Meta me strukturat e LSI-së në Kuçovë: Mesazhi i LSI, një mesazh i përqëndruar tek bashkëpunimi dhe jo tek konflikti

446
Sigal

Gazeta Telegraf/ Në vijim të fushatës për zgjedhjet në LSI, z. Ilir Meta mori pjesë në
një takim me strukturat e kësaj force politike në qytetin e Kuçovës.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin z. Nasip Naço, znj. Erisa Xhixho,
si dhe dy deputetët e LSI-së për Qarkun e Beratit, znj. Silva Caka dhe z.
Gledion Rahovica.

Kryetari i LSI-së foli me të pranishmit për zgjedhjet e 6 nëntorit, ku
do të votohet për Kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe për të
zgjedhur të gjithë delegatët për në Konventën Zgjedhore të LSI-së, që
gjithashtu do të zgjedhë të gjithë ekipin e ri drejtues në nivel Kombëtar të
LSI-së.

Gjithashtu, z. Meta u shpreh se LSI është mjaft e konsoliduar në sytë e
opinionit publik si një forcë tepër e përgjegjshme për të ardhmen europiane.

“Mesazhi i LSI bën diferencë të madhe me mesazhet e të tjerëve sepse
është një mesazh i cili është i përqendruar tek e ardhmja, tek e nesërmja.
Është një mesazh që është i përqendruar tek zgjidhja e problemeve, dhe jo tek
krijimi i problemeve të reja. Është një mesazh i përqendruar tek bashkëpunimi
dhe jo te konflikti. Sepse qytetarët janë të lodhur nga konflikti politik dhe
ai nuk ofron zgjidhje, veçse vështirëson zgjidhjet që duhen për njerëzit. Për
ne kanë nevojë ata të cilët kanë nevojë për shërbime më të shpejta, më të
ndershme, më transparente dhe këtu përfaqësuesit tanë duhet të bëjnë
diferencën. Tani është koha që të kërkojmë një përfaqësim dhe një performancë
të re nga të gjithë përfaqësuesit e LSI në të gjitha nivelet. Dhe përmes kësaj
cilësie ne do të forcojmë akoma më tej imazhin e LSI dhe ky imazh do të jetë
edhe mesazhi që duhet të perceptohet nga të gjithë”, – u shpreh z. Meta.

Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta vlerësoi punën e bërë gjer më tani nga
strukturat, ndërsa kërkoi një angazhim edhe më të madh për të zhviluar një
proces organizativ të shkëlqyer, transparent, por njëkohësisht edhe një proces
politik reflektues.

“Kemi përpara zgjedhjet për kryetar dhe për delegatë të LSI për
Konventën Zgjedhore në 6 nëntor. Duhet që të gjithë këtë kohë përpara ta
shfrytëzojmë për të zhvilluar një proces organizativ të shkëlqyer,
transparent,model. Por njëkohësisht edhe një proces politik reflektues brenda
LSI-së për të parë jo vetëm arritjet, por njëkohësisht edhe për të qenë kritik
ndaj gjithçka që ne duhet të përmirësojmë më tej dhe të gjithë aktivitetin e
LSI si forcë politike, si forcë qeverisëse në nivel qendror, në nivel vendor,
në raportin e saj me qytetarët, në raportin e saj me komunitetin. Në këtë drejtim
unë shpresoj shumë edhe te pjekuria juaj, tek angazhimi juaj sepse kemi patur
këtë besim dhe kemi insistuar që LSI të ketë drejtimin e bashkisë së re të
Kuçovës që është një bashki shumë e rëndësishme. Dhe njëkohësisht shpresojmë që
ky investim që kemi bërë të shpërblehet në radhë të parë për komunitetin e
Kuçovës, për qytetarët e Kuçovës”.

Kryetari i LSI kërkoi që të shikohen të gjitha mundësitë për rritjen e
invetimeve në këtë qytet.

“Të shikojmë dhe se çfarë mund të bëjmë për të nxitur edhe investimet
private, qofshin edhe të vogla, por që ndihmojnë qoftë edhe një familje. Mendoj
se kjo është fryma që duhet të na karakterizojë. Më mirë të bëjmë një ndryshim
të vogël sot, se sa të mbajmë fjalime të mëdha pafund duke i lodhur njerëzit
akoma më tej”, – tha z. Meta.

Gjatë këtij takimi, z. Nasip Naço shprehu bindjen se me një punë më të
mirë organizative, LSI do të arrijë që të jetë forcë e parë në qarkun e Beratit
për zgjedhjet e 2017-s.

“Strukturat e LSI-së në Kuçovë janë tejet të organizuara dhe sigurisht
ne kemi ambicie për zgjedhjet e 2017-s. Janë të gjitha mundësitë që nëse jemi
të organizuar në zgjedhjet e 2017-s, të jemi forcë e parë politike në Qarkun e
Beratit. Nëse fillojmë që sot dhe jemi të hapur me strukturat në shtimin e
anëtarësisë, edhe rezultati do të jetë më i mirë”, theksoi z. Nasip Naço.

Në vazhdën e takimeve me strukturat e LSI-së, z. Ilir Meta u ndal edhe
në Urën Vajgurore ku shprehu besimin për arritjen e rezultateve të kënaqshme,
ndërsa kërkoi një impenjim edhe më të madh për të dëgjuar shqetësimet e
qytetarëve.