PD: Kompani pranë qeverisë hedhin ilaçe të skaduara në treg

386
Sigal

Gazeta Telegraf/

 “Disa depo farmaceutike
marrin barna nga jashtë në prag të skadencës dhe paguhen për ti shkatërruar
këtu në Shqipëri”. Kështu deklaron deputetja demokrate Albina Deda e cila më
parë ka punuar si mjeke. Ajo ka hedhur akuza të rëndë, por nuk ka permendur
emrat e depove që kryejnë këto manovra. “Disa depo farmaceutike marrëdhëniet me
furnitorët e tyre jashtë i kanë në kushte ku firma shqiptare kontraktohet (duke
u paguar) për ti marrë medikamentet për ti shkatëruar pasi janë shumë afër
skadencës”, tha ajo. Por jo vetëm kaq. Ka edhe medikamente që u ndryshohet data
e skadencës dhe hidhen ne treg: “Produktet hyjnë në tregun shqiptar, u bëhet
ndryshimi i datës së skadencës mbi ambalazhim dhe më pas tregtohen. Në këtë
mënyrë jeta e pacientëve është e rrezikuar”. Sipas saj, në tregun farmaceutik
shqiptar janë mallrat më të këqija në Europë, kjo sepse kështu e orientoi
tregun Ministria e Shëndetësisë. “Ulja e marzhit të fitimit për medikamentet ka
sjellë që depot farmaceutike të orientojnë importimin e medikamenteve nga
vendet e zhvilluara perëndimore drejt vendeve të lindjes apo aziatike si India.
Për të mos dalë me humbje grosistët veprojnë në kurriz të cilesisë. Tregu
shqiptar farmaceutik po mbushet me produkte të lira dhe aspak cilësore”, vijoi
Deda. Ka një larmishmëri medikamentesh të cilat janë shumë cilesore por që QKKB
nuk i autorizon, pra nuk i jep të drejtë për ti importuar asnjë depoje
farmaceutike. Këtu deputetja përmend: Advil, flagyl apo medikamente e kremra të
ndryshme gjinekologjike, etj. Mjekët i shkruajnë shpesh në receta këto
medikamente duke bërë që të lulëzojë tregu i zi, pra futja kontrabandë e
produkteve cilësore, vijoi me tej Albina Deda duke denoncuar fenomenin. Ajo tha
se kjo është një vepër kriminale.