Meta: Kodi i Sjelljes plotësim i legjislacionit, Raunig: Të miratohet brenda këtij sesioni

404
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig kanë inicuar një tryezë pune për finalizimin e Kodit të Sjelljes së deputetëve, e cila është mbledhur sot në ambientet e kryesisë së Kuvendit. Në këtë tryezë do të shqyrtohen me organet drejtuese të Kuvendit dhe ekspertët ndërkombëtarë praktikat dhe standardet më të mira mbi draftin e kodit të sjelljes, i përgatitur nga grupi i punës i parlamentit në fillim të kësaj legjislature. Kreu i Kuvendit Ilir Meta tha gjatë këtij takimi se “ky kod sjelljeje duhet parë si plotësim i legjislacionit ekzistues”. 

“Mendoj se kemi në tavolinë një kod të besueshëm, hartimi i tij në praktikat më të mira ndërkombëtare. Në hartimin e tij kanë shërbyer si udhëzues, praktikat e Britanisë etj. Rikonfirmoj vullnetin për miratimin konsensual të kodit të ODIHR. Mirënjohje për përkushtimin e ambasadorit Florian Raunig. Ju ftoj ta vlerësoni këtë kod”, tha Meta. 

Nga ana e tij Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z. Florian Raunig vuri theksin tek miratimi i kodit të etikës i cili shihet si një element i rëndësishëm në kulturën demokratike. Duke uruar që ky takim të mos ishte i fundit, Raunig tha shpresonte që kodi të miratohej deri në fund të këtij sesioni parlamentar. “Politika nënkupton integritet moral, në Shqipëri në Europë dhe kudo në botë. Për këtë arsye kodet e etikës shihen si një element i rëndësishëm në kulturën demokratike. Gjatë viteve të fundit drejtuesit e Kuvendit nga të dyja palët kanë rishikuar rregullat dhe kanë ndërmarrë disa reforma thelbësore. Tani ju duhet të bëni hapin e radhës të zhvilloni standardet e etikës së sjelljes parlamentare. Prezenca e OSBE-së përshëndet përpjekjet për të intensifikuar progresin e bërë në këtë drejtim. Shpresoj që ky takim të mos jetë i vetmi, por të shënojë një gur themeli në finalizimin dhe miratimin e kodit deri në fund të këtij sesioni parlamentar”, tha Rauning. 

Tryeza e punës u zhvillua sot pasdite në kryesinë e Kuvendit. Tryeza do të ofrojë mundësinë që të diskutohen me organet drejtuese të Kuvendit dhe ekspertët ndërkombëtarë praktikat dhe standardet më të mira si dhe drafti paraprak i kodit të sjelljes i përgatitur nga grupi i punës së Kuvendit në fillim të kësaj legjislature. 
Sigal