PD e shqetësuar për Vetingun, letër drejtueses së ONM , Donald Lu e Vlahutin

591
Denoncohet shkurtimi me rreth 40 % i numrit të punonjësve të organeve të Vetingut, pa dakordësinë e vetë këtyre organeve duke miratuar gjithsej vetëm 110 punonjës
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho u ka dërguar një letër të gjithë ambasadave në vendin tonë, ku në fokus është: Ngritja e organeve të vetingut dhe pretendimi se po sabotohet zbatimi i reformës në drejtësi. Më konkretisht letra i drejtohet Genoveva Ruiz Calavera, drejtuese e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ambasadës së SHBA në Tiranë, delegacionit të Bashkimt Europian dhe gjithë ambasadave të vendeve të BE-së. Në letrën e tij Spaho thotë, se organet e reja të vettingut i paraqitën Kuvendit të Shqipërisë propozimin për miratimin e strukturave të tyre, duke argumentuar nevojën për staf administrativ dhe mbështetës, me një numër total punonjësish 185 për të tre organet prej. Më tej bën me dije se në këtë numër përfshihen 21 anëtarët e tre organeve të vetingut, 42 këshilltarët e Njësisë së Shërbimeve Ligjore, 12 përkthyesit, si dhe stafi mbështetës dhe administrativ. Po ashtu numri i personelit ishte vlerësuar si i domosdoshëm për funksionimin autonom dhe eficient të organeve të vetingut, prej vetë këtyre organeve në relacionet shoqëruese që i kishin përcjellë Kuvendit, duke ruajtur një raport të drejtë midis stafit që do të përfshihet drejtpërdrejtë në procesin e rivlerësimit, me numrin e stafit mbështetës dhe administrativ, sipas raportit të ndjekur edhe nga vetë struktura e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Spaho denoncon se mazhoranca në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, pa dakordësinë e vetë organeve të reja të vetingut, vendosi të shkurtonte me rreth 40 për qind numrin e punonjësve, duke miratuar për të tre organet gjithsej 110 punonjës. Kjo strukturë e re, thotë ai, e hartuar nga mazhoranca në Komisionin e Ligjeve, edhe pse nuk gjeti dakordësinë e vetë organeve kushtetuese të vetingut, u miratua po me votat e mazhorancës në seancën plenare të datës 28 Shtator 2017. “Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj se shumica e drejtuesve të këtyre institucioneve të pavarura, jo vetëm u shprehën kundër këtyre ndryshimeve, por theksuan se me ndryshimet e miratuara, po cenohen efikasiteti i punës së organeve të pavarura kushtetuese, të ngarkuara me detyrën e realizimit të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, shkruan më tej Spaho. Sipas tij, marrja përsipër nga ana e Kuvendit, që të strukturojë organet e pavarura kushtetuese, duke ulur me 40 për qind numrin e punonjësve të kërkuar prej tyre, është pa asnjë dyshim, cenim i parimit kushtetues të pavarësisë organizative/funksionale të këtyre organeve. Ai thotë se Kuvendi, nëpërmjet këtij vendimi, i ka diktuar mënyrën e organizimit organeve të pavarura, duke mos pranuar kërkesën e tyre për personel të mjaftueshëm për realizimin e detyrës. Po ashtu shprehet, se një veprim i tillë, bie ndesh jo vetëm me nenin 18 të ligjit nr. 84/2016, për shkak se struktura që po miratohet nuk është propozim i vetë organeve të rivlerësmit (siç e kërkon ligji), por nga ana tjetër, kjo bie ndesh edhe me pikën 6 të nenit 179/b të Kushtetutës dhe pikën 14 të nenit C të Aneksit të Kushtetutës, ku theksohet se: “Komisioni dhe Kolegji i Apelimit janë të pavarur dhe të paanshëm”, si dhe “Komisioni, Kolegji i Apelimit dhe Komisionerët Publikë kanë buxhet, administratë dhe mjedise të mjaftueshme për të kryer funksionet e tyre si dhe për ushtrimin e funksioneve të vëzhguesve ndërkombëtarë, sipas ligjit”. Nga këto parashikime kushtetuese dhe ligjore, Spaho shprehet se, arrihet të evidentohen dy elementë themelorë që duhet të mbaheshin në konsideratë nga Kuvendi: 

Së pari, Kushtetuta dhe ligji i siguron institucioneve të rivlerësimit personelin e nevojshëm për të përmbushur detyrat. Për pasojë, Kuvendi është i detyruar nga Kushtetuta dhe ligji, që të sigurojë stafin e nevojshëm për organet e rivlerësimit. Çdo ndryshim në strukturat e propozuara nga organet e rivlerësimit, duhet të bëhet në bashkëpunim dhe dakordësi të plotë me vetë këto organe të pavarura. 

Së dyti, edhe pse struktura miratohet nga Kuvendi, propozimi për këtë strukturë duhet të vijë nga vetë organet e rivlerësimit. Propozimi i akteve nga vetë organet e rivlerësimit, nuk është aspekt formal i parashikuar nga ligji, por lidhet me dy aspekte të rëndësishme, që kanë të bëjnë me pavarësinë organizative të organeve të rivlerësimit, si dhe vlerësimin e tyre të pavarur mbi nevojat që kanë për personel me qëllim ushtrimin e funksionit. Kuvendi, është përfshirë në këtë proces, me qëllim që të verifikojë nëse organet e rivlerësimit kanë ose jo mjaftueshëm personel për realizimin e detyrës funksionale, dhe kurrsesi për të mos pranuar kërkesën e organeve të pavarura për burime njerëzore. 

Ai vijon duke thënë se qëndrimi i PD, është se Kuvendi ka detyrimin kushtetues të mbështesë veprimtarinë e organeve të rivlerësimit, duke i mundësuar atyre të gjithë mbështetjen me burime njerëzore dhe financiare që kërkohet. Ajo që mund të bëjë Kuvendi është që në diskutim dhe dakordësi me organet e pavarura, të bëjë një shpërndarje të drejtë të burimeve njerëzore të kërkuara, duke vendosur theksin tek efikasiteti i procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vijon më tej Spaho. Ai shton, se në strukturën e miratuar vetëm me votat e shumicës në Kuvend, rezulton se është ulur numri i punonjësve të Njësisë së Shërbimeve Ligjore, krahas uljes së numrit të punonjësve të tjerë mbështetës të organeve të rilverësimit. Edmond Spaho deklaron se organet e rivlerësimit nuk mund të marrin të mirëqena informacionet dhe relacionet e përgatitura nga organet e treta nën ndikimin e Qeverisë. Në këtë linjë thotë se, mungesa e mbështetjes me burimet e mjaftueshme njerëzore do të sillte vënien përpara faktit të kryer të organeve të vetingut, nëpërmjet informacioneve të përgatitura nga institucionet e treta nën varësinë apo ndikimin e Qeverisë, të cilat do të ishin të pamundura të verifikoheshin nëse ka mungesa të burimeve të nevojshme njerëzore.
Sigal