Monika Kryemadhi: LSI plan konkret për të nxjerrë 300 mijë të varfër në Shqipëri nga varfëria absolute

174
Fjala në Kuvend e Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi 

Nuk di se çfarë të rendisja më parë në morinë e gjithë shqetësimeve dhe halleve që kanë shqiptarët sot, të këtij populli të dërrmuar që po rënkon nga mungesa e zgjidhjeve, qoftë të qeverisë, qoftë edhe të klasës sonë politike, ku pjesë e saj jam dhe vetë. 
E kam të vështirë të flas vetëm për një çështje, vetëm për një hall, apo vetëm për një problematikë, sepse Shqipëria është vendi i problemeve që nuk mbarojnë dhe nuk zgjidhen kurrë. 
I mirëkuptoj qytetarët kur ndjejnë neveri kur flasin politikanët. I mirëkuptoj dhe disa të tjerë kur e shikojnë si një sport zbavitës seancat tona parlamentare. 
Me të drejtë, media jonë i bën jehonë “diktaturës së krimit të organizuar dhe drogës”, sikurse dhe jo rrallë herë i bën fresk edhe “diktaturës së arrogancës” së Kryeministrit, e cila po instalohet frikshëm në Shqipëri. 
Madje, së fundmi ka dhe pseudo-analistë politikë që thonë se shqiptarët janë fatlumë që u ka rënë për hise një dictator, ky Kryeministër, një diktator i ndritur, që ditë më të mira do na presin dhe se Mesia është pranë nesh. 
Të nderuar qytetarë! 
Unë sot nuk do të flas as për drogën dhe as për krimin, jo sepse nuk është një hall i madh ekzistencial për shqiptarët, por sepse kam folur shumë për të denoncuar rrezikun e madh që i kanoset vendit, stabilitetit dhe sigurisë sonë kombëtare. 
Sot kam zgjedhur të flas për hallin kryesor më të cilën zgjohen dhe ngrysen familjet shqiptare, për varfërinë dhe papunësinë që ka pllakosur kudo. 
“Bota është e bollshme për nevojat e njerëzimit, por jo për babëzinë e tij”. Kjo shprehje në fakt është më aktuale se kurrë për këtë Kryeministër të “babzitur”, i cili nuk do të kuptoj se progresi i një shoqërie nuk matet sesa fiton një grusht individësh, por se sa shumë qytetarë të varfër dalin nga gracka e varfërisë. 
Ky zotëri që urren të varfërit, së fundmi me një të rënë të lapsit ka nxjerrë nga skema e ndihmës ekonomike, “lëmoshës ekonomike” mbi 20 mijë familje të varfëra shqiptare. Madje për disa raste flagrante thotë e “ka fajin sistemi”, se tashmë nuk ka më kujt t’ia lërë fajin dhe ja lë teknologjisë. 
Varfëria mbi të gjitha është mungesa e parasë për të mbijetuar me dinjitet dhe integritet dhe për të plotësuar nevojat më bazike. 
Nuk ka asgjë më të kushtueshme për një shoqëri sesa varfëria e qytetarëve të saj sepse ajo mbjell injorancë, kriminalitet dhe prapambetje! Por mbi të gjitha sa më të varfër të jenë shqiptarët, aq më kollaj blihen në zgjedhjet e ardhshme, që janë duke trokitur. 
Shqiptarët akoma e kujtojnë sa brutalisht u rrëzua një regjim diktatorial komunist, jo vetëm sepse erdhi erdhi era e ndryshimit, por mbi të gjitha ishte një sistem i kalbëzuar ekonomik që degradoi në tollonat e varfërisë ekstreme. 
Sot nuk kemi tollona, por kemi një ushtri me njerëz që marrin akoma “ushqimet me lista” në dyqanet e lagjes, të cilët tashmë dhe ato me vendosjen e taksës së TVSH-së do t’i bashkangjiten ushtrisë së varfërisë shqiptare. 
Qeveria do t’i hedhi “hi syve” shqiptarëve, që gjoja po reformon sistemin social, kur sipas të gjitha statistikave ndërkombëtare, ne jemi të fundit në Europë për buxhetimin dhe mbështetjen sociale në raport me popullsinë. 
A mund të më thotë dikush për çfarë sistemi të ri, dixhital apo informatik pikëzimi flasim ne, kur aktualisht 80 mijë familje marrin më pak se 1 euro në ditë, ndërkohë që pragu i varfërisë ekstreme sipas standarteve të Bankës Botërore është 2 $ për person në ditë. 
