PD nesër bojkot të pjeshëm në Kuvend

395
Sigal

 

Demokratët
kanë vendosur të bojkotojnë pjesërisht seancën e nesërme parlamentare ku pritet
të votohet ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Burime
brenda grupit parlamentar të PD-së, konfirmojnë për BalkanWeb se është lënë në
fuqi vendimi i fundit që mos të miratojë ligjet e qeverisë përfshi edhe ligjin
e fundit që përmbyll paketën e reformës në Drejtësi.

Projektligji
për organet e qeverisjes së drejtësisë është ndër më voluminozët e reformës në
drjetësi, me 198 nene, por sipas Partisë Demokratike ai është ligji me më shumë
shkelje kushtetuese sesa çdo draft që është hartuar deri tani.

Nënkryetari
i komisionit të posacëm për reformën në drejtësi, Oerd Bylykbashi është shprehur
se me ligjin e paraqitur ka një deformim flagrant të Kushtetutës, pasi Kuvendit
i hiqet ekskluziviteti i emërimit. Sipas demokratëve, projektligji eliminon
kriterin kushtetues të konkurimit të hapur të një profesioni të caktuar, duke
risjellë amendamentin e dikurshëm, sipas të cilit Dhoma Kombëtare e Avokatisë
apo një mbledhje pedagogësh kanë të drejtën e propozimit të kandidaturave. Për
Partinë Demokratike, kjo është e papranueshme.

Me këtë
fjali opozita përshkruan edhe heqjen e së drejtës së presidentit për të
organizuar shortin e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në
Drejtësi, si dhe të paktën 4 çështje të tjera që lidhen me të 4 insitucionet e
reja të drejtësisë, objekt i ligjit në diksutim. Projektligji “Për organet e
qeverisjes të sistemit të drejtësisë në Republikën e Shqipërisë”, është
përfshirë në rendin e ditës në seancën e nesërme të Parlamentit. Ky ligj kërkon
shumicë të cilësuar për t’u miratuar. Drafti i këtij projektligji është pjesë e
paketës prej 7 ligjesh të Reformës në Drejtësi, ishte i vetmi që nuk u votua në
seancën e 6 tetorit, bashkë me pesë ligjet e tjera, që do ta bëjnë të
zbatueshme paketën kushtetuese të miratuar me konsensus ne seancën e 22
korrikut./BW/