Majlinda Keta: Sot ka Rilindje dhe nuk ka më PS, Blushi shteron nëse nuk ndërmerr aksion politik

133
Majlindja Keta, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke analizuar kririkat që i bëhen qeverisjes së Rilindjes dhe lidershipit të saj, pohon se Rama ka qënë edhe është “vetja” e tij politike që nga 2003 dhe se Blushi me shokët e tij, i mundësuan Ramës marrjen e të gjitha pushteteve, për të cilat e kritikon sot. PS-ja, sipas zonjës Keta, e ka mbaruar misionin e saj që në 2005, ndaj sot duhet një lëvije e re partiake, që të përfaqësojë të Majtën socialiste. Kanabistët dhe ata të prekujt nga avujt e kanabis politik, sot nuk duan t’ia dinë më se cilët janë socialistët e vërtetë. Ndaj, sipas zonjës Keta, Blushit do t’i shterojnë mendimet, nëse nuk ndërmer veprim dhe aksion politik që të shërojë të Majtën socialiste. 
-Zonja Keta, si një majtiste dhe një mendim kritik i së majtës, në opozitë dhe pushtet, a mund të shpreheni, se kritikat e Blushit, sa shprehin edhe shqetësimin e socialistëve të vërtetë, për qeverisjen e Rilindjes? 
Në mendim, Blushi është një socialist i spikatur. Nuk ka frazë të artikuluar prej tij që nuk ka në përmbajtje filozofinë politike të së Majtës. Pena e tij ofron ide dhe analiza si askush në diskursin politik të së majtës moderne. Si i tillë, ai shpreh dhe artikulon mrekullisht shqetësimet e socialistëve të vërtetë. Ai në një farë mënyre haptazi, për të majtë e të djathtë, pohoi ndryshimin që ka mes socialistëve të vërtetë dhe rilindasve qeverisës.
– A duhej që Ben Blushi të kritikonte në këto momente, që jemi para zgjedhjeve të 21 qershorit? 
Në mënyrën si është kthyer jeta politike shqiptare, vetëm luftë dhe asnjëherë paqe, brenda dhe mes partive, nuk ka momente para dhe paszgjedhore. Ne, qytetarëve, kjo formë e të bërit politikë, pra politika konfliktuale, na ka bërë të ndjehemi nën refrenin “nga lufta vijmë, në luftë shkojmë…”. Si e tillë, edhe për Blushin nuk ka paqe në ullinj të politikës, pra ai thjesht veproi nën formulë të cilën e ndjekin nga Kryetari i vet deri tek pushtetmbajtësi më i thjeshtë politik në Shqipëri.
– Çfarë fshihet pas kritikës së Ben Blushit, ndaj Rilindjes? 
Kërkimit konspiratorist i është djegur skadenca në këtë rast. Janë me dhjetëra të majtë e socialistë që kanë folur qysh nga viti 2005, po aq troç dhe plot argument sa Blushi. Ka të majtë që nisën edhe lëvizje politike për ta shëndoshur politikisht opozitarizmin dhe pushtetmbajtjen e partisë së Ramës dhe qeverisjen rilindase. Blushit tani i ka skaduar edhe vetë mendimi i tij nëse nuk kryen një veprim a aksion politik, që do t’i shërbente shërimit të gjëndjes të së Majtës në pushtet, por mbi të gjitha ekzistencës së asaj vetë. Raporti nuk është më me Rilindjen, konceptin fikshën që me Veliajn përmbylli transplatimin e trurit që Rama kreu në PS bashkë me skuadrën ‘Mjaft’ dhe ‘G99’. Sot ka një parti Rilindje dhe nuk ka më PS. Rama u tregua aktor dhe autor i suksesshëm i një lëvizje politike, ndërsa Blushi me shokë që u bashkëngjitën me to problemin e kanë me “identitetin” e supozuar nën siglën e PS-së. Kritika e Blushit është nën mision të idealit dhe programit socialist, kur vetë PS nuk ka më. Ka socialistë në mënyrën si mendojnë e besojnë për zgjidhjen e problemeve në vend, por nuk ka Parti Politike të socialistëve.
– Shumë rilindas deputetë mundohen të gjejnë te kritikat e Blushit, shkaqet personale të Blushit, se sa të analizojnë thelbin e kritikave. Përse ndodh kjo? 