A e kuptoni sesi mund të mbajnë frymën gjallë rreth 300 mijë shqiptarë më më pak se 300 lekë në ditë, që mjaftojnë vetëm për të blerë një byrek!!! 
Ky është kulmi i talljes, i nëpërkëmbjes dhe i përbuzjes për një popull të tërë! 
Çfarë krimi kanë bërë këto 20 mijë familje që janë përjashtuar nga skema aktuale??? Avokatët e qeverisë klithin duke thënë se i kanë kapur me televizor në shtëpi, apo me lavatriçe. Sa tragji-komike është kjo situate për të gjithë ne. 
Nuk dua të bëj siç ndodh rëndom që të rrëmojmë për të gjetur 1, 2 apo 10 fakte të abuzimeve me skemën. Por askush nuk është aq naiv që të haj sapunin për djath që gjoja njerëz më shtepi dhe makina paskan nevojë për një byrek më shumë në ditë!!! 
Nëse për ato 20 mijë familje qeveria u’a hoqi dhe frymëmarrjen e mbijetesës, të jeni të sigurtë se 60 mijë familjet e tjera të skemës, të cilat i mbijetuan skemës së pikëzimit të famshëm, sërish do vënë në gjumë fëmijët e tyre të paushqyer. 
Mesa duket Kryeministri të babëzitur nuk po i del e keqja me varfanjakët dhe të vobektët që i çoi në “litarin e qelisë” për një faturë elektrike, ndërsa miqtë e tij grabisin asetet publike dhe boshatisin “arkat e shtetit” me qindra milion euro koncesione. 
Ne kemi shpalosur prej kohësh para qytetareve tanë “alternativën qeverisëse” dhe planin tonë ekonomik, me fokus reduktimin e varfërisë dhe pabarazisë, reduktimin e taksave dhe përmirësimin e klimës se biznesit për të stimuluar prodhimin vendas, për të tërhequr investimet e huaja dhe për të hapur vende te reja pune, kryesisht per të rinjtë tanë që kanë vrarë shpresën dhe duan të braktisin vendin, ashtu siç kanë bërë mbi 450 mijë shqiptarë në 5 vitet e fundit. 
Ne jemi një forcë politike që kemi prezantuar një plan konkret, planin kundër varfërisë, si një kurë jetike kundër sëmundjes së varfërisë”, e cila në themel të saj nuk jep lemoshë, por një ndihmë ekonomike dinjitoze për familjet në nevojë. Ne kemi një vizion dhe një qasje transformuese, krejtësisht e ndryshme nga skemat aktuale parazitare e lëmoshës. Ne përqafojmë idenë se çdo qytetar shqiptar duhet ti garantohet ajo që në konceptet moderne ekonomike dhe të mbështetjes sociale quhet “Të ardhurat Bazike Universale”. 
Konkretisht, ne besojmë se mund ti japim fund varfërisë absolute për çdo shqiptar vetëm nese: 
Fondi i Ndihmës Ekonomike do të shkojë në rreth 2 % të GDP-së. 
Kjo do të thotë se mbi 80 mijë familje me mesatarisht 4 anëtarë do tju jepet nga qeveria rreth 240 $ në muaj për çdo familje, pra 2 $ në ditë për çdo anëtar të saj në mënyrë të tillë për të kaluar pragun e varfërisë absolute. 
Kështu, përmes kësaj skeme mbi 300 mijë të varfër do të dilnin nga varfëria absolute në të cilën ndodhen aktualisht. Për ne si forcë progresiste dhe europianiste e së majtës, “shpëtimi nga varfëria absolute” e mbi 14% e popullsisë është financiarisht e mundur dhe realist si objektiv i realizueshëm. Mjaftojmë që të kursejmë 2 koncesione abuzive në shëndetësi dhe kjo skemë do të jetë mjaft efikase.Impakti ekonomik do të jetë i shpejt dhe i drejtpërdrejtë në konsumin bazik të këtyre qytetarëve, për të rikthyer shpresën e mbijetesës për këto familje si një detyrim universal për çdo qeveri. Sipas planit tonë, kjo skemë e ndihmës ekonomike do të jetë e mundur maksimumi për 2 vjet për këto familje sepse ne besojmë se gjatë kësaj periudhe atyre do t’u jepet një shans për tu futur në tregun e punës përmes edukimit, kualifikimeve dhe trajnimeve, të cilat do të jenë kushtëzues për përfitimet e skemës. 
