Pakti PD-PS, Kukan në Tiranë: Dialogu i rëndësishëm, arrijeni!

33

TIRANE – Në misionin e tij për të ndërmjetësuar marrëveshjen mes të majtëve dhe të djathtëve dhe dhënien fund të bojkotit 5-mujor të opozitës, eurodeputeti Eduard Kukan takoi mëngjesin e kësaj të hënë në Tiranë liderët politikë, brenda 3 orëve.

Takimi i parë nisi në orën 08:00 të mëngjesit me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha ku për rreth 50 minuta Kukan dëgjoi kërkesat për rikthimin e demokratëve në Parlament. Sipas deputetit të Parlamentit Evropian, dialogu politik është i rëndësishëm për rrugën që vendi ynë po ndjek drejt Bashkimit Evropian.

Pas takimit tetë a tetë me Bashën, eurodeputeti mbërriti në kryeministri rreth orës 09:00 ku takoi kreun e qeverisë Edi Rama përreth 40 minuta. Në përfundim të takimit, Kukan nuk mbajti prononcim për mediat ndërsa iu drejtua selisë se Kryesisë së Kuvendit ku takoi kryeparlamentarin Meta, përreth 40 minuta.

Edhe largimi nga Kuvendi ka qenë pa një prononcim për media të të deleguarit të PE-së, ndërsa i vetmi nga liderët politikë që ka zgjedhur të komentojë takimin dhe të japë detaje për publikun, ishte kryeparlamentari Meta.

Takimet e deputetit të Parlamentit Europian me liderët e politikës shqiptare pritet të jenë vendimtarë për zgjidhjen e ngërçit politik, ku pritet të dalë një marrëveshje konkrete për rikthimin e opozitës në seancën e 24 dhjetorit në Parlament.

Kukan takon per 50 minuta Bashen: Dialogu i nevojshëm për BE-në, po diskutojme për marrëveshjen
Pas takimit përreth 50 minuta me Lulzim Bashën në selinë blu, eurodepeti Kukan u shpreh për mediat se ardhja e tij në Tiranë ishte me misionin për të vijuar bisedimet e nisura tre ditë më parë nga kolegu i tij, eurodeputeti Fleckenstein, për “të pajtuar” opozitën me mazhorancën. Kukan tha se dialogu politik është i rëndësishëm për rrugën e vendit tonë drejt BE-së. Ashtu si Fleckenstein, edhe Kukan shprehet optimist se këtij ngërci politik do t’i jepet fund.

“Unë erdha për të vazhduar bisedimet që u nisën nga Fleckenstein, kolegu nga Parlamenti Evropian dhe pata takime me liderët politikë me qëllimin për të arritur një dialog politik në Shqipëri, gjë që është shumë e rëndësishme për vendin në vazhdimin e procedurave për rrugën drejt Evropës në mënyrë të suksesshme. Kjo është ajo çfarë po bëj tani, jam në një kontakt të vazhdueshëm me Fleckentesin pasi duam të veprojmë dorë më dorë me shpresën për të pasur një rezultat, e për t’i dhënë fund këtij ngërçi”, tha Kukan. 


Vizita e Kukan mbledh grupet e PD dhe PS
Në përfundim të takimeve me Kukan, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë njoftuar mbledhjen e grupeve respektove parlamentare, që pritet të zhvillohen në orën 13:00, në selinë e demokratëve dhe atë të socialistëve.

Takimet e Kukan pasojne bisedimet e Fleckenstein tre dite me pare
Këto takime pasojë bisedimet e zhvilluara tre ditë më parë nga eurodeputeti Knut Fleckenstain me krerët e politikës shqiptarë, për të njëjtin qëllim, arritjen e marrëveshjes mes PS-së dhe PD-së.
 
Pak orë para mbërritjes në Tiranë, Kukan zbuloi edhe pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje, e cila pritet të risjellë opozitën në jetën parlamentare.
 
Nderkombetaret ndermjetesim per dekriminalizimin e Kuvendit
Krahas kërkesave të realizuara deri më tani nga mazhoranca, pikat që përbëjnë shtyllën kryesore të marrëveshjes që do të nënshkruhet mes palëve nën garancinë e ndërkombëtarëve do të jenë ato që kanë të bëjnë me një bashkëpunim intensiv për politikat integruese dhe drafti për dekrenalizimin e parlamentit. Kukan së bashku me negociatorin tjetër Flenkeshtein janë shprehur që në fillim të herës që nëse do të ekzistojë vullneti i mirë, faktori politik do të arrijë të nënshkruajë marrëveshjen që do të rikthente opozitën në Parlament.
 
Gjatë ditëve të fundit, PD ka nënvizuar ligjin për dekriminalizimin e Parlamentit si kushtin kryesor për rikthimin e opozitës në Kuvend, ndërkohë që përfaqsëuesit e mazhorancës kanë dhënë garancinë se nëse ligji do të ofrohet brenda 3 muajve të parë të vitit 2015, do ta kalojnë për votim.

Kerkesa e demokrateve dhe pozicionimi i mazhorances
Nevojën për ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve në marrëveshjen që pritet të nënshkruhet me mazhorancën e bëri kreu i opozitës Lulzim Basha. Nga ana tjetër, Kryeministrin Edi Rama ka pranuar që të firmosë çdo marrëveshje që do të sillte opozitën në Kuvend me qëllim që kërkesat të hartoheshin në mënyrë ligjore dhe të ishin konform kushtetutës. Gjithashtu Meta shtyu me një javë përmbylljen e këtij sesioni parlamentar, duke i dhënë mundësi negociatorëve “Kukan-Flenkeshtein të bindnin opozitën që në 24 dhjetor të ishte në Kuvend.