Nishani: Nuk do të votoj më 18 qershor nëse opozita nuk merr pjesë

465
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka dhënë një deklaratë të fortë lidhur me legjitimitetin e zgjedhjeve parlamentare, nëse ato zhvillohen pa pjesëmarrjen e opozitës. I pyetur nga gazetari Enkel Demi për deklaratën e ambasadorit të SHBA-së se zgjedhjet pa opozitën mund të konsiderohen legjitime, presidenti Nishani shprehu një mendim krejt të ndryshëm nga ai i diplomatit. Nishani tha se zgjedhjet pa opozitën nuk janë as legjitime, as kushtetuese, sepse është vetëm një proces teknik ku kryhet një votim, por qytetarët nuk kanë alternativë për të zgjedhur. “E kemi të përcaktuar në Kushtetutë që zgjedhjet pa opozitën nuk mund të kenë legjitimitet”, sqaroi Nishani.

I pyetur në se do të shkojë të votojë më 18 qershor, Nishani u shpreh se në këto kushte kur opozita nuk bëhet pjesë e procesit, nuk do të drejtohet tek kutitë e votimit më 18 qershor. Pra Kreu i Shtetit nuk do të votojë. Ai e shpjegon këtë vendim të tij personal si qytetar i Shqipërisë, të lidhur me lirinë për të zgjedhur. Sipas Nishanit, në se më 18 qershor ka vetëm një palë që ofrohet, atëherë procesi i votimit nuk ka kuptim, ndaj dhe nuk do të shkojë të votojë në ditën e zgjedhjeve, në se opozita nuk bëhet pjesë e procesit.

Pas 24 korrikut, Bujar Nishani deklaroi se do të jetë një qytetar i angazhuar në politikë. Kjo është përgjigja që ai dha dje në emisionin “Fol me Mua, Fol me Ata” në TVSH. I pyetur për rikthimin e tij në politikë pas përfundimit të mandatit si president, Nishani është shprehur se nuk e sheh veten në moshë pensioni, ndërsa për nga natyra ai tha se është mjaft aktiv dhe nuk e mendon dot veten pasiv në raport me aktivizimin në politikë. “Kurrë mos thuaj kurrë” është shprehja që ka përdorur Presidenti për t’ iu përgjigjur pyetjes në se do të jetë sërish deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Megjithatë ai tha se ka plot mënyra për t’u aktivizuar në jetën shoqërore dhe politike. I pyetur në se do të kthehet për të rimarrë teserën PD-së, që e kishte dorëzuar kur mori postin e Presidentit të Republikës, Nishani është tha se është një e drejtë që i takon gjithkujt. Ai vlerësoi Ilir Metën si personalitetin që do ta pasojë në këtë detyrë, duke e cilësuar zgjedhjen e kryetarit të LSI-së plotësisht legjitime dhe kushtetuese. Për Bujar Nishanin, përvoja politike e Ilir Metës është një faktor i rëndësishëm për t’u vlerësuar si një figurë në krye të shtetit shqiptar.

Nishani foli për një sërë çështjesh të tjera që kanë lidhje me raportet e tij me mazhorancën për katër nga pesë vitet e qëndrimit në krye të shtetit, duke veçuar acarimet e herëpashershme me kreun e qeverisë e mazhorancën për çështje të ndryshme. 

Presidenti i Republikës Bujar Nishani pohoi se ka përpjekje të vendeve armike të Shqipërisë për të depërtuar deri në institucionet e Shqipërisë, me qëllim destabilizimin e vendit. I pyetur për disa lajme që janë përhapur së fundmi lidhur me influencën ruse në zhvillimet politike në Shqipëri, Nishani u përgjigj se “ka informacione në rrugë zyrtare se ka përpjekje të vendeve që nuk janë mike të Shqipërisë, madje armike, që kanë tentuar vazhdimisht të kenë ndikimin e tyre në institucionet shqiptare”. “Kanë mundur të depërtojnë kryesisht përmes elementëve që vijnë nga bota e krimit dhe që janë instaluar nëpër institucionet shqiptare. Jam informuar për këtë nga institucionet përkatëse dhe mund t’ju them se tashmë ka një hetim për këtë. Ndërkohë që ju them gjithashtu se institucionet shqiptare i kanë kapacitetet e duhura për të ndalur këtë tentativë të këtyre vendeve armike të Shqipërisë. Nuk dua të përmend emra vendesh”, tha Nishani.

Gjatë intervistës, Nishani foli edhe për situatën në Maqedoni, ku shprehu keqardhje për dhunën e ndodhur pak ditë më parë në parlamentin e Maqedonisë. Nga ana tjetër ai vlerësoi si një arritje të madhe zgjedhjen e një shqiptari në krye të Parlamentit të Maqedonisë. Nishani foli edhe për vizitën e tij në Arabinë Saudite dhe gjithë ritualin që ai respektoi gjatë vizitës në vendet e shenjta atje. Nishani ka sqaruar të gjithë ata që komentuan praktikimin e riteve fetare në Arabinë Saudite, duke kujtuar se të njëjtën sjellje kishte praktikuar edhe në vende të tjera, si Vatikani apo Jeruzalemi.
Sigal