Nishani: Tonelatat e drogës, shqetësim për dy vendet tona, Shqipëria më shumë mundësi për investitorët italianë

441
Sigal


Gazeta telegraf/

Presidenti i
Republikës, vizitë zyrtare në Republikën Italiane

Presidenti i
Republikës, Bujar Nishani, në kuadrin e vizitës zyrtare në Republikën Italiane
u prit sot në Pallatin Quirinale nga Presidenti italian, Sergio Mattarella. Pas
përshëndetjeve dhe ceremonive të rastit, të dy Presidentët zhvilluan një takim
kokë më kokë dhe më pas kryesuan takimin e zgjeruar mes dy delegacioneve.
Presidenti Nishani shprehu që në fillim kënaqësinë për zhvillimin e kësaj
vizite zyrtare në Romë, duke e konsideruar një shprehje të qartë të
marrëdhënieve të shkëlqyera e të partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Presidenti Nishani u shpreh se “marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe të
partneritetit mes dy vendeve, të cilat bazohen në marrëdhënie shumë
dimensionale historike, kulturore dhe ekonomike, vitet e fundit janë
intensifikuar dhe ngritur në një nivel edhe më të lartë dhe kanë hyrë në një
fazë të re dhe shumë dinamike, si në aspektin e bashkëpunimit politik e
institucional ashtu edhe në atë kulturor dhe ekonomik”. Kreu i Shtetit shprehu
gjithashtu mirënjohjen e thellë të Shqipërisë dhe shqiptarëve për gjithçka
Italia ka bërë për t’i ndihmuar në kapërcimin e ditëve të vështira të pas
rënies së regjimit komunist dhe vendosjes së demokracisë, dhe veçanërisht në
hapat e para të konsolidimit të shtetit të së drejtës, ku një rol të
rëndësishëm ka luajtur agjencia Kooperacionit Italian për Zhvillim. Të dy
bashkëbiseduesit i kushtuan një vëmendje të veçantë bashkëpunimit në fushën e
drejtësisë, zhvillimeve rajonale, si dhe sfidave dhe kërcënimeve nga flukset e
pa precedentë migratore dhe terrorizmi e ekstremizmi i dhunshëm. Presidenti
Nishani e informoi homologun e tij mbi rolin që Shqipëria vijon të luajë në
rajonin e Ballkanit Perëndimor në të gjitha këto aspekte, duke pasur dhe
përgjegjësinë e të qenit i vetmi vend anëtar i NATO-s, nga gjatë vendet e
mbetura ende jashtë Bashkimit Evropian. Në kuadrin e vizitës zyrtare në Romë,
Presidenti Nishani, zhvilloi takime edhe me Presidentin e Senatit italian,
Pietro Grasso, si dhe Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Senatit, Pier
Ferdinando Casini, me të cilët bisedoi për forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe
bashkëpunimit mes dy vendeve, duke përfshirë dhe dimensionin parlamentar.