PD: Rama mbron oligarkun lokal korrupsion e favorizim me faturat

234

TIRANE – Partia Demokratike vijon të akuzojë qeverinë me pretendimin se po merr në mbrojtje kryetarin e komunës Otllak në rrethin e Beratit, Dalip Kanaçi, pasi sipas kësaj force politike ai është debitor ndaj OSHEE-së.

Në një dalje për mediat zëdhënësja e PD Oriela Nebiaj theksoi se kryekomnari i PS, edhe pse ka biznes, faturohet me 1 kilovat, dhe ka manipuluar sahatësin matës. Nebiaj ka bërë publike sipas PD faturat që vërtetojnë akuzat e ngritura nga opozita dhe ku ka muaj në bazë të faturave ku Kanaçi nuk është faturuar aspak.

Në vijim të akuzave PD shprehet se për të njëjtat rrethana dhjetëra qytetarë janë në burg, e mijëra të tjerë pa energji elektrike.

Ndërkohë nga ana e tij kryekomunari i Otllakut, ka bërë publike faturat ku vërtetohet sipas tij se ai nuk është debitor ndaj OSHEE-së dhe se akuzat e PD janë shpifje

Më poshtë komunikata e plotë për shtyp e zëdhënëses së PD Oriela Nebiaj:

Edi Rama mori në mbrojtje oligarkun e tij lokal, kryetarin e komunës Otllak, i cili ishte jo vetëm debitor, por kishte edhe ndërhyrje në aparatin matës, manipulim, pra është hajdut energjie, sic e cilëson Kryeministri. Sot janë me mijëra qytetarë të pamundur, në të njëjtat kushte me oligarkun lokal të Edi Ramës, që janë ose në errësirë, ose në burg. Por ligji nuk vepron për kryetarin e komunës së Edi Ramës, ndaj të cilit nuk u mor asnjë masë. Kjo faturë tregon se kryetari i komunës e ka aparatin matës, dhe furnizohet me energji, jashtë kushteve teknike, pra tregon që ai ka ndërhyrë tek sahati, dëshmon korrupsion të pastër. Kjo shkresa tjetër tregon se, edhe pse ai ka biznes, është faturuar për më shumë se 1 vit, sikur të mos kishte asgjë. Edhe një poc vetëm po të linte ndezur, njeriu i Edi Ramës, do të duhej të faturohej më shumë. Fakti që ai ka një biznes, e tregon dokumenti që shprehet se kontrata është aktive dhe tipi i faturës, që është për biznes. Ka këtu katër muaj të pafaturuar fare. Ka muaj ku i janë shënuar 1 kilovat, 2 kilovat, 3 kilovat. Ja pra bota paraleleve që ka krijuar oligarkia Rama-Meta me qytetarët. Një i ri humbi jetën, një nënë humbi jetën, në përpjekje të dëshpëruara për të pasur energji, sepse nuk kanë me se të paguajnë miliona lekë që u janë faturuar në mënyrë abuzive, e miliona të tjera që janë kamatvonesat. Humbin jetën, janë në errësirë, ose në burg sepse nuk kanë një vend pune, sepse nuk trajtohen nga qeveria si kryetari i tyre i komunës. Por ky oligark lokal, nuk pëson asgjë, sepse jeton në botën paralele që ka krijuar Edi Rama, në botën me privilegje e ku nuk të kap ligji. Këtë padrejtësi, do të ndalë përballja me popullin. Këtë padrejtësi do ta ndalë protesta e qytetarëve.