Mosndëshkimi i korrupsionit, ja 55 nga 800 dosjet e viteve 2005-2013, që “Rilindja” po i… “përkëdhel”

556
Sigal

Autorë krimesh ekonomike, shtetarë e politikanë të këtyre 22 viteve po vazhdojnë të bëjnë llafazanëri, shou, mosndëshkim e bashkëpunim në korrupsion

Demagogjia shtetërore e politike për luftë kundër korrupsionit dhe, gjoja, ndëshkim të krimit ekonomik-financiar, ka uzurpuar tmerrshëm e plotësisht politikën shqiptare. Viktimë të jetëgjatësisë dhe “suksesit” 22-vjeçar të kësaj demagogjie të qelbur, politika ka bërë drejtësinë shqiptare, nëpërmjet lojës së presionit e joshjes, gradimit e ç’ gradimit të “ushtarëve” dhe “gjeneralëve” të drejtësisë në detyra e poste të larta në piramidën e drejtësisë, ekzekutivit, shtetit, diplomacisë e deri deputetë në parlament, duke u “lidhur” duart e duke u “mpirë trurin”, për të mos vepruar kundër krimeve të bëra prej tyre. Ka aq shumë raste mosndëshkimi e për turp të drejtësisë, edhe mos fillim çështjesh krimesh të rënda ekonomike e financiare, sa është krijuar “bindja popullore”, që shtetarët hajdutë e kriminelë në këtë vend dhe lukunia e tyre familjare, klanore e fisnore nuk preken!

22 vjet llafazanëri, shou, mosndëshkim dhe bashkëpunim në korrupsion

Mijëra dosje “VIP”, kanë përfunduar si “listë” numerike në arkivin e drejtësisë, si “letra të mbyllura”, të  futura në thasë e të magazinuara në tunelet prapa malit të Dajtit. Këto dosje, ose nuk janë hapur e nuk hapen realisht, ose janë hapur formalisht e janë mbyllur me urdhra e “procedurë”. Kur u duhen klaneve të politikës për “gjueti shtrigash”, për luftë politike e goditje personale, apo për shou publik, këto dosje përmenden si dosje “për presion”. Mjafton të kujtosh “çantën e dosjeve” të Spartak Brahos, të cilën e kishte mbushur me tallash, që të dukej plot dhe e tundte ekraneve të televizioneve, si çantë “të mbushur me dosjet e krimit” të Edi Ramës! Nuk ka më asnjë dyshim, që të dy palët së bashku, politika dhe drejtësia janë bërë aleatë të skemës dhe lojës për mosndëshkimin, për bllokimin dhe mos hapjen e dosjeve të krimit ekonomik e njerëzor qeveritar, të çdo “hauri” politik. Në këto 22 vjet, janë dhënë “provat” e plota të pandëshkueshmërisë së drejtuesve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit e politikës. Të gjitha palët e shtetarëve e politikanëve, majtas e djathtas, kanë qenë përherë të bashkuar hapur e në heshtje, si “autorë” dhe “klientë” të instalimit, zhvillimit dhe mbrojtjes së korrupsionit të njëri-tjetrit, paçka se në fushata elektorale, kongrese partie, seanca parlamentare, intervista e konferenca shtypi ata ”përleshen egërsisht” me njëri-tjetrin, “ulërijnë për drejtësi” dhe i përmendin njeri-tjetrit lista me fakte korruptive si biznese, makina, hotele, motele, fabrika, pallate, fshatra turistikë, tenderë, ryshfete, vila nëpër plazhet e botës, arsimim fëmijësh me miliona nëpër botë, llogari të shumta bankare e lloj-lloj abuzimesh. Prej 22 vjetësh, këta shtetarë e politikanë “derra korrupsioni” edhe “zhgërryhen kokë e këmbë në moçal” krimesh ekonomike e financiare, edhe dalin e publikisht e “betohen” deri me  kërcënime prej “burrash” kundër njëri-tjetrit, se do të “bëjnë namin me ndëshkime”! Por, deri sot nuk është bërë asnjë ndëshkim, nga asnjëra palë në pushtet, për asnjërin shtetarë e politikanë të zhytur në krim ekonomik, përveç disa kryetarë komunash që e kanë buxhetin e investimeve sa vlera e një kostumi e që vjedhin sa për të blerë ndonjë palë syze firmato.

