Refugjatët e luftës në shqipëri: Qeveria jonë hesht për mijëra sirianë në Babru, Mali i Zi sjell ushtrinë në kufirin me Shqipërinë

1619
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kryeministri Rama e deklaroi publikisht, pas 28 qershorit 2018, që Shqipëria nuk do të hapë kampet e pritjes së refugjatëve sirianë dhe irakianë të luftës, sikundër u përfol gjatë në mediat evropiane, e sidomos ato austriake dhe gjermane, por edhe sikundër pohuan publikisht shumë zyrtarë e deputetë austriakë dhe gjermanë, se kryeministri Rama u ka ofruar atyre ofertën që Shqipëri të mirëpresë refugjatët sirianë, që ndodhen në Gjermani dhe Austri. Por, kryeministri Rama, pohoi me gjysmë zëri, se qeveria e tij do të japë kontributin për të mbajtur një numër të kufizuar refugjatësh, për aq sa i takon (pa përcaktuar numër, çfarë, dhe hollësi të tjera), si një vend që aspiron në BE.

Strategji, apo rastësi dyndjet e përditshme të refugjatëve në grupe 15-20 vetësh?

Të përditshme janë buletinet e Policisë së Shtetit, se në vendin tonë dynden refugjatë sirianë dhe irakianë në grupe të vogla, 15-25 vetash, e në të shumtën e tyre janë gra, fëmijë, në postat kufitare të Kakavijës, por sidomos të Kapshticës. Dhe, këto buletine zyrtare të shtetit shqiptar, përfundojnë me pohimin se këta refugjatë dërgohen në qendrën azilkërkues në Tiranë.

Dje: Hynë ilegalisht në Shqipëri, ndalohen 23 refugjatë në Devoll                        

Shërbimet e policisë kufitare në Devoll kanë ndaluar pasditen e djeshme 23 refugjatë nga vendet e Lindjes së Mesme të cilët kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar. Emigrantët u ndaluan në qytetin e Bilishtit dhe pas kryerjes se procedurave ne Drejtorinë e Kufirit, janë dërguar ne qendrën e azilkërkuesve në Babrru të Tiranës. Dyshohet se emigrantët janë nga Siria dhe kanë hyrë nga pika kufitare e Kapshticës. Nuk dihet nëse destinacioni i tyre ka qenë Shqipëria apo e kanë përdorur vendin tonë si rrugë kalimi për në vend.

A ka Shqipëria qendër azilkërkues?

Qeveria shqiptare nuk e ka pranuar zyrtarisht, që ka qendër azilkërkues në Babru. Dihet, që në Shqipëri kanë ardhur muzhahidinët iranianë dhe ata mbahen në qendra të caktuara, por, qendra azilkërkues Shqipëria nuk ka pranuar se ka hapur, ndërsa në buletinet policore zyrtare bëhet fjalë për këto qendra azilkërkues, madje në Babru. Atëherë, mos vallë, de fakto Shqipëria ka hapur qendrat e pritjes së refugjatëve sirianë të luftës? Sepse në Shqipëri nuk vijnë emigrantë pakistanezë, afrikanë, etj, që kërkojnë, qoftë edhe transit, në Shqipëri të punojnë. Po të mbledhim shumën aritmetike mujore të numrit të refugjatëve sirianë që hyjnë përditë në Shqipëri dhe, siç pranohet nga Policia e Shtetit, dërgohen në Babru, atëherë, mbi 800 refugjatë sirianë çdo muaj mbahen në qendrën azilkërkues në Babru të Tiranës. Shumëzo, 7 muajt e këtij viti dhe shuma del se në qendrën azilkërkues duhet të mbahen mbi 4-5.000 refugjatë azilkërkues. Shqipëria natyrisht, nuk mund t’u japë statusin e refugjatit politik, sepse, së pari, ata vetë nuk e duan, ngaqë Shqipëria nuk është vend i BE-së.

Pse hesht kryeministri Rama?

