Lista e kandidatëve të PD-së hap debat, kush janë zërat, pro dhe kundër

41
Prej datës 26 maj, Partia Demokratike duket se është ndarë në dy kampe. Nga njëra anë janë ata që u lanë jashtë liste dhe në anën tjetër mbështetësit e kryetarit 
Të vjetrit në partinë më të madhe opozitare, lënë jashtë listës së kandidatëve për zgjedhjet e 25 qershorit, kanë hapur një debat të ashpër kundër kryetarit Lulzim Basha. Dalja e tyre në një konferencë për shtyp dhe kërkesa për të larguar drejtuesin e kësaj partie, pikërisht para zgjedhjeve, ka sjellë dhe reagime të shumta, pro dhe kundër. Pro janë ata që mbështesin idetë e të përjashtuarve dhe kundër ata që i mbeten besnikë faktit që një parti duhet të ripërtërihet dhe t’i hap rrugë alternativave të reja. Jozefina Topalli dhe Arben Imami ishin ata që folën për median. Ndërkohë ,kësaj dysheje më vonë iu bashkuan edhe Majlinda Bregu, një zë tepër kritik në PD, Astrit Patozi dhe Ridvan Bode. Por këtyre zërave u janë kundërvënë me argumente individuale, shumë figura të njohura brenda Partisë Demokratike. 

Vili Minarolli: PDSH, pasuri shpirtërore
Ka dy ditë që pas publikimit të listës të kandidatëve për deputetë të PD, që po ndodh një precedent. Disa nga ata që nuk u përfshinë në listën janë të pakënaqur. Deri këtu gjithçka është normale dhe njerëzore. E pa mendueshmja është t’i kundërvihesh partisë për të cilin ke qenë përfaqësues i lartë, pikërisht në atë moment kur çdo demokrat është angazhuar për ta kurorëzuar fushatën elektorale me fitoren e partisë. Pas kësaj, asnjë nga ata që sot çojnë ujë në mullirin e kundërshtarit politik, nuk mund të pretendojë ta quajë veten qoftë edhe anëtar të thjeshtë. PDSH nuk është kryetari saj, që në këtë moment është L. Basha, i zgjedhur me shumicë. Nga anëtarësia e saj. Ata që nuk e donin si kryetar e shprehën vullnetin e tyre me votë. Këtu mbarojnë kënaqësitë dhe pakënaqësitë. Kryetari i partisë, me listën e prezantuar ka vënë një bast me demokratët. Po nuk e fitoi bastin, ai e ka të përcaktuar rrugën e tij. Vetëm pas datës 25 qershor. Kujt nuk i pritet, le të kërkojë privilegje tek kundërshtarët politikë i PDSH dhe i siguroj se asnjë demokrat nuk do t’i pranojë. Përvoja e kaluar është një mësim me vlerë. PDSH nuk është pronë as e kryetarit dhe as e atyre që zgjidhen në drejtim të strukturave dhe si përfaqësues politikë të saj. PDSH është pasuri shpirtërore dhe ideal i çmuar i qindra e mijërave anëtarëve e simpatizantëve të saj që i japin frymë nga fryma e tyre, pa pretenduar për poste dhe privilegje. Të zgjedhurit në poste drejtuese të strukturave, apo pozicionet politike, para se të jetë meritë e tyre, është vlerësim dhe përgjegjësi ndaj zgjedhësve. Kryetari L. Basha nuk veproi ndryshe nga ç’ka vepruar paraardhësi i tij apo homologët në partitë e tjera të skenës politike shqiptare. Por nga ajo që kujtoj është se, disa nga këta të pakënaqurit, janë mësuar me poste dhe privilegje të dhuruara dhe tani u është krijuar bindja, se janë të pazëvendësueshëm. Mos u habisni kur ju them se morën poste drejtuese në PDSH, u bënë deputetë e ministra pa milituar asnjë ditë as si anëtarë të thjeshtë e, madje pa qenë as anëtarë. Modelin nuk e krijoi L. Basha. Por modeli nuk u kundërshtua aq më shumë nga këta që sot po bëjnë lojën e kundërshtarit. Por tani u mërzitën, se u erdhi radha e tyre. Dhe po e godasin pas shpine atë që i dha emër dhe vlerë shoqërore PDSH. Ju e shikoni vetë. Me ç’farë po merret kundërshtari në këtë fushatë, pasi i konsumoi mashtrimet në fushatën e kaluar dhe nuk bëri asgjë gjatë katër viteve? Sot bëri një deklaratë një ish- drejtues i PDSH, nesër lideri i PS do merret pikërisht me këtë deklaratë. Sot është koha e provës. Sot është koha e provës. Kush e do PDSH e ka vendin në fushatë, të bëjë atë që mund ta bëjë më mirë në fushatë. Ka kohë për t’u marrë me veten tonë, zgjedhjet janë vetëm pas disa ditëve..