Deputeti i PD-së akuzoi Gjiknurin për vjedhje në CEZ, pastaj tha: Ashtu është loja!

Po kujtoj një rast. Afro 1 muaj më parë, një deputet “VIP” i PD-së, më kërkoi të mos vazhdoja më publikimin e skandaleve të ministrit Damian Gjiknuri, mbasi sipas tij, kishte disa “punë që bënin bashkë në hidrocentrale e krom”. Pak ditë më parë, ky deputet doli e foli “egërsisht” kundër Damian Gjiknurit në media, duke e akuzuar si “hajdut i miliardave të CEZ, ta kemi çuar dosjen në prokurori”! E Pyeta deputetin e PD: – Si është e mundur që e quajte hajdut, ministrin? Më tha: – Ashtu është loja! Kjo është dyfytyrësia reale “anti-korrupsion” e politikës dhe shtetarëve shqiptarë majtas e djathtas. Mjafton kaq, për të kuptuar falsitetin e luftës kundër korrupsionit, nga ata që e kanë detyrë ligjore e shtetërore. Këtë lojë e pazar mosndëshkimi, bëri pushteti i PD-së pas vitit 2005: Nuk veproi për ndëshkimin e korrupsionit qeveritar të viteve 1997-2005. Në 8 vite opozitë, Berisha u “betua” me tërsëllima e ulërima, se do fuste në burg gjithë “mamuthët” e korrupsionit, madje në çdo seancë parlamentare të 8 viteve 1997-2005, Berisha “recitonte” edhe këto vargje: “Hani derra, pini derra/prangat do t’ua vë tek dera”! Kështu po ndodh edhe me pushtetin “Rilindja”. Kur ishte në opozitë, PS ka denoncuar me fjalë e me faksimile zyrtare mbi 2000 krime ekonomike të bëra nga kryeministri Berisha dhe familjarët e tij, nga ministra, deputetë, diplomatë e zyrtarë të çdo niveli të ish qeverisjes së PD në çdo sektorë të ekonomisë e shërbimeve, madje deri edhe denoncime, për financime me miliona dollarë nga taksat, për sekserë sigurimi fotografish me shtrëngime duarsh të qeveritarëve shqiptarë, me figura politike e shtetërore ndërkombëtare. Pas ardhjes në pushtet, “hajdutët dhe kriminelët” e ish-pushtetit të PD, nuk janë në pranga siç u “betuan” këta që morën pushtetin në emër të “luftës kundër korrupsionit, krimit ekonomik e njerëzor”.  Ata janë përsëri të lirë, me pushtet politik e parlamentar, madje mbajnë edhe fjalime të “zjarrta” e betohen për “luftë kundër korrupsionit”.

Ja 55, nga 800 dosjet e korrupsionit, të qeverisjes së viteve 2005-2013

1. Dosja “Rruga Levan-Tepelenë, lidhet me zhdukjen e 40 milionë eurove, shtyhet me 3 vjet përfundimi i punimeve, qeveria i jep 13 milionë euro shtesë për të rinisur punimet.

2. Dosja “Rruga Levan-Vlorë”, lidhet me abuzimin e 26.5 milionë eurove, duke çuar 60 milionë euro fond për 24 km, shtyhen punimet me 2 vjet, qeveria jep 18 milionë euro shtesë.

3. Dosja “Terminali”, lidhet me koncesionin e terminalit të kontenierëve në Portin e Durrësit, dhënë me afat për 35-vjet, me ofertë 2 herë më të lartë se ofertuesit e tjerë.

