‘Policia përgjon pa urdhër prokurori’/ Bardhi: Antikushtetues dhe i papranueshëm

130

Policia e Shtetit pritet të fitojë të drejtën për të kryer përgjime ambjentale, përgjime telefonike apo fotografime e video të personave që ajo gjykon se kanë duke kryer një vepër penale, pa pasur nevojë të pajisen me autorizim nga prokuroria ndërkohë që dy drejtuesit më të lartë të prokurorisë kthehen në vartës të Ministrit të Brendshëm, sipas propozimeve të kryeministrit Edi Rama për ndryshime në ligjin aktual për Policinë e Shtetit.

Ka qenë pikërisht Këshilli i Ministrave që ka propozuar këtë ligj ku më pas është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë.

Sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka në një postim në Facebook ka reaguar në lidhje me këtë propozim.

Sipas Bardhit, për selinë blu, ky është një ligj antikushtetues dhe i papranueshëm.

“Edi Rama po zëvendëson shtetin ligjor me një regjim policor, në shkelje të Kushtetutës dhe në dhunim flagrant të të drejtave të njeriut.

Ligji për përgjimin e qytetarëve nga Policia, pa autorizim të prokurorisë apo pa vendim të gjykatës, thellon sjelljen antidemokratike të Edi Ramës dhe minon seriozisht rrugën europiane të Shqipërisë.

Për Partinë Demokratike ligji është antikushtetues dhe i papranueshëm”, shkruan Bardhi në reagimin e tij.

Në ligjin aktual të Policisë së Shtetit, në nenin 131 “Masa të veçanta” shkruhet: “…punonjësi i policisë me gradën “Kryekomisar” ose më lart, sipas juridiksionit lëndor, kërkon autorizimin nga prokurori,” për të kryer përgjime. Ndërsa në nenin 131 sipas ndryshimeve të propozuara nga qeveria shkruhet se policia përdor “masa të veçanta” pa pasur nevojë të marrë autorizim nga prokuroria.

Gjykata Kushtetuese e rrëzoi ligjin e vitit 2014 me argumentin se cënon themelet e rendit kushtetues, përfshirë Nenin 7, ndarja dhe balancimi i pushteteve, dhe nenit 148 të Kushtetutës, i cili autorizon prokurorinë si institucioni që kryen hetime, por nuk jep një autorizim të tillë edhe për Policinë e Shtetit.