Paralizohet qeveria, Rama nuk mbledh dot ministrat

364
Prej një muaji, Këshilli i Ministrave nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje, ndërsa në zyra mbeten vetëm teknikët

Punët e ekzekutivit duket se janë paralizuar plotësisht dhe e gjithë vëmendja është hedhur te fushata elektorale. Prej një muaji, qeveria nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje, duke miratuar vetëm një vendim qarkullues. Këshilli i Ministrave ka zhvilluar mbledhjen e tij të fundit më 22 maj, pikërisht në ditën kur ministrat e rinj teknikë po votoheshin në Kuvend. Por pas kësaj, shefi i qeverisë nuk ka zhvilluar asnjë takim me anëtarët e rinj të kabinetit, ndërsa të gjithë ministrat e tjerë janë shpërndarë në fushatë. I vetmi vendim i qeverisë, pas marrëveshjes politike PS-PD, mbetet ai për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor. Sipas qeverisë, me këtë vendim synohej nxitja e paanshmërisë dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore dhe burimet e saj, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike në procesin elektoral, si dhe për mospërdorimin e fondeve dhe burimeve publike për qëllime partiake. Ndonëse në kulmin e fushatës zgjedhore është arritur të zhvillohet edhe një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, nuk është realizuar asnjë mbledhje e Këshillit të Ministrave. Ministrat socialistë, ata të LSI-së dhe teknikët e propozuar nga PD-ja nuk kanë mundur të ulen asnjëherë pranë njëri-tjetrit dhe të udhëhequr nga Edi Rama. Ndërkohë, përfaqësuesit e PS-së dhe LSI-së në qeveri janë angazhuar intensivisht në fushatë, duke lënë në zyra vetëm teknikët, të cilët e nisën punën një muaj më parë. Prej fundit të muajit mars, Edi Rama nuk ka qenë në drejtim të kabinetit të tij. Në mbledhjen e zakonshme, çdo të mërkurë, prej 29 marsit dhe deri më 22 maj, qeveria është mbledhur nën drejtimin e zv/kryeministrit Niko Peleshi, ashtu siç ka ndodhur edhe shumë herë gjatë viteve të fundit. Janë rreth 200 akte të Këshillit të Ministrave, në shumë mbledhje rresht, që nuk mbajnë firmën e Edi Ramës, por atë të zëvendësit të tij. Të gjitha këto akte mbajnë në fund shënimin “EDI RAMA. Në mungesë dhe me porosi ZEVENDESKRYEMINISTRI NIKO PELESHI”. 

Megjithatë ky rregull u prish me largimin e Peleshit dhe zëvendësimin e tij me Ledian Mandiajn, të propozuar nga Partia Demokratike. Rama nuk delegoi më drejtimin e mbledhjeve të qeverisë, duke mos i mbledhur fare ministrat. Ndonëse delegimi i të drejtës për të udhëhequr mbledhjet e qeverisë është i parashikuar nga ligji, kryesimi i Këshillit të Ministrave është kompetenca e parë që Kushtetuta i njeh kryeministrit. Sipas juristëve të konsultuar, në nenin 102 të Ligjit Themeltar shkruhet se kryeministri “përfaqëson Këshillin e Ministrave dhe kryeson mbledhjet e tij”. Për shkak të axhendës apo për një zgjedhje të tij, Edi Rama ka preferuar ta anashkalojë shpeshherë këtë kompetencë. 

E.M
Boks
Akuzat e Manjanit dhe hetimet

Prokuroria e Përgjithshme deklaroi pak muaj më parë se ka nisur hetimet kryesisht për falsifikim të dokumenteve shtetërore. Këtë fakt e ka konfirmuar në muajin shkurt kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili gjatë një interviste televizive tha se hetimi nisi pas deklaratës së ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani. “Po, ka nisur hetimi kryesisht”, u shpreh Llalla. Ylli Manjani deklaroi pas largimit nga qeveria se kryeministri Edi Rama ka marrë vendime pa bërë fare mbledhje qeverie. Manjani përmendi rastin e vendimit për shkarkimin nga detyra të kryetarit të bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, në fund të muajit dhjetor 2016. Sipas ish-ministrit të Drejtësisë, disa nga kolegët e tij në atë ditë që është marrë vendimi nuk kanë qenë fare në Shqipëri. Megjithatë nuk dihet ecuria e hetimeve të nisura nga prokuroria për vendimet qarkulluese të qeverisë.