Në mbyllje te fjalës time, unë e di se shumë prej jush në këtë sallë janë skeptikë. Do të fillojnë që të thonë këto janë përalla, duke nënqeshur se “nuk kemi buxhet”, “nuk bëhen kështu financat”, “nuk jemi në Danimarkë këtu”. Por unë nuk impresionohem aspak. Sepse të gjitha këto edhe mund të jenë të vërteta dhe fatkeqësisht ne nuk jemi Danimarkë, madje as të krahasueshëm me vendet e rajonit. Por të vërtetën e hidhur ua kemi borxh që tua themi shqiptarëve. 
Është shumë e trishtë dhe ironike që vlera e tregut e vetëm një dërgese kokaine të kapur në Maminas do të mjaftonte për të rikthyer shpresën 80 mijë familjeve shqiptare të varfëra! Zoti e bekoi Shqipërinë me pasuri dhe është detyra jonë që mos të tolerojmë askënd që ta mallkojë atë popullin e tij me varfëri! Qoftë ky dhe Kryeministri i babëzitur! Sot duke ardhur në Parlament, bashkë me Klajdën,në hyrje të parlamentit më ndaloi një zotëri i cili në pamje të jashtme ishte i lodhur si nga veshja dhe nga rrathët e syve të tij. Më dha një letër dhe tha i kam drejtuar letër deputetit të zonës dhe kryeministrit. E mora me dëshirë por edhe skeptike se thashë mund të jetë si shumë letra që mund të kërkojnë gjëra pafundësisht. Çudia ishte që kishte të bënte me ndihmën ekonomike faktikisht. Letra vjen nga Pavllo Shegani. Sot iu them dhe mediave do ta keni te trau i Parlamentit. Mban disa zarfa për ti dorëzuar deputetëve. 
Ju lutem z.Kryeministër dhe për sa kohë do të keni ekonomistë kaq të zgjuar me sistemin tuaj dhe pikët që duhej të merrja nuk i dinte as Ministrja e Çështjeve Sociale. Zotërinj unë jam Pavllo Shegani, 60 vjeç familja ime përbëhet nga 5 persona por në këtë kohë kam edhe një vëlla në ngarkim i cili është i paaftë dhe 57 vjeç. Nuk merr asnjë lloj ndihme ekonomike pasi aplikoi dhe doli fitues me zero lekë. Si mund të jesh fitues kur ke zero lekë. Vetëm në Shqipëri ndodhin këto gjëra. Është një letër shumë e gjatë, ka dy fëmijë që i ka studentë të cilët mundohen të punojnë por është e pamundur. Njëri prej tyre ka fituar dhe një gjysmë burse por dhe sot e kësaj dite nuk e ka marrë. Dhe vazhdon pafundësisht dhe ajo që të bën më shumë përshtypje në të gjithë kalvarin e vuajtjeve të ne takimet me deputetin apo me ministren etj është që thotë: Varfëria z.Kryeministër sjell sherrin në shtëpi, zënkat mes familjeve dhe kjo sjell divorce, detyrohen të kryejnë veprime të paligjshme si hajdut, drogaxhinj dhe kriminel. Dhe në fakt Pavllo Nestor Shegani nga qyteti i Pogradecit, komuna Udinisht bën një rezyme të një realiteti të tmerrshëm në të cilin pjesa më e madhe e shqiptarëve jetojnë. Prandaj unë do ju bëja thirrje që të gjithëve të reflektojnë, ta harrojnë politikën për një moment por të mendojnë sado pak që tu sjellim një buzëqeshje këtyre shqiptarëve por jo vetëm këtyre 20 mijë familjeve por të gjithë shqiptarëve sepse po jetojmë një realitet shumë te hidhur, shumë të dhimbsur dhe historia do të na gjykojë për vendimet e gabuara edhe në qoftë se kemi një njeri me probleme i cili nuk di ta drejtojë vendin sepse sot kemi një Shqipëri pa drejtim. Duhet të reflektojmë të gjithë që ti japim atë çka meritojnë shqiptarët. Ne nuk meritojmë të jemi këtu por ne duhet të bëjmë të pamundurën për t’ju dhënë maksimumin shqiptarëve.