Marrëveshja PS-LSI, Vasili: Rëndësi ka ndershmëria

417
Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili, u shpreh se marrëveshja e Lëvizjes Socialiste për Integrim me Partinë Socialiste ishte një marrëveshje 4 vjeçare dhe ajo duhet të vlerësohet nëse bashkëpunimi ka qenë i ndershëm dhe çfarë të mirash i ka sjellë vendit. Vasili tha se LSI i qëndron marrëveshjes deri në fund, ndërsa për zgjedhjet e Kavajës, konfirmoi qëndrimin e kreut të grupit të LSI-së, Luan Rama, se kjo forcë nuk do të regjistrohet në zgjedhje.

Marrëveshja e 1 prillit mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë një marrëveshje 4 vjeçare por për Ministrin e Drejtësisë Petrit Vasili, kur të vijë koha, do të bëhet një vlerësim se sa të ndershëm kanë qenë aleatët mes tyre në këtë bashkëpunim.

Petrit Vasili: Një prilli ishte një marrëveshje politike që kishte të bënte me 4 vjet. Besoj se datat janë thjesht një konvencion, në themel të gjithave mbetet sa do të qëndrojë në kohë marrëveshja, sa ndershmërisht respektohen dhe ç’të mira i sjellin vendit

Lidhur me zgjedhjet në Kavajë, Ministri i Drejtësisë Vasili u shpreh se i qëndron deklaratës së kreut të grupit parlamentar të LSI-së, Luan Rama.
Për Vasilin, zgjedhjet në Kavajë do i udhëheqë Partia Socialiste, pasi asaj i takon të propozojë kandidatë, ashtu siç bëri edhe në 2015 me Elvis Rroshin.

Petrit Vasili: “Eshte një garë që në këtë bashki do ta udhëheqë PS sikurse më parë zgjodhi kandidatin që kishte probleme serioze me dekriminalizimin dhe do të zgjedhë kandidatin tjetër”.
Sigal