LSI ka një program të qartë, objektiv, të realizueshëm dhe gjithëpërfshirës

776
Ilirjana Kucana (Profesore në UT)

Sistemi demokratik i qeverisjes ka përcaktuar qartë mekanizmin e llogaridhënies, ku nëpërmjet votës qytetarët mund të shprehin vlerësimin dhe mbështetjen e tyre për alternativat e ndryshme politike. Kanë mbetur vetëm pak ditë nga data e mbajtjes së zgjedhjeve në vendin tonë dhe alternativat e ofruara për qeverisje i janë shpalosur elektoratit shqiptar. Panorama është e qartë, shqiptarët ndodhen midis zgjedhjes së alternativës së një partie të shumicës së deri djeshme arrogante dhe që nuk ka çfarë vlere të shtuar t’i ofrojë të ardhmes së vendit, një opozite të paqartë dhe të çorganizuar sikurse dhe të një force politike e cila ka dëshmuar se në veprimtarinë e saj politike është udhëhequr nga parimet e demokracisë, zhvillimit dhe stabilitetit dhe jo interesave të ngushta politike. Lëvizja Socialiste për Integrim, në sjelljen e saj politike, ka demonstruar se stabiliteti i vendit, zhvillimi i zgjedhjeve të ndershme dhe demokratike me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve politik dhe orientimi drejtë objektivave integruese kanë qenë dhe mbeten parimet bazë të saj. Konsensusi, kompromisi dhe dialogu nuk janë vetëm terma të ligjërimit politik të LSI, por janë parime bazë të cilat mishërohen në programin dhe aktivitetin politik të kësaj force politike. Rilindja e përfaqësuar nga Kryeministri në detyrë, mund të personifikohen vetëm me sjelljen arrogante dhe sjelljen e fasadës. Për ta, është e rëndësishme ngjyra e pallatit por jo niveli ekonomik i banorëve brenda atij pallati, është e rëndësishëm fasada komisariateve të policisë, por jo niveli i kriminaliteti dhe përhapja e kanabisit, për ta është e rëndësishme koncesioni i radhës i menaxhuar nga ministri i deri djeshëm i shëndetësisë, por jo fakti nëse ka apo jo ilaçe për të sëmurët, për ta është e rëndësishme që zyrat e punës të jenë të sistemuara bukur, por nuk ka rëndësi nëse njerëzit kanë apo jo një punë për të ushqyer familjet e tyre, për ta është e rëndësishme që të ketë një ligj të ri të arsimit të lartë favorizues për klientët e radhës, por nuk ka rëndësi fakti se mijëra të rinj mbeten jashtë dyerve të universiteteve për shkak të sistemit të deformuar të pranimit dhe tarifave të larta. Shëndetësia falas, 300 mijë vende pune, luftë kundër kriminalitetit dhe informalitetit mbetën slogane fushate të cilat nuk u implementuan asnjëherë. Kryeministri në detyrë e ka ‘krijuar armikun imagjinar’ që e ka penguar në arritjen e këtyre objektivave dhe tashmë kërkon të drejtojë i vetëm timonin për të ardhmen e këtij vendi. Ajo që nuk e thotë dot Kryeministri në detyrë është fakti se ka qenë pikërisht sistemi i frenimit që ka minimizuar në maksimum pasojat negative që do kishte pasur Shqipëria nëse këto katër vite do të ishte drejtuar nga një timonier i vetëm i cili ka humbur sensin e drejtimit dhe të orientimit, gjithmonë nëse i ka pasur ndonjëherë këto aftësi. Në ndryshim nga alternativat e tjera politike, LSI ka një program të qartë, objektiv, të realizueshëm dhe gjithëpërfshirës. LSI ka dëshmuar se programi i saj nuk është një slogan fushate por një manual pune për të garantuar zhvillimin dhe mirëqenien e popullit Shqiptar, realizimin e objektivave nga niveli mikro të lidhur me problemet e përditshme të qytetarëve dhe deri tek niveli makro të lidhur me objektivat strategjik dhe afatgjatë të Shqipërisë. LSI ka dëshmuar se prioritet janë të rinjtë të cilët janë e ardhmja por duke mbështetur dhe respektuar të gjitha brezat e shoqërisë, të cilët japin kontributin e tyre në zhvillimin e këtij vendi. LSI është e angazhuar në krijimin e kushteve ku gratë të jenë të përfaqësuara denjësisht në të gjitha nivelet, një përfaqësim i cili nuk lidhet vetëm me përkatësinë gjinore por më shumë me kompetencat dhe aftësitë profesionale të secilës grua. LSI ka një program të qartë dhe objektiv lidhur me zhvillimin ekonomik të vendit, ku prioritizimi i sektorëve ekonomik bëhet në bazë të analizës së potencialit të vendit. Zhvillimi ekonomik por edhe garantimi i një të ardhme më të mirë e të sigurt për fëmijët, nuk mund të arrihet pa një arsimim cilësor dhe të hapur për të gjithë ata që meritojnë dhe kanë vullnetin për të vazhduar studimet, të pa penguar nga faktorë të tjerë. Këto janë vetëm disa nga prioritetet kryesore të LSI, të cilat do të fillojnë të implementohen pas 25 Qershorit, dita kur qytetarët do të kenë në dorë të vendosin shkëputjen nga pasiguria dhe konfliktualiteti dhe të zgjedhin një të ardhme të sigurt për ta dhe fëmijët e tyre nëpërmjet zgjedhjes së alternativës së ofruar nga LSI, si e vetmja forcë politike e cila ofron garancitë për një zhvillim real për qytetarët shqiptar. 
Sigal