Kryemadhi: Protesta e 27 Janarit, momenti për t’u ndarë pro ose kundër Ramës. KLGJ dhe KLP të paralizuara nga Kushtetuesja

465
Kryemadhi: Momenti për t’u ndarë pro ose kundër Ramës
Kryetarja e LSI-së flet për rrezikun e mosfunksionimit të KLGJ-së e KLP-së, protestën e 27 janarit dhe marrëdhëniet brenda opozitës
Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe ai i Lartë i Prokurorisë, mund të mos funksionojnë, pasi sipas kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi, nevojitet që Parlamenti të miratojë nenet e shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese. Drejtuesja e LSI-së kërkon konsensus politik për votimin e këtyre neneve. “Nuk kanë ligj me të cilin të mund të funksionojnë, pasi janë të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse mund të ngresh një KLP dhe një KLGJ dhe nuk funksionon, nëse ndryshimet kushtetuese nuk bëhen me 94 vota ose mbi të gjitha me konsensus. Përderisa ne kemi miratuar ndryshimet kushtetuese dhe reformën në drejtësi me konsensus, me 140 vota, ne përsëri këto ndryshime, të cilat janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, duhet të kalojnë përsëri me konsensus dhe kjo është më se e qartë. Nëse Edi Rama do t’i kalojë me 36 vota, siç kaloi Prokurorin e Përgjithshëm, atëherë është çështje e tij. Është një reformë që nuk do të njihet nga asnjeri”, tha Kryemadhi për “Vizion+”. Akuzave të kryeministrit Rama, se opozita përmes protestave pengon reformën në drejtësi dhe integrimin evropian, Kryemadhi i përgjigjet me të njëjtën monedhë. “Reforma në drejtësi nuk është penguar për asnjë sekondë, as nga Lëvizja Socialiste për Integrim, as nga Partia Demokratike. Reforma në drejtësi është penguar nga një njeri i vetëm, që është Edi Rama dhe integrimi evropian është më se i qartë. Shqiptarët tashmë e dinë shumë mirë, e kanë parë shumë mirë, e kanë dëgjuar me veshë, e kanë me sy se si Edi Rama po i jep një drejtim komplet tjetër, në të kundërt Shqipërisë”, nënvizoi kryetarja e LSI-së. Protesta e së shtunës së ardhshme do të jetë paqësore, garanton kryetarja e LSI-së. “Data 27 janar do të jetë vetëm fillimi i përfshirjes së Shqipërisë nga protestat, në çdo cep, në çdo rrugë, në çdo fshat, kudo në çdo pjesë të territorit të Shqipërisë”, tha ajo. 

Një përgjigje Kryemadhi i jep edhe shqetësimeve të aleatëve të vegjël të PD-së, sipas të cilëve afrimi i PD-së me LSI-në, do të sillte tkurrje të votave të opozitës. “Sot nuk është koha për të bërë politikë. Sot është koha për të ndarë, je pro Ramës, apo kundër Ramës; je pro grupit të strukturuar kriminal që drejtohet nga Rama apo je kundër këtij grupi. Nëse do të fillojmë të diskutojmë për llokmat e një qeverie imagjinare, atëherë është kohë e humbur”, u shpreh Monika Kryemadhi. Për numrin një të LSI-së, qëllimi i aksionit opozitar është rrëzimi i qeverisë “Rama”, të cilën Kryemadhi e sheh si shkaktare të varfërisë së shqiptarëve.
Sigal