Lulzim Basha, Kreu i ri i PD-së, falenderon demokratët: Bashkë drejt sfidave të reja

504
Sigal

 Kryetari i ri i PD-së, Lulzim Basha falënderoi dje simpatizantët dhe votuesit demokratë për mbështetjen dhe urimet për fitoren e tij në drejtimin e partisë, pas dorëheqjes së liderit historik Sali Berisha. Në një postim në rrjetin e tij social, Basha teksa falenderon mbështetësit i bën thirrje që së bashku të ecin drejt sfidave të reja. “Të dashur vëllezër dhe motra anëtare te familjes tone demokrate, të nderuar zonja dhe zotërinj, militantë , mbështetës, simpatizantë dhe votues të Partisë Demokratike, të dashur bashkëqytetare e bashkëkombës, ju falenderoj me mirënjohje të thellë për urimet, përgëzimet dhe mbështetjen tuaj përmes mijëra mesazheve dhe postimeve. Të bashkuar dhe të vendosur le të ecim së bashku drejt sfidave që na presin dhe ti kthejmë ato në shanse dhe mundësi për demokratet dhe gjithë shqiptarët! Përshëndetje të përzemërta, Lulzim Basha”.

 Kryetari i ri i Partisë Demokratike konfirmoi ngritjen e strukturave në mbrojtje të administratës publike

Lulzim Basha: “Do t’u japim konsulencë falas atyre që do t’i largojnë nga puna”

“Unë do të punoj fort që Partia Demokratike, grupi i saj parlamentar dhe gjithë potenciali i saj njerëzor të angazhohen në një opozitë të fortë, gardiane e pakompromistë e interesit publik. Ne do të vigjilojmë me vendosmëri dhe pa asnjë lëshim për mbrojtjen e shtetit ligjor, institucioneve dhe administratës publike nga arbitrariteti dhe abuzimi me pushtetin”. Këtë premtim Lulzim Basha e kishte pjesë të fjalimit të tij programatik, kur kandidoi për postin e kreut të Partisë Demokratike dhe që e zhvilloi më pas në të gjitha takimet me anëtarësinë e Partisë Demokratike. Duke e shndërruar në një nga tezat kryesore të tij dhe duke u premtuar demokrateve dhe qytetarëve të tjerë se Partia Demokratike do të mbronte çdokënd që Qeveria e re do të largonte padrejtësisht nga puna. Tani që është zgjedhur në krye të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka ngritur menjëherë një grup juristësh, që po punojnë për ngritjen e kësaj strukture, e cila do të gjendet pranë çdo dege të Partisë Demokratike në rrethe dhe që do të koordinohet nga qendra nëpërmjet një grupi të posaçëm për këtë çështje. Zoti Basha konfirmoi  se këto zyra në të gjithë vendin do të përbëhen nga juristë ekspertë për të drejtën administrative dhe kushtetuese, të cilët do t’u japin konsulencë të gjithë atyre të cilët do të ankohen për largim të padrejtë nga puna. Kryetari i ri i Partisë Demokratike konfirmoi gjithashtu se struktura e re në mbrojtje të administratës publike do të ketë në përbërjen e saj avokatë që do të mbrojnë interesat e të dëmtuarve nga Qeveria e re, shërbim i cili do të ofrohet falas nga Partia Demokratike. Opozita e re po bëhet gati që ta ketë të ngritur këtë strukture dhe ta ketë funksionale përpara se Qeveria e Kryeministrit Edi Rama të bëjë betimin tek Presidenti, duke qenë e gatshme gjithashtu të çojë për ndjekje penale çdo titullar institucioni që provohet se është në shkelje të ligjit.