LSI plas “bombën” në Kuvend dhe kërkon hetim penal: 101 ton kanabis u asgjësuan pa procesverbal

463
Me tone mjaft të ashpra, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Luan Rama ka artikuluar sot akuza mjaft të ashpra të adresë të Policisë duke i hedhur edhe më shumë benzinë zjarrit në raportet me PS-në brenda koalicionit.
Sipas Luan Ramës “Kam identifikuar deri tani të paktën 13 raste të asgjësimit të lëndëve narkotike, ku nuk është mbajtur asnjë procesverbal, ku nuk ka qenë prezent prokurori, ku nuk ka qenë prezent përfaqësuesi i gjykatës. Kemi të bëjmë me provë të një procesi hetimi, të një procesi penal”, – vërejti Rama.

Por nuk është mjaftuar me kaq “Madje, më lejoni t’ju bëj të qartë që edhe 101 tonët që u sekuestruan në operacionin shumë të mirë që bëri policia në Lazarat, janë asgjësuar pa procesverbal. Pra, kemi të bëjmë me shkelje të ligjit, kemi të bëjmë me mosveprim të organit të prokurorisë përballë këtij realiteti. Prandaj është e rëndësishme, gjykoj unë, që jo të reagojmë, por të reflektojmë, të mbledhim edhe një herë strukturat që ligji na detyron t’i mbledhim, t’i vëmë në punë strukturat për të cilat ligji na bën përgjegjës, t’i drejtojmë dhe t’i organizojmë për t’i vënë në punë dhe të respektojmë rolin dhe autoritetin e gjithsecilit, sepse neve sot na mungon, të paktën Kuvendit i mungon, një analizë e detajuar se përse është kjo situatë kaq problematike me trafikun e drogës në Shqipëri? Pse është kjo situatë kaq problematike 5 herë më e lartë se një vit më parë me kultivimin e drogës në Shqipëri dhe për paradoks është kultivuar droga edhe në bjeshkët e Shkëlzenit, edhe në malin e Korabit, edhe në malin e Tomorit, edhe në malin e Gramozit, ku nuk është kultivuar asnjëherë? Ky është realiteti, të nderuar kolegë dhe nëse duam të dëshmojmë që dimë të administrojmë territorin, që dimë të kontrollojmë territorin, pikë së pari këtë duhet ta bëjmë duke zbatuar ligjin”, – deklaroi kreu i grupit parlamentar të LSI-së nga foltorja e Kuvendit.
Sigal