Nis mbledhja e Këshillit të Sigurisë për “Balilin”, mungon Rama, Nishani i ‘mbyll derën’ Peleshit

553
Ka nisur pak minuta më parë mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në selinë e Presidencës për shkak të mosarrestimit ende të të shumëkërkuarit Klemend Balili, i cilësuar nga mediat greke si ‘Eskobari i Ballkanit’. Në takim marrin pjesë kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ministri Damian Gjiknuri, ministri i Drejtësisë Petrit Vasili, kreu i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho, kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika si dhe përfaqësues nga Shtabi i Ushtrisë.
Kryeministri Rama nuk merr pjesë pasi ndodhet për vizitë në Kosovë ndërkohë që zv/kryeministri, Niko Peleshi nuk është pranuar nga Presidenti i Republikës të jetë pjesë e mbledhjes.
Më herët Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi i dërgoi një letër institucionit të Presidentit ku e njoftonte për mungesën e shefit të ekzekutivit dhe kërkonte miratimin paraprak nga ana e kreut të shtetit që Rama të zëvendësohej në këtë mbledhje nga zv.kryeministri, Niko Peleshi. Por në përgjigjen zyrtare të Presidencës u bë me dije se Nishani e ka refuzuar zëvendësimin e kryeministrit Edi Rama me numrin dy të qeverisë, duke e vlerësuar propozimin e ekzekutivit si të papërshtatshëm.
Vendimi për mbledhjen e Sigurisë Kombëtare erdhi pas shqetësimit të ngritur zyrtarisht nga Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, i cili i ka dërguar një letër Presidentit Bujar Nishani në lidhje me këtë çështje.
Pas letrës, Institucioni i Presidencës tha se kjo kërkesë vlerësohet serioze, pasi paraqitet nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, si dhe për shkak të problematikave që parashtrohen, të cilat kanë të bëjnë me:
– Rrezikshmërinë e lartë shoqërore të shtetasit Klement Balili, përcjellë nga organet kompetente shqiptare apo ndërkombëtare.
– Shqetësimin e partnerëve tanë të SHBA dhe të tjerë ndërkombëtarë, të cilët paraqesin rezerva në drejtim të punës së organeve tona përgjegjëse për shkak të mosndalimit të tij në kohë dhe zbatimit të detyrimeve të përcaktuara në akte ndërkombëtare dhe legjislacioni vendas.
– Si dhe rrezikut që ekziston, tashmë, nga mosveprimi i agjencive ligjzbatuese të vendit tonë, në drejtim të goditjes ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme apo dhe bazave të tyre që mund të kontrollohen nga njerëz të politikës dhe shtetit.
Për këto arsye Presidenti i Republikës në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar ka vendosur të thërrasë mbledhjen e Këshillit me qëllim dëgjimin e të gjitha argumenteve të parashtruara në kërkesë si dhe duke i analizuar dhe duke këshilluar me të gjithë anëtarët e Këshillit.
Sigal