PD: Taulanti garant i bandave të Elbasanit për milionat e drogës. Balla: Mjerë kush ju beson juve akoma

563
Sigal

PD: Taulant Balla garanti i milionave të drogës, të një prej bandave më të rrezikshme të Elbasanit

Deputeti Balla i përgjigjet Bashës: Babale, s’ke më më këllqe as të shtrëngosh llastikun e brekusheve të rrenave

Deputetit i PD-së Enkeled Alibeaj deklaroi dje: Policia e Shtetit nuk është më më shërbim të qytetarëve dhe nuk ka më objektiv luftën kundër krimit, por mbrojtjen e pushtetit kriminal të Edi Ramës! Policia e Shtetit është shndërruar në policinë private të Edi Ramës për të mbuluar lidhjet e pushtetit të tij me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave. Pasi e vuri policinë në shërbim të trafikut të drogës së ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri; Pasi e përdori policinë për të mbuluar dhe për të mbrojtur vëllanë trafikant droge të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj; Edi Rama e përdori policinë për të fshehur të vërtetën për lidhjet e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, me milionat e eurove, para të pista të drogës. Pasi heshti për 24 orë për kapjen e detyruar të 3.5 milionë eurove të drogës, Policia private e Edi Ramës gënjeu shqiptarët për rrethanat, në të cilat drejtuesit e saj janë informuar për ngarkesën me Toyota Yaris, që po sillnin në Shqipëri milionat e parave të drogës. Policia e Shtetit është informuar nga partnerët për çdo detaj, që nga targa e automjetit transportues, marka e makinave që transportohej, ku gjendeshin paratë dhe deri kush ishte garanti i tyre.

PD-ja deklaron me përgjegjësi të plotë se:

Taulant Balla ishte garanti për hyrjen në Shqipëri pa problem të milionave të drogës, që i përkasin një prej bandave më të rrezikshme të trafikut të drogës që vepron kryesisht në zonën e Elbasanit. E vërteta është se policia shqiptare ka identifikuar ngarkesën nën presionin e një prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe është vënë menjëherë në shërbim të fshirjes së gjurmëve që do të çonin tek pronarët e vërtetë të parave të drogës.

Policia ka vepruar njësoj si në rastin e drogës së Maminasit. Ka bllokuar ngarkesën në Portin e Durrësit, duke mos u lënë partnerëve asnjë mundësi që të ndiqnin se kush do të merrte rreth 3.5 milionë euro, para që vijnë nga shitja e drogës në vendet e Bashkimit Evropian. Ky është bashkëpunimi më flagrant që një polici mund të bëjë me krimin e organizuar, duke konfirmuar plotësisht mbështetjen politike që trafiku i drogës dhe krimi kanë më Shqipëri. Edi Ramën, Saimir Tahirin, Fatmir Xhafën, Erion Veliajn dhe Taulant Ballën i lidh trafiku i drogës, pastrimi i parave dhe ndërtimi i kullave. Janë këto para të pista të drogës që po pastrojnë me betonizimin e shfrenuar në Tiranë, me shkatërrimin e Teatrit Kombëtar dhe me ngritjen e kullave në territorin e Teatrit Kombëtar. Tani, askush nuk ka më dyshime për paralajmërimet e përsëritura të Partisë Demokratike, se janë paratë e drogës, qe kanë zhvlerësuar euron në Shqipëri, që mundi i emigrantëve shqiptarë, të cilët u sjellin para familjeve këtu, kushton më pak për shkak të parave të pista të drogës. Janë paratë e drogës, janë lidhjet e pushtetit të Edi Ramës me krimin që u kanë mbyllur shqiptarëve dyert e Evropës. Për fat të mirë, shqiptarët po binden çdo ditë se e vërteta është me Partinë Demokratike dhe se me Edi Ramën ky vend nuk ka të ardhme!

Reagon Balla: Mjerë kush të beson ty akoma

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka reaguar pas deklaratës së kreut të PD Lulzim Basha, i cili u shpreh se deputeti socialist kishte dalë garant për hyrjeve e 3.4 milione eurove të sekuestruara dje në dy mjete ‘Toyota Yaris’ në portin e Durrësit. Balla shkruan: “O Babale! Mjerë kush të beson ty akoma dhe taksirati ynë që kemi përballë një opozitë që e ktheve në teatër babalesh! Je kaq i mbaruar o Babale, sa tani nuk ke më këllqe as të shtrëngosh llastikun e brekusheve të rrenave, që të bien përditë në sy të miletit dhe ti hiç s’do me dit, po vazhdon si budallai i fshatit… Hajde Babale hajde, fli gjumë tani fli se për sot e dhe shfaqjen e rënies së brekusheve ”- ka shkruar Balla.