Misteri në mitingun e opozitës, mbi 140 të helmuar

Disa pjesëmarrës në hapjen e fushatës së PD-së paraqiten në spital me skuqje, kruarje dhe djegie të syve. Angazhohet anti-terrori dhe shërbimet sekrete

Mbi 140 persona, të gjithë pjesëmarrës në mitingun e hapjes së fushatës elektorale të opozitës ditën e shtunë, janë paraqitur gjatë orëve të mëngjesit të djeshëm në spitalin e Tiranës me shenja helmimi e infeksioni. Shenjat e helmimit kanë prekur dhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha, i cili gjithashtu është paraqitur në spital në orët e para të mëngjesit të së dielës. Që të gjithë të prekurit kishin të njëjtat simptoma, si skuqje, kruarje dhe djegie të syve apo dhe irritim në fytyrë dhe në pjesën e qafës. Disa prej tyre kanë shfaqur edhe vështirësi të lehta në frymëmarrje. Vetëm një numër i vogël është mbajtur në spital për kujdes të mëtejshëm, ndërsa pjesa tjetër ka lënë brenda një kohe të shkurtër spitalin. Vetë të prekurit i kanë konstatuar pasojat disa orë pas mitingut të Partisë Demokratike, që u zhvillua në mbrëmjen e së shtunës para selisë së kryeministrisë. Ata kanë rrëfyer për shqetësimet që kanë ndjerë si skuqje, kruarje dhe djegie të syve, ndërsa më pas i janë drejtuar spitalit. Më të prekurit kanë rezultuar ata që ndodheshin pranë tribunës, ku ka folur kryetari demokrat, Lulzim Basha dhe kandidatët për deputetë të opozitës. Edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, tha për mediat se “kemi të bëjmë me një veprim të dëmshëm mbi organizimin e njeriut nga faktorë të jashtëm”. “Ka irritime të syve, ka dëmtime të epitelit të kornesë, është masive që tregon që ka pasur një faktor të jashtëm. Një pjesë e madhe ka pasur vetëm irritime. Këto simptoma japin dhimbje, japin skuqje, kërkojnë një pushim”, tha Shehu. Ai e përjashtoi mundësinë që një efekt i tillë të vijë nga tullumbacet, ndërsa nuk preferoi të japë shkaqet e asaj që ndodhi në mënyrë të mistershme. “Në një ambient të hapur, edhe nëse fishekzjarrët shkaktojnë ndonjë dëmtim është për personat më të afërt, jo aq masivisht. E hedh poshtë këtë hipotezë”, u shpreh ish-ministri.

Vetë kreu demokrat u shfaq dje para mediave me shenja të dukshme të irritimit në sy, ndërsa anuloi disa aktivitete elektorale gjatë paradites. Duke komentuar ngjarjen, kryetari Basha tha se kishte folur me shumë prej të prekurve. “Fatmirësisht efektet janë anësore dhe të përkohshme, jo serioze dhe të gjithë janë të vendosur. Mund të them se është detyra e autoriteteve shtetërore të vendosin para përgjegjësisë autorët, kushdo qofshin. Nëse nuk ndodh, kjo është një tjetër provë e gjunjëzimit total të shtetit. Ne do të bëjmë analizën tonë”, deklaroi Basha, i cili hodhi poshtë që ngjarja të mund të shkaktohej nga tullumbacet. Për të sqaruar këtë ngjarje janë angazhuar një numër institucionesh. Për disa orë mëngjesin e së dielës, sheshi para kryeministrisë ku u mbajt mitingu u bllokua nga policia, ndërsa ekspertët e saj po ekzaminonin vendin. Në hetime është përfshirë dhe prokuroria, ndërsa për zbulimin e kësaj ngjarjeje janë përfshirë dhe strukturat e antiterrorit dhe të shërbimeve sekrete. Dyshimet janë se mund të ketë qenë dhe një ngjarje e qëllimshme, por mbetet ende e paqartë se çfarë lënde mund të ketë shkaktuar helmimin.