4. Dosja “Reklama e rrugëve”, lidhet me 1.6 milion dollarë, paguar pa tender nga Drejtoria e Rrugëve për kompaninë e reklamave mediatike “Promo” për gazetat RD, “55” e “Koha Jonë” e TV ‘Klan’ si dhe 190 mijë dollarë reklamë për agjencinë e reklamave mediatike “Promo”, agjenci e TV-Klan.

5. Dosja “Kolaudimi”, lidhet me tenderin e dhënies me koncesion të kolaudimit të mjeteve firmës zvicerane “Societe Generale de Surveillance” (SGS), shpallur fituese me ofertë 1.8 herë më të lartë se ofertuesit e tjerë.

6. Dosja “Dajti”, lidhet me blerjen fiktive të Hotel “Dajti” në vlerën 30 milionë dollarë prej Bankës së Shtetit, vlerësuar si shit-blerje e paligjshme dhe pa pasqyrim të vlerës së blerjes dhe përdorjes së vlerës së shitjes.

7. Dosja “Qiraja”, lidhet me marrjen prej Bankës së Shtetit të zyrave me qiranë vlerën 6 milionë e 300 mijë euro në vit pagesë tek pronarët e vilës.

8. Dosja “Karta e identitetit”, lidhet me tenderin abuziv të prodhimit të kartave të identitetit, prej aferës së bërë me ketë tender shteti humbi 6.1 milionë dollar prej pranimit të ofertës më të lartë, për firmën klinteliste.

9. Dosja “Ngjyrosja”, lidhet me monopolin e ngjyrosjes së karburanteve, dhënë me tender abuziv me dëm ekonomik për shtetin 24 milionë dollarë në vit, duke rritur tarifën monopol të ngjyrosjes nga 200 lekë/1000 litra, ofruar nga konkurruesit në tender, në 614 lekë/1000 litra

10. Dosja “Rruga e Kombit”, lidhet me ish-ministrin e Transportit Lulzim Basha për akuzën e moszhvillimit të tenderit, për 5-fishin e fondeve dhe abuzimin me 220 milionë euro përvetësim nga fondi i rrugës Rrëshen-Kalimash.

11. Dosja “Pakti detar”, lidhet me pazarin e bërë për copëtimin dhe faljen e një pjese të detit jugor Greqisë, hartuar e firmosur si “Pakt” prej qeverisë shqiptare më 29 prill 2009.

12. Dosja “Plehrat”, lidhet me pazarin 30 milionë dollarë përfitim ilegal prej kupolës shtetërore shqiptare, për të lejuar prej mafies italiane, futjen dhe përpunimin në Shqipëri, të 20 mijë ton plehrave të importit në vit.

13. Dosja “Carteron”, lidhet me pagesën e 250 mijë eurove, bërë nga buxheti i shtetit, si shpërblim për Jean Paul Carteron, për organizimin e 2 seminareve politike.

13. Dosja “Patton Boggs”, lidhet me fiktivitetin e një kontrate 500 mijë euro nga buxheti i shtetit në 12 shkurt 2013, paguar kompanisë Patton Boggs” për gjoja “konsulencë për anulimin e kontratës së CEZ”, ndërkohë që kontrata me CEZ ishte anuluar që në 21 janar 2013.

14. Dosja “4 HEC-et”, lidhet me aferën e shitjes kompanisë turke “KURUM”, të 4 HEC-ve të Ulzës, Shkopetit, Bistrica nr. 1 e Bistrica nr. 2 në shifrën “copë buke” prej 110 milionë euro, kur fitimi vjetor nga prodhimi i tyre, arrin shifrën 22 milionë euro.

15. Dosja “Interkonjuksioni”, lidhet me aferën e bllokimit të investimit gjerman të Linjës 400 k/volt të interkonjuksionit Shqipëri-Kosovë, me humbje 109 milionë euro çdo vit prej blerjes së energjisë në import, në kompanitë, kliente të qeverisë.

16. Dosja “Albpetrol”, lidhet me skemën mafioze qeveritare, të shitjes për “1 copë bukë”, të kompanisë Albpetrol tek mafia ruse-azerbaxhanase, me humbje 350 milionë dollarë për ekonominë.

