PD nuk tërhiqet: Të largohet Rama, qeveri teknike

55
Deputetët demokratë zhvillojnë një video-konferencë me drejtues të BE dhe PPE. Basha zbulon ofertat

Partia Demokratike vendosi të mos tërhiqet nga kërkesa e saj për një qeveri teknike dhe largimin e kryeministrit Edi Rama. Pas një mbledhjeje të tensionuar të grupit parlamentar demokrat, u mor vendimi që të këmbëngulet në kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë. Deputetët demokratë zhvilluan edhe një video-konferencë me komisionerin për Zgjerimin, Johanes Han dhe drejtuesin e Partive Popullore Evropian, Jozef Daul, por qëndrimi i tyre mbeti i njëjtë, ndërsa nuk munguan edhe zërat kundër që kërkuan pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Duke folur pas mbledhjes së grupit, kryetari demokrat, Lulzim Basha, zbuloi edhe detaje të negociatave të zhvilluar javën e shkuar me eurodeputetët. “Propozimet që na erdhën ishin këto: Shtyrja e zgjedhjeve më 16 korrik, zëvendësimi i 4 ministra aktual me 4 ministra të zgjedhur nga Edi Rama, si dhe një paketë mikse, ku theksi ishte tek dëshira për të parë një zgjedhje me konsensus të Presidentit, Avokatit të Popullit, si dhe Kreut të KQZ-së. Oferta jona ishte tjetër. Prania e 4 ministra është e pamjaftueshme, pasi Edi Rama ka provuar këto 4 vite të blejë deputetë të opozitës apo dhe të LSI-së”, tha Basha. Sipas tij, Rama nuk do të kishte asnjë problem të tjetërsonte 4 ministra teknikë, në 4 persona të bindur të Edi Ramës.

Në të njëjtën kohë, kreu demokrat tha se çështja e kreut të KQZ-së ishte e parëndësishme për opozitën, ndërsa ai theksoi se PD nuk ka kërkuar të përfshihet në bisedime për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. 

Më tej kreu i opozitës tha se ishte i gatshëm të hiqte dorë nga beteja morale, nëse Edi Rama jep dorëheqjen. “Partia Demokratike është e gatshme të heqë dorë nga pjesa morale e kësaj beteje, përgjegjës për të cilën është Edi Rama dhe Partia Socialiste, në momentin që ata bashkohen me ne, përmes një qeverie teknike. Largimi tij mjafton si garanci, Edi Rama refuzon, mban peng një Shqipëri të gjithë”, ka deklaruar Basha. Sipas tij, u hoqën paralele me edhe Maqedoninë. “Theksova qartësisht se kjo duhet të shërbejë për të mos pasur dy standarde. Në një vend, ku prodhohen përgjime dhe në një vend, ku ne tregojmë ujkun dhe jo gjurmët, drogën në sheshe; Në rastin e parë shkohet drejt qeverisë teknike, në rastin e dytë ngurohet të shkojmë në qeveri teknike”, nënvizoi Basha. Ai u shpreh se është e papranueshme që të cilësohet opozita si problemi. “Për sa i përket problemit të drogës, jo vetëm që garantova të jemi aleat të Evropës, por jemi të mirëpritur për këtë hap gjigant që duhet të hedhim. Ndërkohë, qëndrimet tona kanë qenë këto, nuk kemi pasur asnjë propozim nga qeveria dhe kryeministri që janë përgjegjës për zgjedhjet. Çfarë do të bësh me kriminelët në administratë? Çfarë do të bësh për drogën dhe bosët e drogës? Çfarë do të bësh për shtetin që është kthyer në garnizon elektoral? Edi Ramës i kërkohet dorëheqja”, këmbënguli Basha.

Gjithashtu Basha tha se PD është në këtë betejë për qytetarët shqiptarë dhe “nëse ne tradhtojmë këtë kauzë, shumica kanë të drejtën ta trajtojnë si fatalitet, siç ka ndodhur me largime masive”.

Kreu demokrat nënvizoi se kjo do të jetë platforma, me të cilën PD do të jetë e gatshme për t’u ulur në tryezën e kërkuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. 
Përgjigjja për “rebelët” e selisë blu
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u është kundërpërgjigjur edhe zërave kritikë brenda selisë blu. Një përgjigje ka pasur kryedemokrati për Majlinda Bregun, Eduard Selamin dhe Jozefina Topallin, të cilët kërkuan mbledhjen e forumeve dhe e cilësuan si të gabuar vendimin për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në një deklaratë për mediat, lideri i opozitës pohoi se ka një grup njerëzish fanatikë brenda Partisë Demokratike, që sipas tij duan ta djegin partinë. “Ka tre grupe njerëzit; shoh një grup njerëzish fanatikë që duan ta djegin PD, një grup që shkojnë në shtëpi pa lekë, pa asnjë shpresë dhe një pjesë të dëshpëruarish që janë të larguarit nga Shqipëria”, tha Basha.