokrizie e demagogjike: “Shqiptarët sot, nderojnë një ndër datat më të dhimbshme të historisë së tyre, por njëkohësisht dhe një datë të ngadhënjimit të tyre mbi barbaritë, spastrimin etnik dhe gjenocidin serb. 15 vjet më parë, ish kasapi i Ballkanit ndërmori spastrimin etnik dhe gjenocidin kundër shqiptarëve të Kosovës. Drejt Shqipërisë u nisën rreth 1 milionë shqiptarë. Millosheviçi, me operacionin e tij “Patkoi i Kalit”, synonte të realizonte jo vetëm spastrimin etnik të Kosovës, pra ëndrrën e tij të vjetër, por edhe përhapjen jashtë kufijve të ish-Jugosllavisë në Shqipëri, të dramës së madhe njerëzore që kishte krijuar në Kosovë…”. Kjo përshëndetje e Sali Berishës, për eksodin e shqiptarëve të Kosovës është hipokrizi, madje aq sa ai nuk guxoi të shkonte atje, mbasi e di se “ç’vend” i takon në këtë përkujtim. Por, fjala është në një tjetër moment, që lidhet me pozicionin real historik të Sali Berishës, në përvjetorin e eksodit të shqiptarëve të Kosovës, prej spastrimit etnik të regjimit serb. Dje në Kukës ishte një ditë e madhe, plotë gëzim, me simbol lirie. Por ajo ç’ka e “prishi” atmosferën historike e njerëzore të kësaj date përkujtimore, ishte falënderimi dhe vlerësimi, që kryeministri shqiptar, Edi Rama, bëri në fjalën e tij zyrtare për Sali Berishën, duke e quajtur atë “kontribuues të madh e të shquar për lirinë, pavarësinë dhe shpëtimin e popullit shqiptar kosovar prej gjenocidit serb të Milosheviçit”. Shtanga kur e dëgjova! Jo se falënderimi i Edi Ramës e bëri vërtetë të tillë Sali Berishën, në raport me pavarësinë e Kosovës, por sepse prej kryeministrit të shtetit “amë”, u shpreh ajo që nuk është realitet. Të quash Sali Berishën “kontribuues të pavarësisë së Kosovës dhe kundërshtar të gjenocidit serb”, kjo është me tepër se një çmenduri. Ishte një vlerësim i padrejtë, skandaloz, i pamerituar, që krijon irritim. Nuk ka asnjë motiv, qoftë edhe minimal e banal, që ta përligj këtë falënderim të bërë prej kryeministrit Edi Rama, në favor të figurës anti-pavarësi të Kosovës dhe pro-gjenocid serb të Sali Berishës, kundër popullit shqiptar të Kosovës. Shqiptarët në mbarë Shqipërinë, në Kosovë, në botë dhe krejt ndërkombëtarët e dinë mirë, që Sali Berisha nuk ka qenë kontribuues për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por ka qenë pengues i saj. Krye-furnitori” i Milosheviçit, i falënderuari Sali Berisha, nuk ka dhënë asnjë “pikë ujë” në favor të popullit të masakruar të Kosovës në vitet e gjenocidit serb. Përkundrazi, ka qenë palë aktive partnere me Milosheviçin, në qëllimin dhe përpjekjet për të penguar pavarësinë e Kosovës, duke e furnizuar makinerinë luftarake të Serbisë me karburante, ushqime e armatime, për të vazhduar masakrimin dhe spastrimin gjenocidist të shqiptarëve të Kosovës, nga trojet e tyre. I “falënderuari” Sali Berisha, jo vetëm nuk e ka dëshiruar kurrë pavarësinë e Kosovës, por me prapaskenat, thirrjet e presionet e tij publike e politike, brenda e jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, ka luftuar agresivisht e intensivisht, për të penguar firmosjen e pavarësisë së saj në “Rambuje”. Madje ka tentuar të pengonte dhe shkuarjen atje të delegacionit shqiptar, me thirrjen: “Kush shkon e firmos për pavarësinë e Kosovës në Rambuje, quhet tradhtar i kombit shqiptar”. Zoti Rama, gabove që në 15 vjetorin e gjenocidit serb kundër shqiptarëve të Kosovës dhe eksodit të tyre masiv, shkaktuar prej këtij gjenocidi, ti shprehe nderime e falënderime për Sali Berishën, ish-kryeshtetarin që ka “damkë” turpi në historinë e luftës për pavarësinë e Kosovës! Gabove zoti kryeministër, Edi Rama, madje shumë rëndë, shumë turpshëm, mbasi Sali Berisha nuk kontribuoi për pavarësinë e Kosovës, por për bllokimin e saj.

