Ministri Gjiknuri takoi përfaqësuesit e Bankës Botërore

461
Sigal

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri priti dje në takim një ekip të Bankës Botërore, i kryesuar nga z.Salvador Rivera. Z.Gjiknuri njohu përfaqësuesit e Bankës Botërore me projektin e qeverisë së re në fushën e energjisë dhe industrisë ashtu sikurse edhe me planin e masave të këtij institucioni për zgjidhjen e çështjeve më emergjente të sektorit. Ministri shprehu shqetësim për situatën financiare në të cilën ndodhet sistemi energjetik ndërsa me theks të veçantë u diskutua mbi mënyrat për të zgjidhur problematikën e krijuar me kompaninë CEZ Shpërndarje. Bashkëbiseduesit shkëmbyen ide se si mund të menaxhohet situata aktuale me kompaninë e shpërndarjes dhe për sfidat që lindin pas zgjidhjes së konfliktit. Në këtë linjë, z.Gjiknuri e cilësoi si shumë të vlefshme ekspertizën e Bankës Botërore. Gjatë takimit u diskutua edhe në lidhje me gjendjen e kompanive të tjera në sistem si Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST). Ministri Gjiknuri shprehu angazhim për rishikimin e strategjisë për energjinë ndërsa kërkoi ekspertizën e Bankës Botërore në këtë proces të rëndësishëm.