Parlamenti të shpërndahet, duhen zgjedhje të reja

712
Sigal

Flasin Paskal Milo, Mimi Kodheli dhe Arben Malaj: Qeveria ka përgjegjësi për situatën e krijuar. Ky parlament është “de fackto” i përçudnuar. Rilindja sa mori pushtetin u shkëput nga programet sociale

Edhe ish-ministrja Kodheli rebelohet kundër kryeministrit Rama: Qeveria ka përgjegjësi për situatën e vendit

Aleati i Ramës, Milo: Parlamenti të zhbëhet, të shkohet në zgjedhje të reja

Jakup B. GJOÇA

Po shtohen zërat kundër politikës qeverisëse të kryeministrit Rama. Para disa ditësh, Arta Dade, një nga eksponentët më me personalitet të PS-së, ish-ministre e Jashtme e PS-së, ish-kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit, kritikoi publikisht kryeministrin Rama për katandinë e qeverisjes dhe të PS-së, duke u shprehur, se Edi Rama nuk dëgjon asnjë, prandaj ka ardhur koha, që PS-ja të rithemelohet nga e para. Dje, ishte Mimi Kodheli, ish-ministrja e Mbrojtjes, dhe kryetare e Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme, reagoi ashpër kundër qeverisjes së tanishme të kryeministrit Rama. Sipas Kodhelit, mazhoranca ka përgjegjësitë e veta për ngërçin dhe situatën politike në vend. Kodheli shkon edhe më tej kur thotë se, “Mua më vjen shumë keq që retorika politike e ka sjellë vendin në këtë derexhe”, ndërsa shton se nuk është mirë që gjithçka po ndodh në prag të vendimit për negociatat. “Qeveria duhet të ndjejë përgjegjësi për të gjitha situatat e krijuara në vend, problemi është që qeveria nuk është aktori dhe faktori i vetëm i jetës politike, ndaj në një demokraci funksionale duhet që të dyja anët e ekuilibrit politik të funksionojnë në mënyrë që gjërat të shkojnë më mirë se ç’duhet. Patjetër që qeveria ndjen dhe ka përgjegjësitë e veta. Mua më vjen shumë keq që retorika politike e ka sjellë vendin në këtë derexhe. Në të gjitha momentet e rëndësishme, kush ka ditur të tregohet burrë apo grua shteti apo forcë politike serioze e ka demonstruar këtë përtej gjithë retorikës politike dhe vështirësive që ka pasur në atë moment politika. Të krijohet ideja sikur ka një acarim social që nuk është e votuesve por e politikës në momente kyçe siç është hapja e negociatave”, është shprehur Kodheli, e cila është një prej njerëzve më të afërt të kryeministrit Edi Rama që prej kohës kur drejtonte Bashkinë e Tiranës.

Milo: Parlamenti i sotëm duhet të shpërndahet

Aleati i Kryeministrit Rama, Paskal Milo, kryetar i PDS-së, u shpreh dje se parlamenti i sotëm, ku nuk është më opozita duhet të shpërndahet dhe duhet të shkohet në zgjedhje të reja me një kod të ri elektoral. Milo: Parlamenti shqiptar sot de jure është legjitim, por de facto është i përçudnuar. Ata deputetë që kanë pranuar të shkojnë atje në emër të legjitimitetit, në brendësi të ndërgjegjes së tyre ndihen jo komod përballë një opinioni që gjithmonë e më shumë po krijohet bindja se sa më shpejt të gjendet zgjidhja, aq më mirë është për Shqipërinë. Një Parlament i tillë me një përbërje të tillë duhet të zhbëhet përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me një sistem tjetër dhe me një ligj tjetër, nëse mendojmë për Shqipërinë.

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe Kryeministri Edi Rama, gjate nje seance parlamentare, ku eshte miratuar me 84 vota pro te maxhorances, projektligji per ndryshimet ne Kodin e Procedures Penale dhe projektligji Per dhenie amnistie.

Mimi Kodheli: Qeveria duhet të ndjejë përgjegjësi për të gjitha situatat e krijuara në vend, problemi është që qeveria nuk është aktori dhe faktori i vetëm i jetës politike, ndaj në një demokraci funksionale duhet që të dyja anët e ekuilibrit politik të funksionojnë.

Paskal Milo: Parlamenti shqiptar sot de jure është legjitim, por de facto është i përçudnuar. Një Parlament i tillë, me një përbërje të tillë duhet të zhbëhet përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me një sistem tjetër dhe me një ligj tjetër, nëse mendojmë për Shqipërinë

Prof. Arben Malaj: “Rilindja Socialiste është shkëputur nga programet sociale”

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj deklaroi se qytetarët shqiptarë duke qenë se të afërmit e tyre janë integruar në shumë vende të zhvilluara të botës, e shohin më të arsyeshme të ikin nga vendi se sa të rezistojnë dhe kërkojnë ndryshimin. Duke folur për aktualitetin politik në vend, ish-ministri Arben Malaj tha se duhet politika duhet të tregohet e kujdesshme për të shmangur konflikte civile siç kanë ndodhur në të shkuarën. “Duhet eliminuar mundësia e një konflikti civil siç ndodhi në ’97-n. Vendi ka shumë mënyra demokratike për të ndryshuar situatën. Ndryshimet e mëdha i bëjnë ata që vijnë, dhe po marr rastin e Tsipras në Greqi, kur fitoi vetëm 5% të votave në garën për bashkinë, por ai vendosi të krijojë një parti dhe fitoi zgjedhjet e përgjithshme”, deklaroi Malaj. Pyetjes se, a e ka mbaruar misionin e saj ‘Rilindja’, ish-ministri socialist iu përgjigj: “Të majtët, është kthyer në traditë se, pasi vijnë në pushtet shkëputen nga programet sociale, dhe kjo ka ndodhur dhe po ndodh edhe në vendet evropiane. Dhe këto modele qeverisëse ndikojnë negativisht në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve diçka që shkakton pakënaqësi”. Malaj tha gjithashtu, se në debatin publik të partive politike ai sheh një ideologji dhe nuk sheh të paraqesin një program për formimin e një shteti me formim ligjor dhe me baza të forta ligjore.