17. Dosja “Fierza”, lidhet me hapjen e digave të HEC-it Fierzë e Vau-Dejë për të fshehur vjedhjet 207 milionë dollarë me shit-blerjen e energjisë në import eksport, duke përmbytur zonën Shkodër-Lezhë, që kushtoi 31 milionë dollarë kosto emergjence.

18. Dosja “Lanabregas”, lidhet me shit-blerjen e HEC të Lanabregas prej UKT Tiranë në vlerën 15 milionë dollarë me kredi, vlerë të cilën qeveria nuk e pasqyroi ku e ka përdorur.

19. Dosja “Eagle Mobil”, lidhet me shitjen me aferë korruptive me humbje për buxhetin e shtetit tek firma turke “Çalik Energy”, duke e bërë shitjen sikur edhe licenca “Eagle Mobil” ishte përfshirë në blerjen e “TELECOM, me 120 milionë dollarë brenda 76% të aksioneve që posedonte.

20. Dosja “TELECOM-SHITJA”, lidhet me shitjen e kompanisë “TELECOM” për kompaninë “Çalik Energy” në vlerën 120 milionë dollarë bashkë me “Eagle Mobil”, duke eliminuar ofertuesit me çmim 4-5 herë më të lartë vetëm për “TELECOM”.

21. Dosja “HEC-et e lumenjve”, lidhet me shitjen e 312 licencave për ndërtime hidrocentralesh në lumenj, duke krijuar një humbje për buxhetin afro 90%-200% për çdo licencë të shitur.

22. Dosja “Kablli optik”, lidhet me monopolin e dhënë me vendimin 23 të datës 23 gusht 2010, për të drejtën shoqërisë “Albanian Telecommunications Union”, për të përdorur të gjitha rrugët nacionale shtrimin e rrjeteve me fibra optike për shërbim internet, pa lejuar futjen e operatorëve të tjerë për 40 vjet.

23. Dosja “Libia”, lidhet me trafikun (shitjen e fshehtë) e 20 mijë armëve dhe 800 mijë fishekëve 12.7 mm si për ushtrinë e Gedafit, transportuar në linjën Shqipëri-Ukrainë-Libi.

24. Dosja “Nëndetësja”, lidhet me tenderin abuziv në favor të firmës “KURUM” për të blerë si skrap 3 nëndetëse dhe 17 katër-silurues me vlerën totale 73 mln lekë, kur në vitin 1998, blerës të tjerë kishin ofruar garanci bankare në vlerën 3 milionë dollarë.

25. Dosja “Libri mësimor”, lidhet me aferën e rimbursimit 20% të librit shkollor për ciklet  para universitare, duke vjedhur 2.1 milionë dollarë nga faturat e parimbursuara të blerjeve.

26. Dosja “Reklamat TV-Klan”, lidhet me pagesa pa tender të bëra prej Ministrisë së Mbrojtjes për reklama në TV-KLAN e ABC, Ministria e Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera të shtetit në vlerën e 18 milionë dollarë.

27. Dosja “Fazliç-QKR”, lidhet me licencimin e firmës fantazmë “SRF-DLP”, me administrator kunatin e ish-ministrit Lulëzim Basha, akuzuar si “lavatriçe” për pastrimin e fitimeve prej trafiqeve e aferave..

28. Dosja “Klubi Partizani”, lidhet me privatizimin e Sport-Klub “Partizani”, duke i shitur Jamarbër Malltezit truallin, ku ngrihej ky sport-klub, për ndërtim pallatesh.

29. Dosja ”Blloku”, lidhet me videon e “bllokut të pazareve” për tender, licenca, koncesione, emërime etj…, regjistruar prej Dritan Priftit si sulm kundër Ilir Metës.

30. Dosja “VIRGIN”, lidhet me fshehjet e pagesave fiskale në tregun e karburanteve me vjedhje 76 milionë euro detyrime ndaj Buxhetit të Shtetit

31. Dosja “CEZ”, lidhet me shitjen e CEZ, me vlerë 3.1 herë më të ulët se ofertat e paraqitura prej 2 pjesëmarrësve të tjerë në tenderin e blerjes.

32. Dosja “Anulimi”, lidhet me prishjen e kontratës me CEZ në 21 janar 2013 për interesa klienteliste në kupolën e qeverisë, duke hapur proces gjyqësor ndërkombëtar.

33. Dosja “Petrolium”, lidhet me kompaninë e naftës “Bankers Petroleum”, të cilës, drejtori i AKBN G. Anastasi, vetëm 6 ditë pas emërimit, firmosi urdhrin t’i falen 90 milionë dollarë taksa tatimore e doganore, nga importi i 140 mijë ton naftë.

34.Dosja “Zogu i Zi”, lidhet me shkatërrimin me “inat” politik të Mbikalimit tek “Zogu i Zi” në fazën 90% përfundim të punimeve, me dëm ekonomik 1.3 milion dollarë.

36. Dosja “Sheshi Skënderbe”, lidhet me shkatërrimin e investimit për qendrën e Tiranës në fazën 80% të punimeve, me humbje 4.5 milion dollar.

37. Dosja “Banesat sociale”, lidhet me vonesat e shpërndarjes së tyre, me një humbje për Buxhetin e Shtetit në vlerën 11 milionë euro në 8 vjet.

38. Dosja “Universiteti”, lidhet me ish-NPV-Tiranë, shkatërruar qëllimisht e kthyer në UET, privatizuar pa tender, me 26% të kostos reale të objektit dhe zhdukje të 39 milion dollarë lëndë të para e pajisje.

39. Dosja “Përmbytja”, lidhet me përmbytjen e zonës Shkodër-Lezhë prej hapjes së qëllimshme të digave, prej të cilës u shkatërruan 40 mijë biznese, 30 mijë familje, 200 mijë bagëti dhe 97 mijë hektarë të mbjella.

40. Dosja “pullat fiskale”, lidhet me koncesionin monopol dhënë firmës “Sicpa Security Solutions Sa” e cila rriti çmimet e pullave deri në 3-4 herë.

41. Dosja “Pushimi”, lidhet me pagesat nga Buxheti i Shtetit i 1 milionë eurove, paga për nëpunësit e larguar nga administrata, pas fitimit të gjyqeve.

42. Dosja “Trafiku”, lidhet me bllokimin e 60 kontenierëve me armë nga Turqia, të nisur nga Shqipëria në drejtim të Armenisë, tregti private e kupolës qeveritare, bërë prej firmës “MEICO”.

43. Dosja “Misri”, lidhet me misrin, fara e të cilit iu shit 136 mijë fermerëve shqiptarë, si farë misri që nuk bënte kokërr, si lojë e pazarit për të favorizuar prodhimin serb.

44. Dosja “Jala”, lidhet me ndërtimet në Jalë, i implikuar dhëndri i kryeministrit Sali Berisha, si “kapo” i prishjes së shtëpive në Jalë, për të zhvilluar projektin e tij turistik.

45. Dosja “Ilaçet”, lidhet me monopolin e importit të ilaçeve dhe diktatit të çmimeve në depot farmaceutike prej mbesës së Liri Berishës, gjë që rriti çmimet 20-28%.

46. Dosja “Rezervat”, lidhet me blerjen prej ministrave, deputetëve e politikanëve e familjarëve të tyre në vitet 2006-2008, të 147 automjeteve (vetura) të bllokuara në rezervat e shtetit, me çmime “skrapi”.

47. Dosja “Gërdeci”, lidhet me biznesin e trafikut të municioneve, kontrolluar edhe prej djalit të kryeministrit Berisha, ku u vranë 26 persona, u dëmtuan 3000 biznese e familje me humbje, afro 180 milionë dollarë.

48. Dosja “Pango”, lidhet me transmetimin e spotit ne vlerën 300 mijë euro, për 30 sekonda në kanalin “CNN”.

49. Dosja “Benxi”, lidhet me blerjen prej Kryeministrit Berisha me Buxhetin e Shtetit të një autoveture “Benc” me vlerë 700 milionë lekë.

