Meta-Ader: Hungaria mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në BE

509
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti Presidentin e Hungarisë, Janos Ader, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të Presidentit Ader në Tiranë, duke theksuar se Hungaria është një mik dhe aleat i veçantë për shqiptarët, dhe ka qëndruar gjithnjë pranë nesh në momente të veçanta të historisë sonë. 
“Por mbi të gjitha mbetemi gjithnjë së bashku, si aleatë në NATO dhe partnerë në Bashkimin Evropian, për t’u përballur me sfidat e përbashkëta që cenojnë kontinentin tonë”, theksoi Meta.Presidenti i Hungarisë, Janos Ader, nënvizoi se Hungaria është mbështetëse e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke vënë në dukje se “alfa dhe omega e progresit dhe e hapjes së negociatave është reformimi i sistemit të drejtësisë”. 
Në këtë kontekst, kryetari i Kuvendit z. Meta u shpreh se procesi i reformës në drejtësi është thelbësor jo vetëm për integrimin evropian të vendit, por edhe për krijimin e një klime më të besueshme biznesi. Meta u shpreh se Shqipëria mbështetet tek përkrahja dhe eksperienca e Hungarisë në drejtim të integrimit evropian si dhe mirëpret investimet hungareze në vend. Në përfundim, kryetari Meta dhe presidenti Ader diskutuan mbi zhvillimet në rajon, duke ndarë bindjen se bashkëpunimi rajonal është kyç për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të të gjithë vendeve tona.
Sigal