Një lopë këmbehet me 25 mijë vota

509
Sigal

 Lufta e liderëve është kthyer në konkurrencë të miliarderëve. Partitë zgjidhin qeset, në lojë edhe delet apo kafshët shtëpiake. Një lopë këmbehet me 25 vota

Nëse në zgjedhjet e kaluara ka mbizotëruar lufta e nervave, apo përplasje alternativash, zgjedhjet e 23 Qershorit do të cilësohen si lufta e milionave, ose përplasje miliarderësh. Këtë radhë, thesi i partive politike është zgjidhur qysh tani në mënyrë emergjente dhe midis etheve të rënda të liderëve partiakë, do të derdhen sasi të tilla parsh, me të cilat mund të konstruktohen të gjitha shkollat, spitalet dhe rrugët e Shqipërisë. Nga ana tjetër, kandidatët e pavarur, po konkurrojnë në mënyrë dinjitoze dhe gati të barabartë me financat e koalicioneve, por ata përveç parave të thata në dorë, këtë radhë kanë futur në përdorim edhe listën e kafshëve shtëpiake, si viça, dele, dhi, ose lopë. Por këto të fundit vetëm për fiset e mëdha në zonat rurale, ku me një lopë mund të sigurojnë më shumë se 20-25 vota. Ndërsa, një qengj është i barabartë me një votë, apo ku një dele ekuivalencohet me dy të tilla. Por në këtë luftë të çmendur janë futur në kontingjentin e kompensimit edhe elementët e fundit elektronikë, si celularë, kompjutera, kamera të markave të fundit, etj., të cilat në pazarin përfundimtar, do të konvertohen sipas çmimit të votës dhe sipas numrit të personave që do t’u garantojnë partive, votat e tyre.

Lufta në Qarkun  e Tiranës

Daullet e fushatës elektorale do të bien në Tiranë, por dasma e vërtetë dhe rezultati përfundimtar do të caktohen nëpër zonat e tjera të vendit. Kjo sepse të gjitha parashikimet e specialistëve, janë të mendimit se Tirana do të ndajë 32 mandatet e veta, midis dy koalicioneve në masën 16 me 16. Qysh tani thuhet se, në Qarkun e Tiranës, ankandi i votës ka kapur shifrën fillestare prej 150 mijë lekësh, të vjetra. Për këtë arsye PD dhe PS kanë filluar të luajnë fort në luftën për blerjen e votës, edhe për faktin se këtu nuk ka mundësi të tjera manipulimi, si p.sh,  nëpërmjet vjedhjes së votës, apo blerjes së komisionerëve. Prandaj, lufta do të bëhet derë më derë dhe kokë për kokë. Madje, përveç lekëve shqiptarë, këtu po flitet gjithmonë e më shumë  edhe për euro dhe dollarë, etj., për personat që kanë shtëpi ose punë jashtë shtetit.

Skema

Skema është e thjeshtë nëpërmjet sekserëve partiakë. Çdo kryefamiljari i gjendet një njeri i besueshëm i partisë dhe ai i propozon masën prej 150 mijë lekësh, për çdo votë të secilit familjar. P.sh, për një familje prej 8 vetësh, kryefamiljari do të marrë në dorë 1 milion e 200 mijë lekë të vjetra. Por puna nuk mbaron këtu. Se në këmbim të këtyre lekëve, sekseri i partisë ka për detyrë të kontrollojë ecurinë e anëtarëve të familjes, deri në ditën e zgjedhjeve. Për këtë arsye ai i merr kryefamiljarit të gjitha numrat e celularëve të pjesëtarëve dhe verifikon kartat e identitetit të tyre. Pastaj, merr në telefon, atë familjar tek, i cili mund të ketë ndonjë dyshim. Dhe kështu puna vazhdon hap pas hapi, deri në verifikimin e numrit të votave në momentin e numërimit. Nga ana tjetër, në rastet kur një parti ka dyshime për ndonjë individ, që e konsideron si kundërshtar, i afron atij 150 mijë lekë, duke i marrë kartën e identitetit, deri në mbarimin e procesit të votimit. Dhe këtë e bëjnë, që të neutralizojnë, votuesit që janë deklaruar kundër. Ky neutralizim bëhet nëpërmjet pagesës në dorë, marrjes së kartës së identitetit dhe çdo dokumenti tjetër që kërkohet për të votuar.