Gabove, mbasi faktet janë ende të freskëta në kujtesën e shqiptarëve dhe tënden, që Sali Berisha ishte kontribuues në gjenocidin anti-shqiptar serb, por si mbështetës i Milosheviçit në spastrimin e kosovarëve, duke e furnizuar regjimin e tij me karburante e naftë, me infrastrukturë e ushqime, në vitet kur Serbia ishte futur nën embargo të NATO e SHBA. Zoti Rama, gabove shumë rëndë me falënderimet për Sali Berishën, duke e bërë atë padrejtësisht pjesë të luftës kundër Milosheviçit, kur dihet që ai ka qenë palë aktive i regjimit të tij. Nëse në përkujtimoren e 15 vjetorit të gjenocidit serb, do kishte një emër kryesor, që duhej përmendur me zë të lartë në listën e atyre që mbështetën gjenocidin serb kundër popullit shqiptar të Kosovës, ky është emri i Sali Ram Berishës. Zoti Rama, ti e di mirë, se përse nuk duhej falënderuar Sali Berisha në këtë 15 vjetor të eksodit të shqiptarëve të Kosovës. Sepse, në vitet kur Sali Ram Berisha ishte President i Republikës së Shqipërisë, krijoji qëllimisht firmën “Shqiponja” të PD-së, në bashkëveprim me mafien shtetërore serbe të Milosheviçit. Kjo firmë, zhvilloi në vitet 1993-1996 aktivitetin e kontrabandës së karburanteve, ushqimeve e armëve në favor të regjimit gjakatar të Milosheviçit, i cili kishte nisur gjenocidin kundër dhe spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës, nga trojet etnike shqiptare. Ju zoti kryeministër Edi Rama, e dini shumë mirë, që këtë kontrabandë karburantesh, ushqimesh e armësh, Sali Berisha e zhvillonte në prezencë dhe kundër embargos së vendosur prej NATO-SHBA ndaj regjimit serb. E megjithëkëtë, dijeni të faktit, Ju zoti kryeministër, Edi Rama, në mënyrën më absurde e të tejkaluar shpirtërisht e logjikisht, si një kundërvënie ndaj sakrificës, kontributit real, ndërgjegjes e ndjeshmërisë delikate morale e patriotike të shqiptarëve, dilni dhe shpallni e falënderoni si “kontribuues” Sali Berishën, “furnitorin” e Milosheviçit! Dhe e bëni këtë gjest absurd e skandaloz, pikërisht në ditën simbol të martirizimit të popullit kosovar prej makinerisë gjakësore ushtarake e policore serbe, e cila luftoi dhe derdhi gjak shqiptarësh, duke përdorur karburantet, armët, municionet dhe ushqimet e dërguara nga “i falënderuari” prej teje, Sali Berisha. Ju kujtoj se, këtë kontrabandë krim shtetëror, me pasojë krimin njerëzor kundër shqiptarëve, të zhvilluar prej ish-regjimit të Sali Berishës në vitet 1993-1996, nën përkujdesjen e Sali Berishës, në mbështetje të ish-regjimit gjakatar serb të Miloshoveçit, për spastrimin etnik dhe zhdukjen e popullit shqiptar të Kosovës. Ju zoti kryeministër Edi Rama, nën siglën e partisë që drejtoni, e keni denoncuar dhe dënuar publikisht ashpër, duke cituar si autor Sali Berishën. Ndërsa sot, pikërisht Sali Berishën, autorin e kësaj kontrabande krim shtetëror, në shërbim dhe mbështetje të gjenocidit të regjimit të Milosheviçit, Ju e… falënderoni dhe e vlerësoni zyrtarisht e publikisht, për “kontribut të shquar në luftën kundër gjenocidit të regjimit të Milosheviçit”!  E pafalshme është kjo “dekoratë” vlerësimi për Sali Berishë, mbasi së pari, është goditje denigruese për të rënët e asaj lufte, për të mbeturit gjallë dhe për gjithë kontribuuesit e vërtetë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës!