Monologu i Adi Krastës: Shteti nuk ekziston pas 26 nëntorit

271

Moderatori i njohur Adi Krasta ka nisur mbrëmjen e sotme, pas një shkëputje disa mujore, emisionin e tij jo në Tiranë, por në Prishtinë. Krasta tashmë është pjesë e televizionit “T7” në Kosovë, ku do të transmetojë emisioni i tij mjaft të ndjekur “A-Show”.

Puntatën e parë në Prishinë Krasta e nisur me një monolog për tërmetin e 26 nëntorit dhe mungesën e reagimit të shtetit shqiptar. Krasta ka reaguar për mbylljen e mediave dhe ligjin e censurës duke deklaruar se është koha që të mos e presim reagimin nga jashtë.

“30 vjet është shumë për të kuptuar se ky vend do ketë një fund të trishtë nëse shqiptari i zakonshëm nuk do reagoje fort për demokracinë, ligjin dhe llogaridhënien. Një fund vjen natyrshëm. Por nuk duhet të na mjaftoje. Të bëjmë presion për rithemelimin serioz të Republikës. Ky atdhe duhet të prodhoje një zgjidhje te sigurte e afatgjate”.

Monologu i plotë i Adi Krastës:

“Përshëndetje! Për mua nuk ka rëndësi ku flas. Për mua ka rëndësi që të mbërrijë te ju.

Nëse fakti është një informacion i verifikueshëm atëherë mosekzisteenca e shtetit shqiptar pas tërmeteve është fakt. Dhe diletantizmi dramatik i qeverisjes, madje dhe nervozizmi i skajshëm ne fytyrën e lodhur e të deformuar të saj. Kur sheh kronikat që i shpëtojnë policisë së informacionit dhe agresivitetit te dështimit, sheh fytyra te lodhura ku lexohet pa fjale trauma jo vetëm nga tërmeti por edhe nga njeriu.

E kaluara e tashme na bën të qeshim hidhur e me shpoti. Sytë i kemi tek e ardhmja. Ajo që qëndron si vatër e ndezur e alarmit të brendshëm është Shqipëria e pas disa muajve. Shqipëria, edhe kur lëkundet nga tërmetet, edhe kur abuzohet nga fjalët e gjestet, edhe kur vidhet e tallet, është e njerëzve te zakonshëm. Ata, ne, nuk duhet të lodhemi e të frikësohemi. Një kryetar bashkie hajdut dhe mashtrues duhet ta dije çfarë mendohet për të. Propagandë të shfrenuar ata, të vërtetën kokëfortë ne. Ne rrethana të jashtëzakonshme duhen marrë masa të jashtëzakonshme.

Ndëshkimi për një krim ndaj popullit dhe atdheut duhet bërë edhe përtej votës. Vota tanimë është bërë e pamjaftueshme. Sikurse jetike dhe e pashmangshme të rrisim aktivizmin, përtej militantizmit të partive. Dikur ndaj një skandali publik kishte reagim njerëzor të menjëhershëm.

Sot pafytyrësia populiste na ka bërë të pandjeshëm. Shoqëria shqiptare është e detyruar të reagojë mençurisht. Le ta kalojmë luftën mediatike online. Këto rrjete nuk mund të jenë terroriste vetëm kundër njeriut të ndershëm, por pa pushtet. Si në median tradicionale, por sidomos në gazetarinë popullore online emërtimi dhe turpërimi. Publikimi i faktit dhe diskutimi e analiza e gjallë jo partiake është më e fortë se vota. Narrativa e të vërtetës nuk i përket vetëm gazetareve, madje tani pa Bryli Broadway, JOQ, Lolita, pa Gencin, Kriston e shume të tjerë, pa grupin e stërmadh për mbrojtjen e Teatrit, puna jonë si gazetarë është e paplotë, e pambrojtur dhe shpesh e pakuptuar plotësisht.

Mbyllja e faqeve, sulmet ad hominem, mbyllja e programeve televizive realiste dhe promovimi e financimi i shërbëtorëve të pushtetit është reale. Ka një zgjim të vëmendjes nga jashtë. Në një letërkëmbim me presidentin e parlamentit europian David Maria Sassoli, ai dha garanci se është shumë i ndjeshëm për standardet demokratike në vend. Por ne e dimë se reagimi i brendshëm është zgjidhja.

Ndaj tallja publike, diskretitimi i propagandës, leximi e dekodimi i dyfytyrësisë dhe i veseve që drejtojnë sot Shqipërinë është më i fortë se vetë vota. Vota ka treguar se blihet. Shpirti i lire demokratik jo. Le la leme këtë pushtet pushtues të thërrmohet. Është e tepërt ta bëjmë ngjarje. Le të forcojmë qytetarin. Të bëhen padi të mëdha si të Nurembergut për pushtetarët pushtues që dehja e momentit dhe mosndëshkimi i paraardhësve të tyre u krijoi bindjen e rreme se nuk do paguajnë. Të vazhdojë diskretitimi i hajdutërisë dhe karagjozllëkut.

“Nisma Thurje”, vajza e djem të rinj kurajozë, juristë, mjekë, mësues që duan më shumë Shqipërinë se partinë, momenti i duhur është tani.

30 vjet është shume për të kuptuar se ky vend do të këtë një fund të trishtë nëse shqiptari i zakonshëm nuk do reagojë fort për demokracinë, ligjin dhe llogaridhënien.

Një fund vjen natyrshëm. Por nuk duhet të na mjaftojë. Të bëjmë presion për rithemelimin serioz të Republikës.

Ky atdhe duhet të prodhoje një zgjidhje të sigurtë e afatgjatë”.