Meta dekreton: Kuvendi i ri, mblidhet më 9 shtator

494
Të gjitha hapat deri në nisjen e punës së deputetëve dhe ministrave të rinj. Çfarë përcakton Kushtetuta dhe veprimet e Presidentit
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dekretoi mbledhjen e parë të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit për më 9 shtator. Ndonëse e shtunë, deputetët e rinj do të thirren në seancë në orën 10:00 për t’i dhënë startin legjislaturës së nëntë të Kuvendit. “Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë”, thuhet në Kushtetutë, ku përcaktohet se “Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati”. Gjithnjë në bazë të Kushtetutës, deputetët do të bëjnë betimit para nisjes së ushtrimit të mandatit dhe do të zgjedhin kryeparlamentarin e ri, që do të jetë Gramoz Ruçi, i propozuar nga Partia Socialiste. 

Më pas, Presidenti Meta do të presë formalisht kërkesën e Partisë Socialiste për të mandatuar Edi Ramën me formimin e qeverisë së re. “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”, thuhet në Kushtetutë. Aty përcaktohet se në qoftë se Kryeministri i emëruar nuk miratohet nga Kuvendi, Presidenti emëron një Kryeministër të ri brenda 10 ditëve. Megjithatë, Partia Socialiste gëzon mbështetjen e duhur në Kuvend, duke pasur 74 mandate të fituara më 25 qershor. Me marrjen e dekretit nga Meta, kryeministri duhet të dërgojë në Presidencë emrat e ministrave të rinj, për të cilën Kreu i Shtetit duhet të nxjerrë dekretin përkatës. Më pas, procedura do të zhvendoset në sallën e Kuvendit. “Kryeministri i emëruar i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij”, theksohet në Kushtetutë. Mbështetja e pritshme nga deputetët socialistë dhe me shumë gjasë edhe 3 votat e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet nuk do të jenë hapi i fundit për qeverinë e vogël të Edi Ramës. “Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës”, theksohet në Kushtetutë. Ndaj Rama dhe ministrat e tij do të duhet të rreshtohen përpara Ilir Metës për t’u betuar dhe për të marrë dorazi dekretet përkatës të emërimit në detyrë. Nga ky moment, ata “do të jenë të lirë” të nisin mandatin e dytë qeverisës, pas fitores në zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit 2017. Me dekretet e firmosura nga Ilir Meta, kryeministri Rama dhe ministrat do t’i drejtohen selisë së kryeministrisë për të marrë vendimet e para, që tashmë po përgatiten.
Sigal