Njoh dhe komunikoj edhe unë me shumë rilindas, deputetë e të tjerë që vetëquhen socialistë. Po krahas tyre ka dhe shumë intelektualë të së Majtës, që bashkuar me të parët në diskurs e argument janë edhe më të fortë se Blushi në shqetësimet që shprehin për binomim Rilindje dhe PS, në raport me zhvillimet e vendit dhe lidershipin politik. Asnjëri prej tyre, si ato që kanë pushtet, edhe në kuadër të Rilindjes, si të tjerë që Rama nuk i ka faktorizuar në Rilindjen proces qeverisës, nuk i afrojnë këto diskurse vetëm për interesa personale. “Ullinjtë” e politikës, majtas dhe djathtas, zor se do linin pa i “demaskuar” këto interesa personale në se do të ekzistonin dhe ishin të ditura të paktën për 2 prej frekuentuesve të “Kafe thashethem politikës shqiptare” do i nxirrnin dhe do i demaskonin publikisht, mund t’i çonin edhe në organe gjyqësore për cënim të reputacionit moral të vetë partisë së tyre. Forca goditëse e së keqes që Blushi denoncon publikisht është shumë shumë më se e madhe kushdo qoftë interesi i supozuar personal i tij. Ndërkohë, në tregun e diskursit të Majtë ka edhe një grup tjetër të menduari që pohon se Blushi ende, edhe me këtë sjellje, luan për aksionin e rradhës të Ramës kundër pjesës së mbetur socialiste. Të gjithëve bashkë, akuzues dhe hipotetizues, do i ftoja që të mblidheshin në emër të së Majtës dhe të shihnin shkaqet dhe thelbet e fakteve dhe fenomeneve të denoncuara nga Blushi. Blushi nuk është pasagjer dosido në autobusin ku nuk i flitet shoferit, sikurse dijmë se vetëm me Blushin nuk shërohemi nga e keqja që denoncon ai, pasi vetë Blushi nuk preferon të zbresë nga autobusi, ndonëse nuk i pëlqen shoferi! Zhvillimi ynë, qoftë edhe ky politik, nuk mund të bëhet me autobusë që serbatori i benzinës nuk i çon dot me ndihma e zhvillim brenda kufinjve tanë shtetërorë, as deri në Kukës, ndonëse kemi Rrugën e Kombit. 
– Reagimi i kryeministrit ndaj kritikave, ka qënë i drejtpërdrejtë, duke thënë se “Jemi në drejtimin e duhur”. Është reflektimi që duhet? 
Pohimin kryeministri – kryetar partie e ka bërë qasur objektivave të veta politike qysh në vitin 2003 dhe unë unë bashkohem me të se është në optimumin e drejtimit të tij politik. Rama ka qenë dhe është VETJA politike qysh nga kjo periudhë. Një njeriu me aq pushtete, që i mundësoi Blushi me shokë, edhe kur nuk ndjehet në drejtim, DUHET të pohojë publikisht se është në drejtimin e duhur. 
-A mund të flasim sot për një realitet të tillë politik: Që tjetër është Rilindja dhe tjetër është PS? Të tjerë janë socialistët e vërtetë dhe të tjerë janë krenaristët e Rilindjes? 
Kanabistëve dhe atyre të prekurve nga avujt e kanabisit politik, pas 2005 në PS pak iu intereson se kush janë dhe çfarë janë socialistët e vërtetë. I takon këtyre të fundit që të çlirohen nga kanabistët dhe atyre që avujt i kanë trullosur.
-Thonë që Ben Blushi kërkon të bëhet përfaqësues i elektoratit të papërfaqësuar nga partitë e tanishme politike. 
Për këtë duhet pyetur vetë Blushi. Unë di që ka shumë intelektualizëm politik të majtë të papërfaqësuar.
– A mendoni se duhet një tjetër parti socialiste, nga kjo PS e Rilindjes?
Fraza juaj e fundit, Blushi dhe rrjedhjet e shumë ngjarjeve të rënda në zhvillimet social- politike kohët e fundit në vend rikonfirmon qartësisht se deklarimi i Rilindjes ishte një pohim i ngjashëm me pranimin e vdekjes dhe nisjen e një procesi tjetër jetësor, në atë që në 2005 quhej PS. Këtu përfshihen edhe aleatët me dhe pa moral në koalicionin e fundit të kryesuar nga Rilindja. Kjo bashkohet me konfirmimin e kryeministrit se ato janë në drejtimin e duhur. Problemi mbetet për zgjidhje për të majtën europianiste në Shqipëri dhe fatet e saj në kushtet e krizës morale politike sociale që po kalon vendi dhe politika sot. “Hasanizimi” blushian ishte vetëm një shpjegim konician i krizës së partive politikë në Shqipëri. Rilindje me jetë të gjatë nën instrumentin hasanizim nuk do ketë, por Shqipërisë për jetë të gjatë i duhen parti politike pa hasanizime, heshtanakë dhe arlekinë politikë. Nga çdo e keqe do dalë një e mirë, kjo edhe për politikën e Majtë. PS- ja me sa duket misionin e përmbushi deri në 3 korrik 2005-së. Rradha është e një force tjetër të majtë, me program, statut dhe figura funksionale me dinjitet dhe moral.