Nishani dekoron figurat antifashiste: Historia të mos manipulohet

451
Presidenti Bujar Nishani ka dekoruar me ‘Dekoratën e artë të shqiponjës’ disa prej veteranëve që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për vendin në Luftën antifashiste.

Kreu i shtetit në ditën evropiane të fitores ndaj nazifazhizmit ka vlerësuar figurën e mijëra shqiptarëve të cilët u vendosën përkrah aleatëve për të luftuar të keqen më të madhe të kohës që ishte nazifashizmi.

Në fjalën e tij Nishani theksoi se kjo është një ditë kujtese ndaj të gjithë atyre që për të mbrojtur atdheun, sakrifikuan dhe jetën e tyre. Por në të njëjtën kohë, kreu i shteti përsëriti dhe një apel.

“Ne kemi sot një mision edhe më të rëndësishëm, që këtë histori të mos e lëmë të manipulohet për qëllime individuale, grupe individësh, apo ideologjish politike. Ne sot kemi një mision që të nderojmë përpjekjet. Përulemi para atyre përpjekjeve. Të ruajmë fort kujtesën, e sakrificës së burrave dhe grave trima të këtij vendi”, u shpreh Presidenti Nishani.

Bujar Nishani dekoroi me Dekoratën e Artë të Shqiponjës dhe katër figura të njohura të luftës Anti – nazifashiste‎, Liri Belishovën, Llazar Fundon, Edip Ohrin dhe Hamit Keçin.
Sigal