Meta u prit sot në Kongresin Amerikan nga Kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave

466
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u prit sot në Kongresin Amerikan nga Kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave, Kongresmeni Pete Sessions dhe nga Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare Kongresmeni, Michael McCaul. Gjatë takimit u diskutua mbi çështjet dhe prioritetet e sigurisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, duke theksuar nevojën për përforcimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të luftës kundër terrorizmit, me vëmendje të veçantë ndaj krizës së refugjatëve dhe zhvillimeve në rajon dhe lindjen e mesme!
Duke biseduar mbi krizën e fundit të refugjatëve, Kryetari i Kuvendit,  Meta nënvizoi se kriza të tilla duhen parandaluar përpara se të përhapen më tej, dhe vuri në dukje se Shqipëria po bën përpjekjet e saj, jo vetëm në përballimin e kësaj krize migratore, por edhe në luftën kundër terrorizmit, të cilën e cilësoi si një sfidë globale, jo thjesht rajonale. Më tej, Kryetari i Kuvendit i njohu Kongresmenët me zhvillimet e fundit në vend dhe vuri theksin në përpjekjet e klasës politike shqiptare në bashkëpunim me partnerët strategjikë ndërkombëtarë për realizimin me sukses të reformimit të sistemit të drejtësisë, si kyç për të ardhmen e vendit. Nga ana e tyre, Kongresmenët Pete Sessions dhe Michael McCaul vlerësuan përpjekjet e Shqipërisë në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe shprehën interes e mbështetje të veçantë për avancimin e reformës në drejtësi, duke nënvizuar se SHBA kanë nevojë për një Shqipëri të fortë dhe një rajon të stabilizuar.
Në përfundim, Kongresmenët amerikanë shprehën mbështetjen e tyre ndaj Shqipërisë, si një aleat i SHBA, në përpjekjet e saj për progres dhe vlerësuan rolin e saj të çmuar në këtë partneritet. “Siguria është çështje globale jo rajonale sikurse tha me të drejtë Kryetari Meta, dhe ne duhet të mos kursejmë asgjë për të ndihmuar aleatët tanë”, u shprehën Kongresmenët Sessions dhe McCaul. Gjithashtu, Kongresmeni Sessions në një prononcim të dhënë pas takimit falënderoi z. Ilir Meta për vizitën dhe shprehu edhe një herë mbështetjen e Kongresit Amerikan për Shqipërinë. “Z. Meta, dua t’ju falënderoj që erdhët për vizitë në Uashington. Miqtë tuaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm që kanë besim te Shqipëria, por edhe te populli shqiptar. Ne mbështesim progresin që po bëni. SHBA-të duan që Shqipëria të ketë sukses dhe është e nevojshme që Shqipëria të jetë e suksesshme. Kjo mund të arrihet nëpërmjet lidershipit dhe një ditë më e mirë për Shqipërinë fillon me stabilitetin, paqen dhe duke siguruar që të gjithë shqiptarët të kenë një shans për ta bërë jetën e tyre më të mirë. Dhe marrëdhëniet tuaja me Kongresin amerikan dhe popullin amerikan tregojnë se ne do të jemi aty përkrah jush. Në emër të Kongresit amerikan unë dua t’ju falënderoj për miqësinë tuaj dhe për bashkëpunimin e mirë”, – tha Kongresmeni Pete Sessions. 
Sigal