50. Dosja “Lotaria”, lidhet me koncesionin monopol të “Lotarisë Kombëtare”, të cilën qeveria shqiptare ia shiti një biznesmeni të afërt me qeverinë në vlerën 3.5 milionë euro, ndërkohë që Malta e shiti po këtë lotari me 39 milionë euro.

51. Dosja “Spitali Ushtarak”, lidhet me aferën korruptive të dhënies me qira “lëmoshë” e me kontratë anti-ligjore të mbi 11 mijë metër katrorë të mjediseve të Spitalit Ushtarak, një firme turke që e prezanton si “Spital amerikan”, që merret me shitje e qira të Spitalit Ushtarak

52. Dosja “Bulqiza”, lidhet me licencat e paligjshme, të dhëna për 183 individë me kontrata false, që nuk shlyejnë asnjë detyrim fiskal në shtet dhe që vrasin çdo javë nga 1 minator prej kushteve skllavërore të punës.

53. Dosja e “TEC” Durrës, lidhet me aferën e blerjes me letra false dhe pa asnjë pagesë të truallit për ndërtimin e një kompleksi TEC-esh energjetike.

54. Dosja “Kopshti Botanik”, lidhet me shkatërrimin e ish-kopshtit Botanik për të ndërtuar gjoja unazën e madhe, por që në fakt ishte parapërgatitje terreni për ndërtimin e 12 gradaçielave.

55. Dosja “Legalizimet”, lidhet me procesin e legalizimeve prej të cilit janë zhdukur 12 milionë dollarë pagesa prej qytetarëve dhe nuk u figurojnë dosjet në zyrat e ALUIZN-it.

Ja 20 dosje të tjera…

 1. Dosja “Edhe 3 ditë bukë”, u dogjën 37 njerëz në Fushë Arrëz.

2. Dosja “Bomba-VEFA”, nga shpërthimi pati edhe viktima.

3. Dosja “Vrasjet e Tropojës”, prej konflikteve politike janë vrarë 160 persona.

4. Vrasja e “Ministrit të Kosovës”, u vra Ahmet Krasniqi, ish- ministri i parë i Mbrojtjes në Kosovë, më 21 shtator 1998.

5. Dosja “14 shtatori”, u bë kryengritje e armatosur kundër institucioneve të shtetit.

6. Dosja “5 Minatorët”, u vranë 5 minatorë në minierën e Selenicës në Vlorë, nga kushtet e pasigurta të punës.

7. Damir “Fazlliç”, trafikanti serb Damir Fazlliç, merr pjesë në Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

8. Dosja “Otranto”, mbyten 86 shqiptarë, goditen nga një anije italiane gjatë ikjes klandestine

9. Dosja “Karaburuni”, u mbytën 27 klandestinë shqiptarë, shteti nuk i ndihmoi.

10. Vrasja në Dhemblan të Tepelenës.

11. Grabitja e Spitalit Ushtarak nëntokësor në Mezhgoran

12. Dosja “Trebicka”, vritet “befasisht në gjueti” dëshmitari kyç i Gërdecit.

13. Dosja “Remzi Hoxha”, rrëmbehet dhe zhduket fizikisht biznesmeni Remzi Hoxha.

14. Dosja “Gërdeci”, vriten në një biznes trafik municionesh 26 punëtorë ilegalë.

15. Dosja “21 janari”, vriten 4 protestues nga forcat e Gardës së Republikës.

16. Dosja “Xhindi”, vritet në oborrin e shtëpisë deputeti i PS, Fatmir Xhindi

17. Dosja “Kryekomunari“, vritet  kryetari i Komunës Tërthore në Kukës

18. Dosja “Riformato”, rrëzohet në bregdetin e Divjakës, një avion transportues droge.

19. Dosja “Santo”, vritet kryebankieri Artan Santo në hyrje të bankës që drejtonte.

20. Dosja “Fullani”, vidhen 7.3 milionë dollarë në Bankën e Shtetit Shqiptar.

Përparim HALILI