Lulzim Basha: “Javën tjetër koncesioni për terminalin”

72

Kryebashkiaku i Tiranës: “Tregues i qartë se ne flasim me vepra dhe jo me fjalë, ne i mbajmë premtimet tona!”

Në mbledhjen e fundit të qeverisë së kryesuar nga kryeministri Berisha pritet të miratohen edhe aktet e fundit të saj që lidhen me propozimin e bashkisë së kryeqytetit për shpronësimet për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës. Ky fakt është bërë i ditur nga Kryebashkiaku Lulzim Basha, i cili tha se javën që vjen do të lidhet kontrata me firmën fituese për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës. “Nesër, qeveria do të kalojë aktet e nevojshme për shpronësimin dhe po kështu gjatë javës do të lidhet kontrata me firmën fituese, pasi të merren edhe aprovimet e nevojshme nga organizatat që bëjnë financimin, në këtë rast Fondi i Zhvillimit të Abu-Dhabit”, theksoi Basha. Po ashtu kryetari i bashkisë dha detaje edhe për fillimin e procedurave për ndërtimin e terminalit të ri të pasagjerëve ndërsa siguroi se angazhimi i tij është të flasë me vepra për banorët e kryeqytetit.“Për të bërë këtë vepër realitet, ne jemi angazhuar që ditën e parë, në bashkëpunim me BERZH dhe ka qenë pikërisht ky angazhim serioz që ka sjellë në një kohë rekord hartimin e fizibilitetit, hartimin e projektit, përzgjedhjen e projektit fitues dhe siç jeni informuar, javën e ardhshme ne nisim procesin e koncesionimit të terminalit. Terminali do të ndërtohet përmes një formule koncesioni, çka do të thotë se taksapaguesit e Tiranës apo taksapaguesit shqiptarë nuk do të nxjerrin asnjë lek nga xhepat e tyre por do të ndërtohet me fonde private dhe në këtë terminal do të strehohet stacioni i ri i trenit, në hyrje të qytetit të Tiranës, jo në Vorë, do të strehohet stacioni i tramit për linjën hyrje e qytetit – bulevardi i ri – “Zogu i Parë”- “Dëshmorët e Kombit”- “Nënë Tereza”, do të strehohet terminali i autobusëve, për të gjithë autobusët ndërurbanë dhe furgonët e licencuar ndërurbanë që hyjnë dhe veprojnë në qytetin e Tiranës, të gjithë do të stacionohen aty, pra nuk do të ketë më stacione as të ligjshme, as të paligjshme” u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës. Ndërkaq ende mbetet dilemë se kur do të thërritet mbledhja e këshillit bashkiak të Tiranës. Sipas Kryebashkiakut Basha, Këshilli Bashkiak do të mblidhet atëherë kur kërkesa të bëhet në mënyrë të ligjshme.

 

Përfundon ndërtimi i rrugës “Pandi Stillu”

 Me një investim prej 35 milionë lekësh, ka përfunduar ndërtimi i rrugës “Pandi Stillu”, në njësinë bashkiake nr.8. Kjo rrugë ka një gjatësi afro 500 metra linearë, me gjerësi totale të rrugës 6 metra, me trotuare 1 m në të dy anët e rrugës dhe do u shërbejë mbi 4000 banorëve. Punimet në rrugë janë paraprirë nga ndërtimi i rrjetit të  ri  të kanalizimeve  për  ujërat e zeza, ujërat e shiut dhe ujësjellësit. Përgjatë rrugës është vendosur ndriçimi, ndërsa muret rrethues të shtëpive që janë prishur nga ndërtimi i rrugës, janë zëvendësuar me kangjella. Kryebashkiaku Basha, i pranishëm në përfundimin e punimeve në këtë rrugë, i konsideroi punimet, si shenjë të përkushtimit të Bashkisë, për të sjellë të njëjtin standard në çdo cep të qytetit, duke i dhënë fund diskriminimit mes qendrës dhe periferisë. “Sot rikthehemi pranë komunitetit të banorëve të kësaj zone të lagjes nr.8, komunitet, i cili është i vendosur këtu prej 10-15 vitesh, por që gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka pasur kushtet minimale, si  infrastrukturën rrugore, kanalizimet apo ujësjellësin dhe që sot në një gjatësi prej afro 500 metrash por që u shërben mbi 4000 rezidentëve të kësaj zone, ka kushte të barabarta me çdo pjesë tjetër të ndërtuar rishtas në qytet, në qendër apo periferi. Është pa dyshim një tregues i faktit se Bashkia e Tiranës u shërben qytetarëve të kryeqytetit, kudo ku ndihet nevoja, pa diskriminim midis qendrës dhe periferisë, sigurisht me një vëmendje të veçantë për ato zona, të cilat kanë mbetur jashtë vëmendjes dhe janë neglizhuar për dekada me radhë. Po ashtu, është tregues i qartë se ne flasim me vepra dhe jo me fjalë, i mbajmë premtimet tona. Premtim pas premtimi, rrugë pas rruge, cilësia e jetës në qytetin e Tiranës po ndryshon. Ne jemi të vetëdijshëm se puna që na pret është ende e madhe, pasi edhe nevojat në qytet janë të mëdha, por po kështu, Bashkia e Tiranës dhe unë personalisht jemi të vendosur që të gjithë angazhimet e shprehura jo me fjalë por me buxhete të konsultuara me qytetarët e Tiranës, t’i kthejmë në vepra, në çdo cep të qytetit, për t’i ardhur në ndihmë banorëve, për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre, për t’u shërbyer atyre, fëmijëve të tyre dhe për të sjellë çdo ditë më pranë, një realitet tjetër për Tiranën tonë, realitetin e një qyteti modern europian”, – u shpreh z. Basha në prononcimin e tij.