Luan Rama: Kryeministri, turp politik përballë qytetarëve. Ja çfarë thotë Konica për nxënës si…

448
Deputeti i LSI-së Luan Rama tha gjatë seancës së sotme në Kuvend se jemi në një situatë kur qytetarët presin që serioziteti apo përgjegjshmëria jonë të materializohet në produkt për ta. Duke iu referuar përmbytjeve të fundit, Rama tha se rreth 3 javë më parë gjysma e Shqipërisë u përmbyt, jetë njerëzish u vunë në rrezik u shkatërrua prona, u dëmtuan bizneset, të mbjellat, pra u dëmtua në mënyrë të pariparueshme dhe të pakthyeshme pasuria e qytetarëve shqiptarë, dhe sot duhej të reagonim fonde ndaj këtyre qytetarëve dhe në infrastrukturën e zonave të prekura.
“Por çfarë pamë sot? Turp politik përballë qytetarëve. Sot qytetarët nuk kanë nevojë të shohin ministrat me çizme deri në gju sa herë që përmbyten, por prisnin reagimet e përgjegjshme që situata të tilla mos të ndodhin në të ardhmen”, tha Luan Rama.
Duke ironizuar Kryeministrin Edi Rama, deputeti i LSI citoi Faik Konicën.
“Ata që do të donin ti ngopnin shqiptarët me retorikë, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve. Shqiptarët honxhobonxho të lidhur pas karriges së pushtetit janë të tmerrshëm për mizori dhe kapajdallëk”, tha Luan Rama. 
Fjalimi i plotë i Luan Ramës
Në fakt diskutimi për Aktin Normativ “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin numër 130, 2016 të buxhetit të vitit 2017” do të duhej të ishte një seancë ku të demonstrohej përgjegjshmëria maksimale nga të gjithë deputetët pa asnjë dallim përkatësie partiake apo politike, sepse jemi në një situatë kur qytetarët presin që angazhimi dhe serioziteti ynë të materializohet apo të konkretizohet në produkt për ta.
Diçka në më pak se tre javë, gjysma e Shqipërisë u përmbyt. Jetë njerëzish u vunë në rrezik, u shkatërrua prona, u dëmtua në mënyrë të pakthyeshme dhe të pariparueshme pasuria e qytetarëve shqiptarë, dhe sot do të duhej që nga kjo foltore të demostronim, më së paku, qoftë edhe formalisht ndjenjë përgjegjësie përballë tyre, duke rialokuar fonde me prioritet në investime në atë infrastrukturë që bën të mundur që të mos përsëriten më fenomene të tilla.
Mirëpo çfarë ndodhi? Pamë sot këtu pamjen më të shëmtuar të sjelljes politike përballë qytetarëve; fyerje, zhargon, banalitet, kanosje, kapërdisje, dhe mbi të gjitha turp politik përballë qytetarëve, të cilët nuk kanë nevojë që të shohin ministrat të shkojnë me çizme mbi gjunjë në momentet kur bie shi dhe përmbyten, por duan të shohin sot, nesër dhe çdo ditë që punohet që përmbytje të mos ketë më. Mirëpo edhe sot nuk bëmë përjashtim nga steriotipi i sjelljes sonë politike të papërgjegjshme, dhr ç’është më e rëndësishmja, jashtë etikës dhe edukatës më minimale, me të cilën duhet të shfaqet një qytetar i zakonshëm, e jo më një njeri që ka mbi vete atributet e përfaqësimit politik dhe qeverisës.
Meqenëse këtu para të gjithëve sot foli “nxënësi i Konicës”, më lejoni që për të, të lexoj se çfarë ka thënë Konica për nxënës të kësaj kategorie.
-“Ata që do të donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend që të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve”. -“Shqiptarët honxhobonxho të lidhur pas karriges së pushtetit, janë të tmerrshëm për mizori dhe kapadaillëk”. Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm që rri pezull mbi kokën e këtij populli të mjerë”. 
Ndaj në shenjë refuzimi dhe distancimi nga gjithë ajo shfaqje e shëmtuar politike që u demonstrua sot një këtë foltore dhe në këtë sallë përballë qytetarëve, shenjë e papërgjegjshmërisë së politikës përballë shqetësimit dhe interesit të tyre, unë e ndërpres këtu diskutimin dhe refuzoj të vazhdoj të flas më tej në këtë vend, ku është shfaqur në dimensionin më alarmant shëmtia e politikës.
Sigal