Ndregjoni: Dëmshpërblimi është detyrim, jo lëmoshë

124
Presidenti i Unionit të të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, reagoi pas deklaratave të ministrit të Financave. Ai deklaroi se ligji “Për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë të regjimit komunist” konkretizon, jo vetëm premtimin politik publik në përmbushjen e detyrimeve morale dhe ligjore që shoqëria jonë ka ndaj kësaj shtrese të nderuar, por njëherazi formaton seriozisht korpusin e ligjeve për shtetin e së drejtës që ne po ndërtojmë. “Dua të kujtoj që ligji i qeverisë socialiste i vitit 2004, i cili me të drejtë u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, parashikonte ta dëmshpërblinte këtë kategori me një vlerë financuare në një muaj, që është e barabartë me dëmshpërblimin në një ditë, ligji i vitit 2007 kthehet me dinjitet dhe plotëson atë obligim moral, politik e historik, jo vetëm thjesht ndaj shtresës së ish-të përndjekurve politikë, por edhe më gjerë”, tha Ndregjoni. Sipas tij, ligji respekton detyrimet Kushtetutës apo dokumenteve të ndryshëm ndërkombëtarë. “Është vënë në zbatim nga qeveria demokratike, e cila për hir të së vërtetës, me gjithë politizimin dëmshpërbleu 24 mijë qytetarë me dy këste. Ndryshe ndodhi me PS që është në pushtet. Ajo ka dhënë 2 këste për 2000 qytetarë, duke bërë një diferencim klasor me arsyetimin të gjallët, nënkupto të burgosurit, e trashëgimtarët, që për hir të së vërtetës dhe këto nga mosha po i kalojnë të 60-at”, nënvizoi Ndregjoni. Sipas tij, qeveria në propagandën e saj deklaron se kemi dhënë 5 këste, duke përfshirë dhe 2 këstet qe i ka dhënë PD. “Problemi i dëmshpërblimit duhet te mos trajtohet politikisht, por ligjërisht se ai është një ligj detyrues kushtetues për ata qytetarë që përballuan vuajtjen, plumbin, torturat nga një regjim diktatorial. Problem i dytë është, se rreth 1000 të përndjekur i kanë dorëzuar dokumentet pas afatit dhe duhet të kalojnë kohë t’u dëmshpërblyer. Dëmshpërblimi nuk është lëmoshë e qeverive, por detyrim ligjor kushtetues dhe detyrues për zbatim për çdo qeveri e majte apo e djathte”, nënvizoi kreu i Unionit të të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë. Ai e paralajmëroi ministrin e Financave se çdo vendim politik ndaj të përndjekurve politikë do të jetë fundi i turpshëm i qeverisë kriminale që bëni pjesë. “Ne nuk ju frikëm plumbave të etërve tuaj, jo t’u frikemi vendimeve politike staliniste të një ministri te korruptuar”, tha Ndregjoni.