Kuptohet, që refugjatët sirianë mbahen në qendrën azilkërkues në Babru, thjesht për t’u penguar që të mos shkojnë në drejtim të Evropës. Bosnja dhe Kroacia i kanë mbyllur kufijtë e tyre, Hungaria e ka penalizuar çdo mbështetje që mund t’u jepet refugjatëve të luftës, (por edhe emigrantëve ekonomikë). Përse hesht kryeministri Rama, për përqendrimin masiv të refugjatëve sirianë në Tiranë? Përse qeveria shqiptare nuk dërgon në kufirin me Greqinë edhe ushtrinë për të mos lejuar refugjatët sirianë të futen në Shqipëri? Përse Shqipëria nuk i kthen mbrapsht refugjatët sirianë, në Greqi, nga ku kanë ardhur? Këtyre pyetjeve, qeveria shqiptare duhet t’u japë përgjigje. Heshtja e qeverisë ndaj këtyre pyetjeve, është pranim i marrëveshjeve, që kryeministri Rama mund të ketë nënshkruar me vendet e BE-së, për pranimin (në heshtje) të refugjatëve sirianë në territorin e Shqipërisë. Shqipëria nuk kthen asnjë refugjat sirian, që futet në Shqipëri, nuk reagon ndaj Greqisë, që i lejon refugjatët sirianë nëpër territorin e saj të vijnë drejt Shqipërisë. Edhe ardhja e refugjatëve sirianë drejt Shqipërisë nga Greqia, në grupe të vogla, është një strategji e mirë menduar nga ato qendra që i drejtojnë (shtete, organizata ndërkombëtare, etj, por gjithsesi nuk është rastësi dhe as trafikim emigrantësh), për të mos bërë zhurmë, për të mos ngjallur reagime publike në Shqipëri. Duke vepruar kështu, në heshtje, qeveria shqiptare, mbase përmbush marrëveshjet e saj me shtete të BE-së, që të presë dhe mbajë në Shqipëri refugjatë sirianë, në shkëmbim edhe të votës së tyre për hapjen e negociatave që pritet të merret në mesvitin e 2019-s. Shqipëria nuk ka kaq buxhet, sa të mirëpresë mijëra refugjatë sirianë, t’i mbajë, qoftë edhe me të ngrënë dhe pirë ata për një afat kohor të papërcaktuar, që mund të shkojnë edhe vite të tëra. Atëherë, lind pyetja: Kush i financon këto qendra azilkërkues (i quajmë, siç i cilëson shteti shqiptar) në Babru të Tiranës? Atëherë, kujtojmë zotimet e udhëheqësve të BE-së, të cilët pohuan në Samitin që mbajtën në Bruksel, me këtë temë, që BE-ja do të kontribuojë financiarisht në ato shtete, që do të presin refugjatët sirianë dhe nuk do t’i lejojnë të depërtojnë drejt Evropës. Prandaj, edhe kryeministri Rama hesht. Paratë për mbajtjen e refugjatëve sirianë në qendrat e azilkërkuesve në Babru i ka nga BE-ja.

Gjermania dhe Greqia nënshkruajnë marrëveshjen e kthimit të migrantëve

Në një kohë që Shqipëria po mban të gjithë refugjatët sirianë, që vijnë nga Greqia, Gjermania ia arriti që të kthejë mbrapsht në Greqi, ata refugjatë që arritën të shkojnë në Gjermani, por që u futën në BE nga Greqia. Nuk është çudi, që, paskëtaj, edhe këta refugjatë sirianë, nga Greqia të vijnë në Shqipëri, siç vijnë deri më sot mijëra bashkatdhetarë të tyre, ashtu, grupe – grupe, 15, 20, 25 veta. Ministria e Brendshme gjermane ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje që do të lejojë që ajo të kthejë azil-kërkuesit në Greqi. Kancelarja Angela Merkel dhe Pedro Sanchez i Spanjës u pajtuan për një kompromis të ngjashëm javën e kaluar. Gjermania po kërkon të arrijë një numër marrëveshjesh me vendet e Evropës Jugore, të cilat do të binin dakord që qeveria federale të kthente emigrantët, që kanë paraqitur një kërkesë azili në një vend tjetër.

Çfarë është kompromisi gjermano-grek?

Athina do të pranojë të marrë përsëri të gjithë azilkërkuesit të cilët fillimisht aplikuan në Greqi, por përfundimisht u zhvendosën në Gjermani duke kaluar nëpër kufirin gjermano-austriak. Mbetet e paqartë se çfarë do të marrë Greqia në këmbim. Megjithatë, në një marrëveshje të ngjashme me Spanjën, Berlini premtoi të ndihmonte në frenimin e numrit të emigrantëve që kalojnë Mesdheun nga Maroku. Marrëveshja nuk do të prekë shumë refugjatë. Sipas Ministrisë së Brendshme gjermane bëhet fjalë për vetëm 150 emigrantë që kanë aplikuar për azil diku gjetkë, të cilët hynë në Gjermani përmes Austrisë që nga mesi i Qershorit. Emigrantët e një krize qeveritare: vargu i marrëveshjeve bilaterale të Gjermanisë me shtetet e Evropës jugore vijnë pas kompromisit të Kancelares Angela Merkel me Ministrin e saj të Brendshëm, Horst Seehofer, që mbylli një javë me diskutime i cili ‘kërcënonte’ të ndante koalicionin qeverisës.

Mali i Zi vendos ushtrinë në kufi me Shqipërinë për të mos lejuar refugjatë sirianë

Kalimi i emigrantëve klandestinë prej Shqipërisë drejt vendeve të BE ka vënë në alarm Malin e Zi. Ministria e Mbrojtjes së këtij shteti ka bërë të ditur se prej të enjtes ushtria është vendosur në kufirin me Shqipërinë për të ndaluar kalimin e emigrantëve që vijnë prej zonave të luftës. “Kufiri do të kontrollohet nga patrulla policore të përziera të Policisë dhe Armatës së Malit të Zi, kryesisht për të parandaluar kalimet e paligjshme të kufirit shtetëror me Republikën e Shqipërisë, si dhe veprime të tjera të paligjshme në kufi dhe në zonën kufitare” , thuhet në deklaratën për mediat. Po ashtu saktësohet se nisma është marrë në bazë të vendimit të këshillit të mbrojtjes dhe të sigurisë. Për shkak të situatës së krijuar kreu departamentit për mbikëqyrjen e kufirit shtetëror të Malit të Zi paralajmëroi në muajin maj ngritjen e një muri me tela. Por që tashmë duket se pengesë do të bëhet ushtria. Por dhe mes vendeve të BE debati ka mbetur i hapur. Ku propozimi për shpërndarjen e drejtë të azilkërkuesve dhe ideja e qëndrimit në vendin e parë mbeten molla e sherrit për shtetet më të mëdha të unionit.