Në qarqet e tjera

Në qarqet e tjera të zonave qytetare, ku papunësia dhe hallet janë më të mëdha, ankandi dhe tenderi i votës ka shkuar në 100 mijë lekë të vjetra. Kështu çdo votues merr në dorë 100 mijë lekë në këmbim të votës. Por zakonisht edhe këtu ndiqen blerjet e votave në grup familjar dhe jo si individ. Ndiqet e njëjta procedurë si në Tiranë. Ndërsa, këtu çmimi është pak më i vogël, sepse hallet dhe brengat e njerëzve janë më të mëdha dhe nevojat e tyre janë emergjente. Bisedat paraprake të sekserëve partiakë bëhen edhe në varësi të kërkesave që ka një familje. Si p.sh, dikush mund të kërkojë një makinë qepëse për biznes, dikush mund të ketë nevojë për mjete ndërtimi, për shtëpinë e re, dikush kërkon një motor, apo një ndihmë për të hapur një biznes, por shumica në përgjithësi, deri tani kanë kërkuar lekë të thata në dorë. Shumë pak prej tyre janë joshur nga premtimi për gjetjen e një pune të mirë, pas zgjedhjeve, sepse kjo alternativë, shpesh ka rezultuar si një gënjeshtër. Prandaj, tani kanë filluar ta besojnë atë gjithmonë e më pak njerëz. Ndërsa nga ana e tyre kandidatët e pavarur, e kanë zgjidhur fare thesin e parave dhe ankandi i tyre është fare i hapur, pa pasur asnjë kujdes për t’u ruajtur prej kundërshtarëve partiakë, të cilët nga ana e vet janë të përfshirë në ethe të paimagjinueshme.

Sulmi në zonat rurale

Në zonat rurale, ofensiva e partiakëve është fokusuar dhe po fokusohet gjithmonë  e më tepër, tek nevoja të jetës fshatarake. Ku në plan të parë premtimi i lopës, është tepër joshës, por nuk mbeten prapa edhe preferencat e fshatarëve, për kuaj, dele, apo kafshë të tjera. Aktualisht, në zonat rurale po luhet edhe me produkte ushqimore, si grurë, misër, sheqer, oriz, makarona, fasule, etj., në sasi shumë të mëdha, sepse shumica e fshatrave nuk prodhojnë asgjë. Dhe kësisoj, gjatë kësaj vere, fshatarët kanë mundësi të mbushin plot, hambarët për të shtyrë një jetesë normale, deri në vitin e ardhshëm, me anë të rezervave, që do mbledhin nga kjo fushatë elektorale. Kështu, që qysh tani fshatarët kanë filluar të marrin pjesë më shumë në bisedat politike, jo për të mësuar alternativat e tyre, por faktin se kush prej tyre paguan më shumë në tenderin e votës elektorale. Në vitin 1991, pas zgjedhjeve parlamentare, kur në zonat rurale fitoi Partia e Punës, ka ndodhur ky fenomen i mëposhtëm. Qytetarët që votuan në shumicë për PD-në, dolën në sheshe dhe hidhnin parullën: “O fshatarë o miopë, ju gënjyen me një lopë”. Por tani kohët kanë ndryshuar shumë dhe një pjesë e konsiderueshme e popullsisë, e ka kuptuar se në krye të parametrave elektoralë, ata duhet të vënë interesin familjar, për të marrë shpërblimin me lekë në dorë, ndaj votës së tyre.  Kjo do të thotë se lufta e liderëve është kthyer në konkurrencë midis miliarderëve.

Lufta për emigrantët

PD dhe PS, përveç strategjisë që po ndjekin brenda vendit, kanë shpallur një platformë sekrete edhe për tërheqjen e sa më shumë emigrantëve shqiptarë, nga vende të tjera të Europës dhe botës, por kryesisht nga vendet fqinje, ku vlen të përmendet Italia dhe Greqia. Në këtë mënyrë, të dyja këto parti po bëjnë “tërheqje litari me njëra-tjetrën, për të grumbulluar sa më shumë emigrantë në krahun e tyre, të cilët më 22 dhe 23 Qershor do të transportohen pa shpenzime personale, në Shqipëri për të votuar në zonat e tyre. Në këtë pikë, thuhet se, PD ka më shumë mbështetës në Itali, ndërsa PS në Greqi, por edhe në këto dy shtete, ka zona, ku elektorati ndryshon sa në njërën parti ashtu, edhe në tjetrën. Ajo që mund të thuhet si përfundim, është fakti se tenderi i hapur do të vazhdojë të funksionojë deri në datën 23 Qershor, kur të mbyllen qendrat e votimit. Pastaj, miliarderët do të numërojnë shpenzimet, partitë do numërojnë votat, qytetarët do numërojnë tufat e parave të marra për familjen e tyre dhe fshatarët do të tërheqin me litar, ndonjë lopë, drejt kullotave, ose ndonjë dele për ta therur, duke pritur kështu tenderin e ardhshëm të fushatës elektorale. Ndërsa vëzhguesit ndërkombëtarë do të shkruajnë në përfundimet e tyre këto fjalë: Zgjedhjet, ishin korrekte dhe në bazë të standardeve”.